Asnjëherë nuk u ndalë, dhe atëherë kur në një pikë shkollore kishte vetëm 2 nxënës, por që me përkushtim dhe punë të përbashkët me prindërit arritën ta ngritin numrin në 68. Kjo vërtetë një dëshmi se me punën e tij si mësues dhe koordinator në hapjen e pikave të reja shkollore në Zvicër ka qenë dhe mbetet shembulli më i mirë se si punohet në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare. Fjala është për mësimdhënësin Vaxhid Sejdiu, i cili qe 30 – vjet është në shërbim të organizimit të mësimit plotësues në Zvicër.
Albanian Education https://albanianeducation.net/ media që i dedikohet plotësisht fushës së arsimit ka realizuar një intervistë me mësuesin Vaxhid, i cili ka treguar në detaje se si nisi punën si mësues në Zvicër, si ia arriti të hapë mbi 100 pika shkollore me shumë bashkëveprimtarë atje.
Ai në këtë intervistë përveç shkollave shqipe në Zvicër, flet edhe për gjendjen e arsimit në Kosovë, dhe për figurën e mësimdhënësit sot dhe dikur në trojet shqiptare.
Një CV e shkurtër e mësuesit Vaxhid…
Vaxhid Sejdiu, është mësues i shkollës shqipe në Zvicër, i cili me punën e tij si mësues dhe koordinator në hapjen e pikave të reja shkollore në Zvicër ka qenë dhe është shembulli më i mirë se si punohet në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare. Ka lindur në Kumanovë, ku edhe ka mbaruar shkollën fillore dhe gjimnazin kurse studimet Fakultetin letërsi dhe gjuhë shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Po ashtu mësuesi Vaxhid ka mbaruar studimet e magjistraturës dhe doktoraturës në fushën e letërsisë. Më se 30 – vjet është në shërbim të organizimit të mësimit plotësues në Zvicër së bashku me shumë bashkëveprimtarë.
Kur filluar mësimdhënien në diasporë, si e kujtoni – na flisni pak?
Shkollat e para janë të hershme para më se 30 – viteve
Fillimisht u fillua me përpjekjet për ta pavarësuar shkollën shqipe nga ambasada jugosllave në atë kohë, gjë që rezultoi me formimin e shoqatës “Motrat Qiriazi” në kantonin e San Gallenit dhe pastaj të Lidhjes së Prindërve Shqiptarë (LPSh) dhe të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASh) në nivel Zvicre.
Por në 15 vitet e fundit kemi një rënie drastike të numrit të nxënësve për hir të një organizimi të dobët në kuadër të shoqatës ekzistuese të Lapshit, në mungesë të reformave në kuadër të shoqatës, apo pengesave të shumta në kuadër të Kryesisë qendrore duke mos iu lënë hapësirë mësuesve të rijë, apo mësuesve të tjerë në krijimin e klasave të reja. Për këtë arsye u detyruam një grup mësuesish vullnetarë në bashkëpunim me prindërit, në bashkëpunim me Ambasadat tona e veçanërisht në bashkëpunim me ambasadën e R. së Shqipërisë, e cila gjithë stafin e saj e ka vënë në shërbim të shkollave shqipe në Zvicër, të hapim shtigje të reja me rrjetin e shkollave shqipe në Zvicër, e cila sot llogaritet si një vlerë e shtuar, si një nevojë e kohës, si një model, të cilin duhet ta marrin si shembull, edhe në shtetet e tjera.
Na rrëfeni dy-tre raste që nuk do t’i harroni asnjëherë gjatë punës suaj si mësimdhënës në diasporë? Dy raste me nxënësit dhe dy raste me kolegët?
Raste të paharrueshme në procesin mësimor janë të shumta. Një prej tyre do të kujtoj kur në një pikë shkollore (Rapperswil – Jona) e filluam vetëm me 2 nxënës dhe pas një përkushtimi të përbashkët me prindërit arritëm në 68 nxënës. U formuan 4 klasë dhe mësimi zhvillohej në kushte shumë të volitshme për mësim. Në këtë pikë shkollore patë ardhur edhe gazetari dhe publicisti Rexhep Rifati i cili në atë kohë patë shkrepur disa fotografi me aparatin e tij, të cilat pushtuan mediat në gjuhën shqipe. Raste të këtilla ka mjaft, apo manifestimi shkollor kushtuar 100 – vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, organizuar në Flums të Kantonit të St. Gallenit. Një manifestim dy orësh i përgatitur dhe i udhëhequr nga vetë nxënësit e shkollave shqipe befasoi me programin e tyre më se 1000 pjesëmarrës në sallën e madhe të sportit në Flums.
