Dhuna në shkolla, a duhet të bëhet një vlerësim psiko-social për mësimdhënësit, tekstet e ngarkuara mësimore, mënyra si bëhet notimi i nxënësve; janë disa nga temat që trajtohen kur përmendet sistemi arsimor në Kosovë, por dhe në Shqipëri.
Për këto tema por dhe të tjera, Albanian Education (www.kidsofkosova.net) ka realizuar një intervistë me sociologen nga Shqipëria, Marsi Simo, e cila na flet në më të detajuar.
Sociologia Simo flet edhe për revistën “Klubi i fëmijëve” që e boton në Tiranë si dhe sa respektohet të drejtat e fëmijëve shqiptarë.
Lexoni të plotë intervistën me sociologen Marsi Simo:
Së pari një prezantim i juaji, CV e shkurtër?
Ju botoni një revistë për fëmijë në Shqipëri, na tregoni nga ideja dhe si po ecën?
Revista “Klubi i fëmijëve” po shkon drejt vitit të tretë te publikimit. Nisi si nevojë për një hapësirë konstruktive për fëmijët. Duke qenë se jam nënë vetë, doja të krijoja një revistë të tillë. Nuk e mendova që do pritej kaq mirë dhe me shumë entuziazëm. Revista shërben si një metodë që i kthen fëmijët te leximi, por edhe te stimulimi. E them stimulim sepse në revistë janë vetë fëmijët që shkruajnë dhe ndërveprojnë. Deri tani kanë marrë pjesë rreth 300 fëmjë në numra të ndryshëm, nga më të vegjlit disa muajsh deri në moshën 15 vjeç. Prindërit më shkruajnë shumë shpesh sepse duan t’i angazhojnë fëmijët dhe revistën e gjejnë shumë me vlerë. Do doja të përmendja që përveç revistës organizoj shpesh dhe konkurse për fëmijë. Do veçoja konkursin “Autizmi flet me ngjyra”, “Gjyshërit e mi”, “Loja ime”, “Të ndryshëm, por të barabartë. Konkurset kanë për qëllim t’i angazhojnë fëmijët me tematika sociale përmes pikturës, këngës, letërsisë etj.
Si është sot pozita e fëmijëve shqiptarë? Sa ju respektohen të drejtat?
Vitet e fundit në Shqipëri është punuar shumë për të drejtat e fëmijëve nga aspekti ligjor, institucional deri në familje. Megjithatë ende kemi fëmijë që nuk arsimohen dot sepse mungon infrastuktura, jetojnë në varfëri ekstreme, detyrohen të punojnë, të emigrojnë (kryesisht djemtë) apo të martohen në moshë të re (kryesisht vajzat). Nga ana tjetër, edhe familjet që kanë një gjendje ekonomike më të stabilizuar gjendet përballë shumë sfidave që lidhen me fenomene si abuzimet, ngacmimet seksuale, apo bullizmi. Ndoshta prindërit e kanë dëshirën t’i edukojnë fëmijët në mënyrën më të mirë, por realizimi mund të çalojë pasi nga ana tjetër shoqëria nuk zhvillohet paralelisht. Fëmijët e sotëm i shoh të mbushur plot me energji dhe potencial, por që nuk dinë ku t’i shprehin dhe t’i formojnë. Nëse kjo nuk realizohet, nuk bën habi që fëmijët qëndrojnë vetëm përballë telefonave, pasivë, dhe jo pak herë edhe agresiv.
Të flasim më konkretisht për nxënësit. Dhuna në shkolla është e pranishme si në Kosovë ashtu dhe Shqipëri? A duhet të ketë më shumë psikolog në shkolla?
Dhuna fatkeqësisht është prezente që në hapat e parë, madje që në kopsht. Kur them dhunë, e kam fjalën për abuzimin, metodat ndëshkuese pëmes anës fizike apo psikologjike. Madje ata që dhunojnë mund të jenë edhe prindërit, pasi mes trashëgimive që marrin nga prindërit, pasojnë edhe metodat me përmbajtje dhune të cilën e kalojnë te brezat e rinj. Megjithatë kam shpresën se ka një ndërgjegjësim nga prindërit e rinj mbi format e edukimit pozitiv. Psikologët janë nëpër shkolla dhe shpesh gjykohen se duhet të punojnë më shumë, por ata nuk mund të bëjnë më të mirën kur numri i nxënësve është shumë i lartë.
Raste të shumta ka kur nxënësit dhunohen dhe nga mësuesit e tyre. A duhet të bëhet një vlerësim psiko-social për mësimdhënësit?
Në Shqipëri është folur që vitin e kaluar për vlerësimin psiko-social të mësuesve. Unë e mirëpres dhe më duket shumë e mirë ashtu siç bëhet kontrolli vjetor në lidhje me shëndetin fizik. Por, si fillim do doja që të vlerësoheshin edhe drejtorët apo të tjerë autorë që lidhen me arsimin, pse jo edhe ministra e deputetë të cilët kanë në dorë qeverisjen e një shoqërie në mënyrë zinxhir. Një vlerësim të nevojshëm do e doja për fëmijët në moshë të hershme, të ishte falas dhe kohë pas kohe për të parë zhvillimin e tyre. Nëse duhen bërë gjëra me vlerë, le të nisim nga zanafilla dhe për të gjithë.
Sa janë të ngarkuara tekstet mësimore për nxënësit e kalsave të para sipas jush?
Këtë vit djali im është në klasë të parë dhe më qëlloi të studioja dhe unë më nga afër abetaren tonë të unifikuar. Si koncept më ka pëlqyer shumë dhe e kam mirëpritur. Tani jemi te shkronja Q dhe në tërësi nuk ka ndjerë ndonjë shqetësim apo pengesë. Ajo që shoh unë ngarkesë janë lëndët e shumta, si “Anglisht”, “Dituri natyre”, “Gjermanisht”, “Balet”, Edukim Fizik”, “Matematikë”, “Robotikë”. Unë do preferoja që fëmijët e klasës së parë të mësojnë të shkruajnë, të lexojnë, të stërvisin mendjen përmes matematikës. të argëtohen në edukimin fizik dhe t’i përkushtohen edukimit dhe aspektit psiko-social.
Ajanë pozitive detyrat e shtëpisë për nxënësit apo më shumë një ngarkesë për ta?
Thuhet se detyrat janë shpikur për të ndëshkuar nxënësit. Nga vetë termi detyrë, nxënësit shpesh e konsiderojnë si diçka që nuk është e preferuar. Nëse detyrat do ishin projekte reale, jo ato me letra ku kopjojmë nga interneti, detyrat e shtëpisë do bëheshin argëtuese.
A duhet të vlerësohen me nota nxënësit në arsimin parauniversitetar? Cili është mendimi juaj?
Vlerësimi me “Arritje të shkëlqyera” deri në “Arritje të pamjaftueshme” janë terma që kanë zëvendësuar mirë notat, edhe pse në dëftesë shkruhet edhe me shifra. Vlerësimi është një nxitje për nxënësin, duke e vënë atë në konkurrencë me të tjerët, por jo më e rëndësishmja. Mendoj se prindërit nuk duhet të shqetësohen që të shkëlqejë dëftesa, por të jetë mirë fëmija. Me këtë nënkuptoj që fëmijët të realizojnë detyrat, veprimet dhe arritjet me moshën, dhe të kenë ndërtuar një vetëbesim dhe lidhje të shëndetshme me fëmijët e tjerë, mësuesit dhe më gjerë. (Albanian Education)