Nisi punën në arsim në vitin 1990, dhe ka plot 35 vjet përvoje pune. Tani është drejtor në shkollën e fshatit Mushnikovë të Prizrenit. Fjala është për Sedat Bajramin. Ai në një intervistë për AlbanianEucation.net flet për jetën përkshtuar ndaj arsimit shqip, për shkollën që udhëhq dhe rrëfen ngjarje të veçanta ndër vite me nxënësit.
Drejtori Sedat flet edhe për pagat e mësimdhënësve, ku thotë se ato duhet të jenë motivuese në mënyrë që të mund të plotësohen standardet minimale për jetesë.
Lexoni të plotë intervistën me Sedat Bajramin, drejtor i shkollës “Mushnikova”, dhënë për AlbanianEducation.net:
Një CV e juaja, që t’iu njohin lexuesit tonë më shumë?
Jam Sedat Bajrami, i lindur më 28 tetor 1967 në Mushnikovë Komuna e Prizrenit. Shkollën fillore e kam mbaruar në Mushnikovë, ndërsa shkollën e mesme dhe fakultetin në Prizren, ku kam përfunduar Fakultetin e Edukimit – Programi fillor. Kam filluar karrierën time në arsim që në vitin 1990, pra kam 35 vjet përvojë pune në këtë fushë.
Sa është numri i nxënësve dhe mësimdhenesve në shkollën tuaj?
Shkolla “Mushnikova” ka gjithsej 154 nxënës, përfshirë edhe paralelen e ndarë në Gornje Selle. Stafi arsimor përbëhet nga 17 mësues, 4 punëtorë teknikë dhe 1 drejtor, duke arritur një total prej 22 punonjësish.
Sa është e vështirë sot të udhëqësh një institucion shkollor? Cilat janë sfidat?
Jam drejtor shkolle që nga 1 shkurti 2002, duke e ushtruar këtë detyrë për një periudhë 23-vjeçare deri më sot. Gjatë këtij mandati, kam hasur në shumë sfida, njëra prej të cilave ka qenë mungesa e një objekti shkollor të përshtatshëm. Ky objekt, pra shkolla në të cilën jemi sot, është ndërtuar me ndihmën e KFOR-it gjerman dhe me kontributin e banorëve të fshatit. Në atë kohë, kam pasur nderin të jem edhe kryetar i fshatit, prandaj mund të them se gjithçka ka nisur nga e para, duke punuar pa ndihmën e mundësive të mëdha, por me vullnet dhe dëshirë që të kemi një objekt shkollor ku do të zhvillohet mësimi në gjuhën e bukur shqipe.
Një nga sfidat më të mëdha ka qenë sigurimi i donatorëve për të realizuar ndërtimin e një shkolle me standarde moderne. Kjo ka kërkuar përpjekje të vazhdueshme për të gjetur mbështetje financiare dhe për të garantuar investime të qëndrueshme. Gjithashtu, ka pasur mungesë kabinetesh të specializuara për lëndët shkencore dhe aktivitete të tjera edukative, si dhe ka qenë një sfidë e vazhdueshme gjetja dhe sigurimi i investitorëve për të plotësuar këto nevoja dhe për të përmirësuar infrastrukturën e shkollës. Megjithatë, përpjekjet tona vazhdojnë dhe ne jemi të vendosur të ofrojmë një mjedis arsimor cilësor për nxënësit tanë.
Mund të na veçoni ndonjë ngjarje interesante me nxënësit që vlen të theksohet? Po, ndonjë histori të veçantë me koleget-ët tuaj?
Një nga momentet më të veçanta dhe të paharruara në historinë e shkollës sonë është ngjarja që ndodhi në janar të vitit 1991, kur mësuesit dhe prindërit e nxënësve refuzuan të punonin me planet dhe programet e arsimit të dikurshëm serb. Si pasojë, nxënësit dhe mësuesit u dëbuan nga klasat dhe shkolla e tyre. Për këtë arsye, procesi mësimor u organizua dhe zhvillua në hapësirat e vakëfit (xhamisë) së fshatit në Mushnikovë. Në këto kushte të vështira, rreth 200 nxënës ndoqën mësimin në gjuhën shqipe, deri në përfundimin e luftës në Kosovë 1999.
Vlen të theksohet se ky institucion ka ofruar mësim vetëm në gjuhën shqipe që nga viti 1971, duke mbajtur kështu një traditë të fortë dhe të pandërprerë të edukimit në gjuhën e nënës, edhe në periudhën më të vështirë të historisë sonë.
Sa duhet të jetë vlera e koeficientit të pagave sipas jush?
Vlera e koeficientit të pagave të mësuesve duhet të jetë e përshtatshme për të reflektuar rëndësinë e profesionit të mësuesit, si dhe për t’i siguruar atyre një kompensim të drejtë dhe motivues për punën e tyre të palodhur. Sipas meje, vlera e koeficientit duhet të jetë 12, në mënyrë që të mund të plotësohen standardet minimale për jetesë. Sidomos për ata që janë udhëheqës, pagat duhet të jenë të tilla që të pasqyrojnë edhe përgjegjësitë shtesë që sjell ky rol, pasi të jesh udhëheqës është një përgjegjësi e madhe dhe kërkon angazhim të jashtëzakonshëm.
Për fund, mesazhi juaj për Ministrinë e Arsimit?
Mesazhi për Ministrinë e Arsimit është që të njohë dhe vlerësojë rëndësinë e profesionit të mësuesit dhe të sigurojë kushte të përshtatshme për ata që kontribuojnë në zhvillimin e brezave të ardhshëm. Pagat e mësuesve duhet të jenë të drejta dhe motivuese, duke reflektuar përgjegjësitë e larta që lidhen me këtë profesion dhe duke siguruar një nivel jetese të denjë për ta. Po ashtu, është e rëndësishme që të ofrohen mundësi për zhvillim profesional dhe mbështetje të vazhdueshme, sidomos për ata që mbajnë pozita udhëheqëse, të cilët kanë përgjegjësi shtesë në menaxhimin e proceseve edukative. / AlbanianEucation.net