Shembuj nga puna me nxënës do të veçoj një rast me një nxënës fillestar, i cili sapo filloj të lexoj apo të përballet me shkronjat e shqipes u takua me shkronjën Dh dhe posa filloj ta lexoj tekstin kur arriti te shkronja Dh, më pyet mësues ç`bëjnë këto shkronja bashkë, a bënë t`i ndaj?
Sa shkolla shqipe janë në Zvicër? Sa mësimdhënës janë, sa nxënës?
Janë hapur dhjetëra e dhjetëra pika shkollore, më se 100 sosh, të cilat dëshmojnë një rritje të dukshme të fëmijëve shqiptarë në orët mësimore dhe në procesin mësimor janë të regjistruar 39 mësues/e. Por vazhdojmë së bashku me Shoqatat kantonale të bashkojmë forcat të hapim pika të reja shkollore. Unë e kam thënë dhe po e them se “Shkolla shqipe” në Zvicër është në rrugë të mbarë, edhe pse ka vend për t`u përmirësuar sepse ka edhe njerëz të papërgjegjshëm, jo të motivuar sa duhet…
A do të vazhdoni të hapni shkolla të reja? Nëse po, kur dhe në cilat vende?
Hapja e pikave të reja shkollore është misioni ynë. Qëllimi ynë është të përfshijmë sa më shumë fëmijë shqiptarë në shkollat shqipe në mbarë Zvicrën. Deri tani kemi arritur të përfshijmë më se 20 kantone të Zvicrës, sivjet mendojmë që të mbulojmë gjithë vendin dhe të dyfishojmë numrin e fëmijëve shqiptarë, që i ndjekin mësimet në gjuhën amtare.
A ka nevojë për mësimdhënës shqiptarë – nëse po, cila është thirrja juaj?
Po ka nevojë edhe për mësues të tjerë. “Shkolla shqipe” në Zvicër është e hapur për të gjithë. Së bashku jemi më të fortë, më të organizuar dhe natyrisht me punën dhe përkushtimin tonë të përbashkët edhe sukseset nuk do të mungojnë.
Sa respektohet sipas jush sot figura e mësimdhënësit, jo veç në disaporë, por në përgjithësi në trojet shqiptare?
Shumë gjëra në jetën shqiptare nuk respektohen si duhet dhe aq sa duhet, në mesin e tyre edhe mësuesit, të cilët janë më të nevojshmit për ndryshimet në shoqëri. Për fat të keq shoqëria shqiptare mësuesve nuk iu ka dhënë hapësirën e mjaftueshme, që ata të punojmë dhe të veprojnë në shërbim të arsimit shqip. Gjithmonë kam menduar dhe mendoj se arsimin shqip në niveli kombi do ta mbaj një konkurs kombëtar për mësimdhënësit.
Një mendim nëse keni për gjendjen e arsimit në Kosovë – çfarë kishit ndryshuar ju?
Shumë gjëra kanë ndryshuar, ka shumë gjëra pozitive, shumë ndryshime pozitive, por niveli arsimor në shkollat shqipe në të gjitha trojet shqiptare me disa përjashtime (Tiranë, Prishtinë) nuk është në nivelin e dëshiruar. Ka shumë gjëra që do t`i doja të jenë ndryshe. Mendoj se ka ardhur koha, kudo t`i kushtohet një rëndësi më e madhe arsimit fillor dhe deri te ai universitar.
Sa janë pagat e mësimdhënësve shqiptarë në Zvicër (nëse dëshiron me u përgjigj) ka interes besoj si pyetje për lexuesit?
Mësuesit në mësimin plotësues në Zvicër paguhen nga vetë prindërit shqiptarë. Pra mësimi zhvillohet në objekte shkollore të shkollave vendore, kurse pagesa bëhet nëpërmjet sistemit bankar në kuadër të shkollave ekzistuese. Tarifat e orëve mësimore janë të njëjta që më se 30 – vjet dhe mësuesi sa më shumë nxënës që ka, e ka edhe rrogën më të lartë. Por, i madh është numri i mësuesve që luan rolin e një misionari duke u angazhuar në vazhdimësi në përhapjen e dritës së diturisë në gjuhën shqipe.
Për fund, mesazhi juaj për të gjithë prindërit shqiptarë që jetojnë në Zvicër?
Ju bëjmë thirrje të gjithëve prindërve, kolegëve (mësuesve) kudo ku janë, veprimtarëve, që të na bashkohen në rrugëtimin tonë të përbashkët, në ngritjen e vetëdijes kombëtare për mësimin e gjuhës amtare në shkallë kombëtare.
Apeloj te të gjithë prindërit që ta marrin shumë seriozisht ruajtjen e gjuhës së nënës te fëmijët e tyre sepse nuk ka më keq kur fëmijët mbesin analfabet në gjuhë amtare dhe mbi të gjitha ruajtja e gjuhës amtare është obligim moral dhe kombëtar për të gjithë ne. /AlbanianEducation.net/.