E premte, 26 Korrik, 2024

INTERVISTË: Shqipe Berisha, mësuese në shkollën e të verbërve në Pejë: Puna në këtë institucion një mision – asnjëherë s’do të largohem

- Advertisement1-

Qendra Burimore “Xheladin Deda “ në Pejë , e vetmja qendër në Kosovë që ofron edukimin e të verbërve.

Gazeta Online AlbanianEducation.net ka realizuar një intervistë me mësuesen Shqipe Berisha e cila punon në këtë Qendër nga viti 2003. Ajo thotë puna në këtë institucion nuk është vetëm një profesion, por edhe një mision.  

- Advertisement -

Ajo në këtë intervistë ka dhënë detaje të hollësishme për punën që bëhet në këtë Qendër, kërkesat që kanë, dhe ka ndarë rrëfime me nxënësit, por jo vetëm.

Lexoni të plotë intervistën me Shqipe Berisha, mësuese në Qendrën Burimore për mësim dhe këshillim –QBMK “Xheladin Deda” në Pejë:

Një CV e shkurtër që të ju njohin lexuesit tonë më shumë?

Jam Shqipe Berisha nga Peja, e punësuar në Qendrën Burimore për mësim dhe këshillim –QBMK “Xheladin Deda” në Pejë. Jam e punësuar si mësimdhënëse e Teknologjisë informative nga viti 2003, kur kam filluar punën si mësimdhënëse në shkollën për të verbër në Pejë. QBMK Xheladin Deda në Pejë është institucioni i vetëm arsimor për personat e verbër në Kosovë. Kam studiuar në Universitetin Prishtinës për Ekonomi studimet katërvjeçare, dhe kam vazhduar master në Menaxhment të sistemit të informacionit.

Kur e keni kapur ditarin për herë të parë, në cilin vit, çfarë ndjenje ishte?

Kam filluar në vitin 2003 dhe punësimi im në shkollën për të verbër ishte i rastësishëm, pasi më parë as nuk e kam njohur dhe as kam pasur kontaktet me personat e verbër. Ndoshta fillimisht ishte ndjesia që do të angazhohem përkohësisht, por pastaj kur njeriu punon me personat e verbër, lidhet shumë me punën dhe detyrën që ka aty. Për pasojë tash ka mbi 20 vjet që punoj  në këtë institucionin dhe nuk mendoj asnjëherë më të largohem nga ky institucion, për aq sa mundem dhe kam mundësi të ndihmoj personat e verbër dhe familjarët e tyre.

- Advertisement -rrrrrrr

Puna me personat me aftësi të kufizuara është shumë specifike, pasi këtu përveç punës si mësimdhënës, je gjithnjë i angazhuar edhe në shërbime tjera, në të cilat ti përfshihesh dhe asnjëherë nuk është mjaftueshëm ajo që bën, duke kërkuar më shumë. Në institucione si ky yni, mësimdhënësi nuk ka vetëm një profesion, por edhe një mision.

Punoni në shkollën speciale për të verbrit në Pejë, na tregoni sa nxënës janë, sa mësimdhënës gjithsej, dhe kushtet që janë?

Shkolla është një institucion shtetëror në varësi të Ministrisë së arsimit, shkencës dhe teknologjisë. Është shkollë konviktore dhe nxënësit që vijnë aty nga komunat tjera, kanë qëndrim javor në konviktin e shkollës. Puna është e organizuar më orarin mësimor të paradites dhe mësimin plotësues pasdite. Për shkak të orientimit të politikave arsimore drejt integrimit të nxënësve me nevoja të veçanta, një pjesë e nxënësve  që nuk shohin, mësimin e  ndjekin në shkollat e rregullta nëpër qytetet dhe fshatrat e Kosovës ku jetojnë, ndërsa Qendra burimore jep mbështetjen për ta. Kështu për momentin në shkollë, mësimin e  ndjekin rreth 20-25 nxënës të verbër, ndërsa nxënësit tjerë, rreth 80 marrin mbështetje nga ne, në shkollat tjera të Kosovës. Puna është e organizuar me mësim në klasë/ shkollë dhe në shërbimet e mbështetjes. Shërbimet e mbështetjes përfshijnë përgatitjen e materialeve për fëmijët e integruar, këshillimin e tyre, mësimdhënësve dhe prindërve, përshtatjen e mjeteve dhe materialeve mësimore, trajnimet etj. në mënyrë që shkollat e rregullta të jenë në gjendje të ofrojnë shkollim më të lehtë për personat e verbër dhe me dëmtime të të parit.

Na tregoni si është një ditë pune e juaja në këtë shkollë? Poashtu na tregoni ndonjë rrëfim interesant me nxënësit tuaj?

Procesi mësimor zhvillohet sipas planprogramit të rregullt dhe nxënësit tonë ndjekin kurrikulën e rregullt arsimore si të gjithë nxënësit tjerë në Kosovë duke iu nënshtruar të njëjtave teste në përfundim të shkollimit. Ajo që ne ndryshojmë është sepse përshtatim metodat mësimdhënies dhe mjetet e punës dhe konkretizimit. Në fillimet e  mia ka qenë e pamundur të mendohet se të verbrit mund të shfrytëzojnë pajisjet e teknologjisë informative, ndërsa sot, të gjithë personat e verbër përdorin pajisje duke filluar nga smartphonët e deri në pajisjet kompjuterike. Gjatë punës me TI me personat e verbër, kemi qenë vazhdimisht në kërkim për të gjetur mënyra se si mund të bëjmë më të lehtë dhe praktike, mundësitë që ofron teknologjia, e cila në shumë raste kompenson mungesën e të parit, apo krijon lehtësira në jetën e tyre.

Puna me personat verbër çdo ditë ka nga një sfidë dhe një situatë për të cilat duhet kërkuar dhe gjetur zgjedhje. Unë jam angazhuar që ata të pavarësohen sa më shumë, pasi komunikimi dhe qasja në informacion kanë shumë rëndësi për pavarësimin e tyre në jetë. Ajo që na jep ne kënaqësinë më të madhe është se nxënësit tonë pas përfundimit të shkollimit tek ne, në 60 përqind të rasteve kanë ndjekur studimet e mëtejmë apo edhe kanë filluar punë dhe zhvillojnë karrierë. Ish nxënësit tonë të verbër punojnë nëpër ministri, në institucione publike, biznese dhe zhvillojnë vet sesinë ndërmarrësisë, duke u vetëpunësuar në ndonjë rast, apo edhe të tjerë që kanë zhvilluar karrierë artistike, si muzikantë, krijues letrar, etj. kemi nxënës që ka publikuar mbi 10 libra, apo që ka përfunduar dy masterë.

Si shkollë speciale që jeni, sa keni përkrahje nga MASHT?

Shkolla është institucion i MASHTI-t dhe ministria siguron kushtet për punën e Qendrës Burimore. Në ministrie është një departament i veçantë kushtuar arsimit special, që koordinon punë lidhur me edukimin e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore. Objekti është i madh dhe e mjaftueshëm, i pajisur me shumë punëtori speciale dhe kabinete, një pjesë e ndërtuar në buxhet personal, ndërsa pjesa më e madhe nga donacionet dhe projektet e donatorëve. Kërkesat e shkollimit të personave të verbra, megjithatë janë shumë të mëdha e sidomos teknologjia informative për personat e verbër është e kushtueshme dhe në këtë kuptim nevojat asnjëherë nuk plotësohen. Pajisjet e kompjuterëve personale për personat e verbër kushtojnë mbi 2-3 mijë euro, letra në braij është e kushtueshme etj.

Cilat janë kërkesat si shkollë që keni nevojë t’iu plotësohen në këtë vit?

Shkolla ka kapacitete dhe kushte për zhvillimin e procesit të rregullt, akomodimit me ushqim dhe higjienë, por kur është fjala për teknologjinë informative, mungojnë buxhetet e duhura. Poashtu mungesa më e madhe me të cilën ballafaqohemi është mungesa  e veturave për punën në terren, pasi pjesa më e madhe e mësimdhënëseve janë të përfshirë në shërbimet e mbështetjes dhe duhet të udhëtojnë vazhdimisht nëpër komuna. Mungesa e veturave bën që nxënësit të mos marrin aq sa duhet shërbime në shtëpi dhe në shkollat e rregullta, pastaj ka vështirësi në transportin e nxënëseve të verbër në aktivitetet kulturore, sportive dhe rekreative në të cilat ata marrin pjesë.

