Si edhe në çdo komunë tjetër, edhe në Viti ka rënie të numrit të nxënësve, sidomos në fshatra. Aktualisht në këtë komunë janë rreth 7 mijë nxënës.
Drejtoresha e Arsimit në Viti, Arta Ajeti, në një intervistë për AlbanianEducation.net thotë se po punojnë në vazhdimësi që të krijojnë kushte sa më të mira në shkolla, dhe të ngritin cilësinë në arsim.
Drejtoresha Ajeti tregon se si komunë po ballafaqohen me mungesë të kuadrove për disa drejtime, si mësimdhënës për lëndët: Fizikë, Gjuhë Gjermane, Kimi, Matematikë, por se në bashkëpunim me Kryetarin e Komunës, përmes bursave po mundohen t’i përkrahin studentët potencial me drejtime deficitare, me qëllim që sadopak të përmirësojnë këtë gjendje.
Në këtë intervistë drejtoresha Ajeti flet edhe për tema tjera, si: të shumëpërfolurën testimin apo jo të mësimdhënësve, për çështjen e pagave dhe jo vetëm.
Lexoni të plotë intervistën me Arta Ajeti, drejtoreshë e Arsimit në Viti:
Një CV e shkurtër e juaja?
Unë jam Arta Alidema Ajeti e lindur në Pozheran të Vitisë ku dhe mora edukimin fillorë dhe të mesëm, për të vazhduar më pas në programin; Përkujdesja e fëmijëve si m.Edukatore.
Më pas studimet bachelor në programin ‘’Banka, Financa dhe Kontabilitet’’, kurse studimet pos diplomike-master në programin “Marketing dhe Menaxhim Biznesi”. Kam punuar në disa pozita të ndryshme si në edukim dhe kujdesin e shumë fëmijëve në IP ‘’Gëzimi Ynë’’nga viti 2003, ushtruese e detyrës së drejtorit të çerdhes së fëmijëve ‘’Gëzimi Ynë’’në Viti, pastaj zyrtare e pasurisë në drejtorinë për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim në Viti. Gjithashtu kam marr pjesë në shumë forume dhe akademi të ndryshme profesionale si për qeverisje lokale dhe të tjera. Dhe,tani së fundmi Drejtoreshë në Drejtorinë e Arsimit në Viti, ku tashmë 9 muaj.
Sa është numri i nxënësve në përgjithësi në shkollat e Vitisë, ka rënie apo jo me vitin paraprak?
Numri i nxënësve në shkollat e Komunës së Vitisë është solid. Ka rënie në zonat rurale, por në qyetetin e Vitisë, aty është i koncentrum edhe numri më i madh i nxënësve, nganjëher kemi edhe ngritje të numrit të nxënësve. Aktualisht në komunën tonë i kemi 6974 nxënës.
Në shumë komuna po mbyllen shkollat për shkak të numrit të vogël të nxënësve. A është mbyllur ndonjë në komunën tuaj,apo rrezikon të mbyllet?Nëse po, na tregoni konkretisht sa, dhe në cilat fshatra?
Në kuadër të rënies së numrit të nxënësve, ne si komunë kemi pezualluar një shkollë, atë të fshatit Debelldeh, pasi që nuk kishte nxënës që do të vijojnë mësimin. Pra është pezulluar puna e kësaj shkolle, e cila është paralele e ndarë e sh.f.m.u. “ Ndre Mjeda” Kabash.
Cilat janë tre projektet madhore që keni realizuar deri tani, dhe ato që synoni t’i realizoni deri në fund të mandatit?
Në kuadër të aktiviteteve të ndryshme që po zhvillohen në arsim, ne si komunë, kemi caktuar edhe prioritet që synojmë të zhvillojmë në vazhdimësi:
Infrastruktura shkollore
Renvimi dhe mirëmbajtja e vazhdueshme e objekteve shkollore përmes projektit Shtëpiaku-kontratë që mbulon të gjitha nevojat e mirëmbajtjes së shkollave.
Renovimi i gjimnazit Kuvendi i Lezhës në Viti përmes fondeve të IPA-së
Bashkëpunimi me OJQ-të e ndryshme që kanë për qëllim parandalimin e dukurive negative
Siguria e nxënësve në shkolla
Sigurimi fizik në shkollat e qytetit
Mbikëqyerje e vazhdueshme nga policia e Kosovës, në shkollat e qyetit, dhe më gjërë.
Monitorim i vazhdueshëm i shkollave përmes sistemit të kamerave (rritja e sigurisë)
Tryeza të ndryshme diskutimi me akterë të ndryshëm policor për sigurinë në shkolla
Zbatimi i rregullores për sjellje dhe disiplinë të nxënësve me qëllim të sigurisë
Seanca e ligjërata të ndryshme nga psikologë, e OJQ të ndryshme që kanë për qëllim parandalimin e dukurive negative dhe shfaqjen e dhunës në shkolla.
