Pranvera Laçi, një mësuese me përvojë nga Shqipëria, prej më shumë se një dekade jeton në Liverpool ku ka ndjekur kualifikime të reja dhe ka dhënë kontribut vullnetar në disa shkolla.
Me dashurinë për gjuhën dhe kulturën e saj, ajo themeloi më 1 qershor 2024 shkollën shqipe “Pjetër Budi” për të ruajtur identitetin shqiptar te fëmijët e diasporës.
Në një intervistë për AlbanianEducation.net, mësuesja Pranvera rrëfen historinë e saj dhe misionin pas kësaj nisme.
Lexoni intervistën e plotë me Pranvera Laçi, themeluese e shkollës shqipe “Pjetër Budi”, Liverpool:
Na tregoni shkurt për veten tuaj?
Unë jam Pranvera Laçi me profesion mësuese. Kam përfunduar studimet e larta për mësuesi në Shqipëri dhe kam disa vite përvojë si mësuese atje. Prej vitit 2011 jetoj në Liverpool, ku kam ndjekur kualifikime të ndryshme në fushën e arsimit si dhe kam dhenë kuntributin vullnetar në disa shkolla.
Si lindi ideja e hapjes së shkollës shqipe “Pjetër Budi” në Liverpool dhe si funksionon ajo?
Me 1 Qershor të vitit 2024, me mbështetjen e financiare te bashkëshortit, perkrahjen e prindërve dhe komunitetit, themelova shkollën shqipe “Pjetër Budi” në Liverpool, një iniciativë që lindi nga dëshira për të ruajtur gjuhën dhe kulturën shqiptare te fëmijët tanë që rriten në diasporë. Aktualisht, shkolla jonë numëron 25 nxënës, grupmosha 5-15 vjeç dhe një staf të përkushtuar prej 2 mësuesish dhe 2 asistentësh vullnetarë shumica prej të cilëve punojnë vullnetarisht. Gjithçka mbahet gjallë falë përkushtimit të prindërve dhe komunitetit. Mësimet zhvillohen çdo të shtunë për dy orë dhe përfshijnë gjuhën shqipe, historinë, kulturën dhe vallet tradicionale
Sa sfiduese është të udhëheqësh një institucion arsimor në diasporë?
Të udhëheqësh një institucion shkollor në diasporë është një sfidë e madhe – mungesa e mbështetjes institucionale, burimet e kufizuara dhe nevoja për të përputhur oraret me angazhimet e prindërve janë disa nga vështirësitë kryesore. Megjithatë, kur shohim përparimin e fëmijëve, dëshirën e tyre për të ardhur çdo të shtunë në shkollë dhe mirënjohjen e prindërve, çdo lodhje kthehet në motivim.
Cili është mesazhi juaj për Ministrinë e Arsimit në Shqipëri dhe Kosovë?
U bëj thirrje institucioneve tona që të mos e harrojnë diasporën. Kemi nevojë për mbështetje konkrete: libra, materiale mësimore, trajnime për mësuesit dhe ndihmë financiare për të zhvilluar projekte që ruajnë gjuhën dhe kulturën shqipe. Ne nuk kërkojmë shumë – vetëm të ndihemi të përfshirë dhe të vlerësuar për punën vullnetare që bëjmë në emër të kombit.
Mesazhi juaj për prindërit shqiptarë që jetojnë në Angli, veçanërisht ata në zonën e Liverpool-it?
Prindër të dashur, ruajtja e gjuhës dhe kulturës nuk është një luks, por një nevojë. Fëmijët tanë rriten në një realitet shumëkulturor, por është detyra jonë t’u japim atyre edhe rrënjët. Ftoj të gjithë prindërit në zonën e Liverpool-it dhe përreth që t’i bashkohen shkollës sonë. Nuk është vetëm një klasë, por një hapësirë dashurie, krenarie dhe përkatësie shqiptare.
Faleminderit nga zemra gazetës Albanian Education për hapësirën e dhënë dhe për vëmendjen ndaj punës sonë në diasporë.
Vlerësojmë shumë mbështetjen tuaj në përhapjen e zërit të shkollës shqipe “Pjetër Budi” në Liverpool dhe për forcimin e lidhjeve mes komunitetit shqiptar jashtë atdheut dhe institucioneve tona kombëtare.
Së bashku ruajmë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë!