E premte, 20 Shtator, 2024

INTERVISTË| Xhevahire Krasniqi, mësuesja e prekur dy herë me kancer: Si e luftova dhe ju riktheva familjes e nxënësve

- Advertisement1-

Është prekur dy herë me kancer, por sot fatmirësisht gëzon shëndet të mirë dhe është rikthyer pranë familjes e nxënësve të saj.

Fjala është për mësuesen e matematikës nga Prishtina, Xhevahire Krasniqi, e cila në një intervistë për Albanian Kids Education (www.kidsofkosova.net) në një rrëfim prekës tregon kur e mësoi se është prekur nga sëmundja e rëndë dhe si e luftoi atë dhe momentin kur u rikthye tek nxënësit.

- Advertisement -

Mësuesja Xhevahire në këtë intervistë flet edhe për mësimdhënien paralufte, për grevën në arsim dhe jep një mesazh për nxënësit dhe kolegët.

 INTERVISTA E PLOTË:

Keni nisur të jepni mësim nga vitet e 80-ta, na tregoni si e kujtoni atë kohë dhe ç’dallim ka pësuar mësimdhënia?

Unë kam filluar punën si 20 vjeçare në vitin 1987 në shkollën ish “Branisllav Nushiq”, tani Gjergj Fishta. Përgjatë rrugëtimit në këtë proces pati ndryshime në vendet e punës.

I kujtoj vitet e para ku vlera e mësimdhënësit peshonte shumë, kishim shumë respekt nga nxënësit si edhe nga prindërit, por tani është shumë më ndryshe. Ka respekt vetëm nga të respektuarit dhe nga ata të cilët vlerësojnë punën dhe përkushtimin tim dhe mund të them se ka zbehje dhe shumë dallim nga ato vite edhe në format e mësimdhënies, kur atëherë ishte mësimi tradicional, mësimdhënësi ishte në qendër të vëmendjes që për lëndën e matematikës ishte shumë më mire, e unë edhe tani e kombinoj se nxënesit kanë nevojë për sqarime dhe shpjegime nga ana e arsimtarit. E mira e kësaj kohe është zhvillimi teknologjik dhe me metodat bashkëkohore nxënësit kanë mundësinë të hulumtojnë më shumë për atë qe u intereson.

Jeni mësuese e matematikës. Na tregoni aktualisht ku jepni mësim dhe sa ka nxënës të talentuar në këtë lënë?

- Advertisement -rrrrrrr

Unë aktualisht jam duke punuar në shkollën “Meto Bajraktari”, në Prishtinë që nga viti 2003. Kam kënaqësinë ta theksoj se në shumë gjenerata të cilat i kam percjellë deri tani kam zbuluar shumë nxënës të cilët kanë talent në lëndën e matematikës, të cilët edhe na kanë sjellë suksese në garat e matematikës. Shumë prej tyre edhe kanë studiuar dhe po ndjekin studimet në shkencat e matematikës apo edhe në shkenca kompjuterike dhe elektro, aty ku bazë e kanë lënden e matematikës.

Pse sipas jush duhet që nxënësit të bëhen matematicienë?

Ndoshta nuk do ta kisha thënë në të përgjithshmen se nxënësit duhet të bëhen matematicienë, por do të thoja se të gjithë duhet të njohin disa tema të rëndësishme të matematikës ku secilit person i duhen në jetën praktike, kurse ata të cilët pretendojnë dhe kanë aftësi të orientohen në matematikë besoj se ju duhen në shumë programe kompjuterike, ku edhe po kanë përfitime ekonomike se shumë shpejt edhe po gjejnë vende pune ku me profesione tjera po kanë vështirësi.

Të kalojmë në një temë. Ju keni qenë e prekur me sëmundjen e kancerit, na tregoni si jeni tani dhe si e keni tejkaluar?

Unë fatkeqësisht jam prekur dy herë me kancer dhe për momentin i falenderohem Zotit që jam mirë, çka di të them se kjo sëmundje është shumë e fshehtë dhe nuk të jep alarme paraprake . Kur jam prekur herën e dytë ka qenë një befasi për shume kënd e për familjen time dhe mua si një bombë atomike në gjithë trupin tim.

Ishte diçka që nuk e kam pritur fare, isha shumë e perkushtuar me nxënësit e klasave të 8-ta, sa e patëm realizur një projekt përmes TV RTK  “NDERLIDHJA E MATEMATIKES ME SHKENCAT TJERA”.  Pas dhjetë ditëve gjendja ime shëndetësore ndryshoj shumë keq, por fatmirësisht e luftova me shumë vullnet dhe me shumë vështirësi.

Për sa kohë keni qenë larg nxënësve dhe si i kujton mbështetjen e tyre dhe të kolegëve?

Unë nuk kam qëndruar shumë larg nga nxënësit, herën e parë më 2011 i kisha nxënësit e klasave të 9-ta. Unë jam operuar në mes të muajit prill e me kemioterapi kam filluar me 5 maj, por unë pas tri ditësh kam dalë në punë për shkak se ata në fillim të qershorit përfundonin mësimin dhe si kujdestare e klasës ishte dëshira për t’i percjellë nxënësit, sepse 5 vjet ishim bashkë.

E herën e dytë më 2018, prapë në muajin Maj ku për katër muaj isha larg tyre ,kisha mbështetjen e kolegëve të cilët i mbanin orët e mia me shumë vullnet, por me shumë vështirësi, sepse orari mësimor me klasët e larta nuk të jep mundësi të zëvendësimit. Pas katër muajsh, takimi me nxënës ka qenë një moment shumë prekës, por aty e kam parë mbështetjen, respektin dhe dashurinë që ata shprehën ndaj meje. Secili nxënës më dhuroi nga një lule ku në secilën lule kishin shkruar fjalë,përmes të cilave ma kishin përshkruar karakterin dhe virtytet e mia  personale dhe shumë fjalë inkurajuese, saqë çdoherë kur i kujtoj dhe flas për këto momente i falënderoj nga zemra dhe i përqafoj nga larg.