Ngritja e cilësisë
Monitorimi i vazhdueshëm i shkollave përmes zyratrëve komunal
Trajnimet e ndryshme përmes Organizatave të ndryshme dhe përkrahjen e MASHTI-it
Organizimi i garave dhe vlerësime të brendshme e të jashtme të nxënësve
Punësimi i stafit të kualifikuar dhe adekuat
Bashkëpunimi me inspektoratin e Arsimit dhe MASHTI-in
A ka mjaftueshëm mësimdhënës në komunën tuaj apo ka mungesë? (Nëse ka mungesë, në cilat drejtime më shumë)?
Ne si komunë po ballafaqohemi me mungesë të kuadrove për disa drejtime, si mësimdhënës për lëndën e Fizikës, Gjuhë Gjermane, Kimisë, Matematikës. Mirëpo në bashkëpunim me Kryetarin e Komunës, përmes bursave për studentë po mundohemi me i përkrah studentët potencial me drejtime deficitare, me qëllim që sadopak të përmirësojmë këtë gjendje.
Një temë që çdo herë çon pluhur është ajo e testimit apo jo të mësimdhënësve. Cili është mendimi juaj për këtë?
Shumë herë kemi dëgjuar nga akterë të ndryshëm testimin e mësimdhënësve. Lidhur me këtë aspekt, mendoj se ky diskurs është presion dhe është shqetësim i panevojshëm për mësimdhënësit. Në kuadër të kësaj mendoj se duhet të zbatohet legjislacioni aktual që mbulon këtë fushë. Vlerësimi i përformancës nga shkolla-DKA dhe inspektorati i Arsimit është rruga e drejtë dhe adekuate për mësimdhënësit aktual që janë duke punuar. Kurse për gjeneratat e reja që diplomojnë do të duhej që të zbatohej ligji për profesionet e rregulluar, e ndoshta do të duhej të kryenin ndonjë kurs shtesë, si parapërgatitje për profesion.
Kryeministri ka thënë se nga janari vlera e koeficientit të pagave do të rritet 110 euro. A është e mjaftueshme apo duhet të jetë vlera më e madhe? Sa duhet të jetë sipas jush?
Mësimdhënësit janë kategoria më e shenjtë në Republikën e Kosovës, ndonëse shpeshëherë paragjykohen për punën e tyre. Mendoj se duhet të punohet nga niveli qëndror për të përmirësuar sistemin arsimor si dhe të krijohen kushte edhe më të mira për mësimdhënës. Koeficienti aktual apo paga aktuale për mësimdhënës nuk është e kënaqshme. Mendoj se duhet përmirësuar paga e mësimdhënësit si dhe të kërkohet llogaridhënia dhe përgjegjësia.
Sa jeni të kënaqur me mbështetjen që merrni nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci? Cili është mesazhi juaj për të?
Sistemi arsimor është mjaft kompleks, si dhe kërkohet mjaft angazhim dhe financim në këtë fushë. Rënia e numrit të nxënësve, buxheti i kufizuar për arsim, janë disa nga faktorë që po na përcjellin dhe po ndikojnë në cilësinë e mësimit. Në fushën e legjislacionit është punuar dhe po duket se ende po punohet, por kemi komplikime në procedurat e rekrutimit të cilat janë tepër të zgjatura 1-muaj e tepër. Prandaj shpresojmë që kjo të rregullohet. Kemi pasur vështirësi në furnizim me tekste për nxënësit, pasi që mendojmë që prindërit nuk kanë qenë të përgatitur për aplikim në sistemin e-kosova. Ne vazhdimisht kemi kontakte me MASHTI-in, ku së fundi kemi kërku ndërtimin e një çerdheje në qyetin e Vitisë, e cila do të ndërtohet së shpejti, si dhe kanë përfundu pothuajse punimet në çerdhen tjeter në fshatin Drobesh, e cila tanimë është e gatshme për funksionim, presim përkrahje nga niveli qëndror për staf të kësaj çerdheje.
Për fund, cili është mesazhi juaj për mësimdhënësit vitias, nxënësit dhe prindërit?
Porosia ime për të gjithë mësimdhënësit është që të vazhdojnë punën dhe misionin fisnik që e kanë, si dhe të japin nga vetja kulturën, edukatën dhe njohuritë që kanë për nxënësit e tyre, me qëllim që të jetë kontribut I çmuar në ngritjen dhe emancipimin e gjeneratave të reja.