Ngjarja që ndodhi në Lezhë, ku nxënësi goditi mësuesen u kthye në një kambanë alarmi, për sistemin arsimor.
Ekspertët thonë se ndryshimi në breza është kthyer në një problem në shkolla, sidomos në gjimnaze.
“Ndoshta ka ardhur momenti, duhet të bëjmë një provim. Ka mundësi çdo 10-vjeçar, mësuesve, t’u bëhet një provim? A mundet mësuesi të durojë me 40 maturantë në një klasë? Ne bëjmë një ritestim patente dhe nuk bëjmë një ritestim mësuesi, kur vjen puna sa të aftë janë, sa janë në gjendje të durojmë në klasë. Ne duhet të kuptojmë pse ndodhi? Cila ishte arsyeja apo shkaqet? Një fëmijë nuk çohet vetvetiu nga fundi i klasës dhe të hedhë dhe të fluturojë karrigen. Nuk është një gjest që mund të justifikohet,” – tha ekspertja e arsimit, Irida Sina.
Roli i mësuesit është zbehur ndër vite, ndërkohë që të rinjtë sot, kanë probleme të vetëkontrollit. Viti shkollor 2022-2023 ka shënuar 2750 raste dhune në shkollat e vendit. Dhuna është shkaktuar kryesisht nga nxënësit, por nuk kanë munguar rastet ku shkak të kenë qenë mësuesit. Të dhënat zyrtare tregojnë se në 139 raste personat që kanë shkaktuar dhunën kanë qenë vetë mësuesit ndërsa 2306 raste të tjera janë shkaktuar nga nxënësit.
“Profesioni i mësuesit është në krizë, ka rënë figura e tij prej vitesh. Janë të dy fajtorë, sepse së pari mësuesja është e rritur dhe duhet të menaxhojnë më mirë situatën dhe jo të përballet dhe ta nxisë. Dhe nga ana e nxënësit nuk i japim të drejtë sepse dhuna duhet dënuar. Edhe të kërcënosh, të etiketosh është dhunë edhe pse nuk ke lënë shenja fizike,” – tha sociologia, Marsida Simo, raporton Euronews.al
Ekspertët thonë se duhen ndjekur politika informuese dhe edukuese për të dyja palët, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të frenohet fenomeni i dhunës, bullizmit, si verbal dhe psikologjik.