Aktualisht greva në arsim është tema më aktuale në vend. A duhet të fillojë mësimi apo jeni përkrahëse e grevës?       

Tani jam në pikën më prëkese apo më kulminante te kësaj bisede. Ju falëndëroj që me këtë pyetje ma dhatë mundësinë ta shpreh edhe përmes medias tuaj që i dedikohet plotësisht fushës së arsimit me shpresë se do ta lexojnë apo do të ju bie në vesh edhe kesaj rradhe personave kompetentë si në MASHT, DKA dhe SBASHK .

Unë grevën e kam përkrahur duke mos dashur të ndahem nga kërkesat e kolegëve, por jo që e përkrah me zemër, gjithçka e politizur, shumë kërkesa më me prioritet se sa vlera për 100 euro për të cilat greva po emërtohet dhe po keqkuptohet. Mendoj më shume është për shkak të mosvlersimit të punës së mësimdhënësve, kushtet tjera, sigurimet shëndetësore, mësimdhënës, ndihmës etj.

Njollosja e identitetit, kjo është ajo që mësimdhenesit kësaj radhe janë më të vendosur, por duke mos e anashkaluar edhe gjendjen ekonomike e cila po na ngarkon çdo ditë e më shumë.

E unë do t’i permendi pakënaqesitë dhe kërkesat e mia për të cilat kam trokitur në çdo derë të MASHT-it nga qeveritë e kaluara, në DKA kur znj. Arbërie Nagavci ishte drejtoreshë në komunën e Prishtinës, kam kërkuar ndihmë edhe nga SBASHKU që zëri i tyre t’i mbrojë interesat e mësimdhënësve me sëmundje kronike, por nga askush deri sot nuk na ka ofruar më të voglën ndihmë.

Në kohën e pandemisë në opinion u përfol se janë ndarë mjete për këtë lloj kategorie dhe mësimdhënës mbështëtes për të prekurit me covid, por nuk ka qenë e realizur. Disa herë e kam parashtruar kërkesën edhe përmes intervistave televizive që të na mundësohet të ketë asistentë (mësimdhënës rezervë) që në rastet kur arsimtarët mungojnë, të vijnë asistentë  adekuat që nxënësit mos të mbesin keq për mësim, e që është në interes te nxenësit më shumë, duke i ditur specifikat e këtij profesioni në rast mungese, sepse p.sh lëndën e matematikës brenda shkollës nuk mundet t’a zëvendësojë arsimtarë të lëndëve tjera

Pastaj në muajin qershor erdhi një letër nga MASHT si udhëzues për përkrahjen e mësimdhënësve me sëmundje kronike, por kjo nuk është udhëzim, por vetëm si udhëzues dhe ende nuk është miratuar dhe nuk është e qartë se çka do të përmbajë ky udhëzues. Dhe kjo arsye më shtyen t’a perkrah grevën dhe të qëndroj në grevë ndoshta deri në realizimin e këtyre kërkesave të cilat i përmenda e jo vetëm për 100 euro, se kjo sëmundje ka kosto të lartë me barna dhe medikamente suplementare.

Më lart tregova se punoj nga viti 1987, pra unë jam mësimdhënëse e viteve të 90-ta kur kemi punuar pa pagesë dhe me shumë vullnet dhe krenari që të japim kontributin tonë kushtuar atdhedashurisë të cilin e kemi obligim moral secili nga ne. Pastaj në kohët më të vështira kur edhe isha nënë e re dhe pa pushime të lehonisë kam dalë në punë, e kjo kohë nuk duhet harruar dhe duhet respektuar kontributi ynë. Dhe kjo po na zhgënjen se për keta mësimdhënës nuk ka pasur as benifite paslufte e më e pakta asnjë mirënjohje t’i kemi në sirtarë si gjurmë për pasardhësit tanë.

Dhe kështu pika-pika po e ngarkojnë dhe nënvlerësojnë punën e mësimdhënësit duke mos u paguar as shujtat ditore, as rrogat jubilare e shumë e shumë tjera të cilat në popull janë të panjohura.

Cili është mesazhi juaj për mësimdhënësit por dhe nxënësit?                

Ne, mësimëdhënësit e juaj jemi këtu, aty, kudo të jeni ju, për të ju mësuar, edukuar dhe për të parë ëndrrat tuaja tek marrin jetë e për tu ndier krenarë gjithmonë me ju. /Albanian Kids Education (www.kidsofkosova.net)

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Ben Gavazaj, nxënësi nga Prizreni që la Amerikën dhe u kthye në Kosovë

Ben Gavazaj, është nxënës i klasës së katërt në shkollën "min Duraku në Prizren....

Armend Perolli, nxënësi shembull nga Prizreni: Punoi gjatë verës dhe nuk shkoi në pushime – me paratë që dhuroi u blen materiale shkollore për 12...

Një shembull i jashtëzakonshëm vije nga një nxënës i klasës së pestë të shkollës...

Shkencëtari kosovar Besnik Krasniqi, përfshihet në listën e shkencëtarëve më me ndikim në botë

Një arritje e jashtëzakonshme për shkencën kosovare ka ardhur këtë vit, pasi Profesori Besnik...

Këshilla për mësuesit dhe prindërit që të organizojnë mbledhje të frytshme në shkollë

Organizimi i një mbledhjeje të frytshme mes mësuesve dhe prindërve për të diskutuar mbarëvajtjen...