Me kalimin e viteve, shkolla ka shtuar shërbimet dhe numrin e programeve që ofrojnë dhe kjo nuk është shoqëruar me plotësimin e stafit, sidomos me staf profesionist siç janë psikologët, pedagogët, mësuesit mbështetës dhe asistentët. Nevoja e shkollës është për më shumë staf profesional për shërbimin e mbështetjes në terren.

 

Një pyetje që po shtrohet është s do të largohen mësimdhënësit pas heqjes së vizave. Ju keni letrat e Amerikës, a keni menduar të largoheni?

Jo asnjëherë. Për arsye familjare dhe për shkak të kompletimit të dokumentacionit kam qëndruar një kohë në SHBA në afate të gjata, por unë asnjëherë nuk e kam menduar se mund të lë Kosovë dhe punën si mësimdhënëse. Kjo është detyra dhe misioni jonë, të mbajmë shkollën dhe nxënësit dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë. Është një punë fisnike, që të jep nder dhe të bën të ndjehesh mirë. Unë këtë nuk do ta braktis asnjëherë. Kjo vjen edhe nga trashëgimia familjare, pasi edhe prindi im, Muharrem Berisha, ka qenë gjithë jetën një mësues dhe aktivist i palodhur i arsimit. Edhe në vitet 90 kur ka qenë i rrezikuar edhe kur jemi përballur me kushtet e vështira të jetës, me gjithë se ka pasur vazhdimisht ftesa, ai asnjëherë nuk ka dashur ta lëshojë Kosovën dhe arsimin. Edhe kur ka qenë refugjat në Mal të ZI, ai është marrë me koordinimin e arsimit për të ikurit në komunat e  Plavës dhe Gucisë,

Cili është mesazhi juaj për mësimdhënësit që mendojnë të largohen nga Kosova?

Baba im gjithnjë thoshte se arsimi e mban Kosovën. Të gjithë mësuesit sot duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë. Kosovës i duhen mësuesit e mirë dhe edukim i mirë, pasi vetëm me dije dhe edukim ne und të ecim përpara. Unë kam jetuar jashtë Kosovës, por për mësimdhënësit atje, sado që mund të mendojnë, jeta atje nuk do të jetë e lehtë. Në Kosovë ata kanë profesionin, nxënësit dhe prindërit që i nderojnë, kolegët dhe ata mund të japin kontributin e tyre në vendin e vet. Ky është vendi dhe thirrja e tyre. Si e thotë edhe fjala, më mirë të jesh i pari në fshatin tënd se i fundit në Romë.

Sa duhet të bëhen pagat e mësimdhënësve në Kosovë?

Aq sa e kanë ehe fqinjët ne Mal të zi, bie fjala. 800 euro minimale. Puna në arsim tashmë është bërë e vështirë, ka shumë kërkesa, ka shumë angazhim dhe një pjesë të madhe ka kosto shtesë. Institucionet tona nuk kanë mundësi të plotësojnë nevojat e mësimdhënësve, prandaj unë vazhdimisht shohë mësimdhënës që me paratë e veta përgatisin materiale, printojnë, blejnë pajisjeje dhe mjete pune nga buxheti i vet, në mënyrë që të ofrojnë orë mësimore dhe materiale sa më të mira. Edhe blerja e librave, literaturës, blerja e programeve dhe softruerve që i duhen mësuesit për zhvillim profesional është i kushtueshëm, ndërsa rroga aktuale është rrogë e fukarallëkut për mësues. Kjo qasje e lë gjithnjë mësuesin e varfër dhe një mësues i varfër është edhe i pamotivuar edhe i pa respektuar.

 

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Argjent Latifi nga Podujeva diplomon në njërin prej universiteteve më të njohura në Londër

I riu kosovar Argjent Latifi, me origjinë nga qyteti i Podujevës, është bërë tashmë...

Thyhet akulli, zv.ministri i Arsimit takon Rrahman Jasharaj – flasin për koeficientin e pagave

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, duke iu përgjigjur ftesës, u takua me zëvendësministrin e...

ANKETA: Edukimi Medial të vendoset si lëndë obligative në shkollat e Kosovës

Duke pasur parasysh që konsumues të përmbajtjeve të mediave online janë të gjithë, përfshirë...

Zyrtarja e MASHTI-t: Arritëm ta ulim çmimin e teksteve shkollore, shtëpitë botuese ishin kundër

Kryetarja e Komisionit për negocimin e teksteve shkollore, Merita Januzaj është intervistuar për rreth...