Gazetona Online që merret ekskluzivisht me fushën e arsimit, AlbanianEducation.net ka realizuar një intervistë me Sakip Kryeziu, drejtor i shkollës “Isa Boletini”, në qytetin e Rahovecit.
Drejtori Sakip i cili del në pension pas dy vitesh, në këtë intervistë tregon sa është e vështirë të udhëheqësh një institucion arsimor. Ai kujton dhe kohën kur e kapi ditarin për herë të parë, emocionet që kishte atë kohë, rrëfen ngjarje interesante me me nxënësit, ndërsa flet edhe për tema tjera, si për vlerën e koeficientit të pagave, dhe ka një kërkese për Ministrinë e Arsimit.
Një CV e juaja, që t’iu njohin lexuesit tonë më shumë?
Unë quhem Sakip Kryeziu i lindur më 14.07.1961 në Rahovec, shkollën fillore dhe të mesme e kam përfunduar në Rahovec, Fakultetin e shkencave matematiko-natyror- Dega e Gjeografisë e kam përfunduar në Prishtinë, dhe masterin në Prishtinë.
Sa është numri i nxënësve dhe mësimdhenesve në shkollën tuaj?
Në shkollën tonë numri i nxënësve për vitin shkollor 2024/25 është 1030, dhe i mësimdhënësve është 67 dhe numri gjithsej i punëtorëve 77. Procesi edukativo- arsimor organizohet në 3 nivele: arsimi parafillor 5 paralele, arsimin fillor 25 paralele, dhe arsimi i mesëm i ulët 20 paralele, gjithsej në nivel të shkollës 50 paralele.
Keni disa vite që ushtroni pozitën e drejtorit. Sa është e vështirë sot të udhëqësh një institucion shkollor? Cilat janë sfidat?
Pozitën e drejtorit e ushtroj që nga viti 2006, dhe jam shumë i privilegjuar të e përfundoj mandatin deri në vitin 2026.
Sot duke u mbështetur në vitet e mëhershme sa i përket udhëheqjes ka ndryshime esenciale, kushtet janë më të mira të punës, bashkëpunimi dhe kolegialiteti është më i lartë, (krijimi i marrëdhënieve dhe raporteve demokratike), me qëllime dhe vizione të përbashkëta në aplikimin e strategjive dhe metodologjive bashkëkohore të mësimdhënies dhe mësimnxënies, në shkollën tonë kemi qeverisje profesionale, e fortë dhe parimore, stimulime pozitive, rregulla të qarta dhe të drejta të disiplinës, përcjellja dhe vlerësimi i suksesit dhe i përparimit (vlerësimi dhe përcjellja e suksesit të nxënësve dhe vlerësimi dhe përcjellja e suksesit të mësimdhënësve), partneriteti shkollë-familje, dmth: angazhimi i prindërve në punën e shkollës, dhe gjithsesi një qeverisje profesionale; e fortë dhe parimore me qasje të bashkëpunimit dhe kooperimit.
Kur e don një profesion dhe se ke një vizion dhe strategji të qartë për shkollën dhe mendoj që e gjen çelësin e suksesit, duke e lidhur të kaluarën me të tashmen, dhe të tashmen me të ardhmen.
Do të na thuash për fillimin e punës si mësimdhënës? Si e kujtoni kur keni kapur ditarin për herë të pare, ç’ndjenjë ishte për ju?
Si mësimdhënës për kujtesën kur e kam kapur ditarin për herë të pare, ishte një ndjenjë shumë e veçantë, jam i punësuar në vitin 1988 në kuvendin komunal si shërbyes, ndërsa në arsim kam filluar punën në vitin shkollor 1990-91, koha kur u ndamë nga ish sistemi dhe kur u deklaruam të punojmë me plan dhe program të Republikës së Kosovës.
E kishim vetëm një ditar origjinal (një ditar mostër), dhe të gjitha paralelet të tjera duheshim të i përgaditim për ditar pune në fletoret A/4. Ishim me ndjenjë shumë të veçantë si mësimdhënës kur e kapnim ditarin atë të vetmin original, por ishim shumë të motivuar të punojmë për kultivimin e rritjes së detyrave kombëtare dhe ato profesionale që ta ruajmë dhe mbajmë arsimin shqip.
Mund të na veçoni ndonjë ngjarje interesante me nxënësit që vlen të theksohet? Po, ndonjë histori të veçantë me koleget-ët tuaj?
Janë shumë raste, po e veçoj një: ishim në zhvillim të orës mësimore dhe një moment gjuajnë me gurë nga jashtë disa fëmijë të nacionalitetit serb, thehet xhami dhe i bie nxënësit në klasë pranë kokës, nxënësi shpëtoi por të gjithë u shqetësuam, gjithashtu edhe unë e ndjeva shqetësimin, arrita që ta evitoj këtë shqetësim me një ndjenjë frymëzimi për trasimin e rrugës sonë kombëtare që të arrijmë të shtrenjtën liri dhe pavarësi duke e shënuar si një sacrifice, u eliminua shqetësimi me një duartrokitje nga nxënësit.
Shumica e mësimdhënësve janë të pakënaqur me pagat që marrin. SBASHK ka nisur një peticion ku mësimdhënësit po deklarohen nëse janë pë veprime sindikale nëse s’ka dialog SBASHK-MASHT? A ka ardhur ky peticion në shkollën tuaj dhe e mbështetni apo jo?
Është e vërtetë pagat e mësimdhënësve tashmë janë jo të arsyeshme, inflacioni është shumë i lartë, një arsimtar me pagën e tij nuk mund të zhvillojë një jetë normale që ti përmbush kërkesat e familjes. Edhe në shkollën tonë nga dega e sindikatës së shkollës SBASHK-u ka filluar peticioni i nënshkrimeve të anëtarësisë duke i mbështetur veprimet sindikale.
Sa duhet të jetë vlera e koeficientit të pagave sipas jush?
Vlera e koeficientit është thjeshtë të thuhet: vetëm le të mbështeten me koeficientin e të ardhurave të kolegëve tanë të Shqipërisë dhe çdo gjë do të jetë në rregull. Paga e bën më të dinjitetshëm secilin prej nesh.
Për fund, mesazhi juaj për Ministrinë e Arsimit?
Mesazhi për Ministrinë e Arsimit: puna jonë është një mision shumë fisnik, qëllimi ynë është që të kontribojmë në ngritjen dhe emancipimin e brezit të ri, me arsim e ndryshojmë të ardhmen, prandaj mendoj se Ministria duhet pa kompromis të na ofrojë përkrahje të kërkesës sonë të drejtë dhe të merituar. /AlbanianEducation.net/.