Me një përvojë 35-vjeçare në arsimin fillor, mësuesja Venera Caka nga Gjakova, që nga dita e parë kur mori ditarin në dorë, e deri sot, dedikimi për nxënësit dhe dashuria për profesionin kanë mbetur shtylla kryesore të punës së saj.
Mësuesja Venera në një intervistë për AlbanianEducation.net rrëfen rrugëtimin e saj, kujtimet më të veçanta, sfidat e arsimit në Kosovë dhe mesazhin e saj për prindërit e institucionet arsimore.
Një prezentim i shkurtës, CV juaj ?
Kam lindur me 2 mars 1968, në Gjakovë. Shkollën fillore, të mesme dhe SHLP-në i kam kryer në vendlindje. Më pas, kam ndjekur edhe dy vite Fakultetin e Edukimit, pa shkëputje nga puna.
Me 12 shtator 1990 kam filluar punën në SH.F “ Mazllum Këpuska” në Gjakovë, si mësimdhënëse e ciklit të ulët.
Pas mbarimit të luftës na u ofruan mundësitë për të ndjekur trajnime të ndryshme me qëllim të ngritjes profesionale. Edhe unë, sikur shumë kolege tjera, kam marrë pjesë në një numër të konsiderueshëm të trajnimeve e në disa prej tyre arrita të bëhem edhe trajnere.
Nga viti 2013 shkolla jonë “Mazllum Këpuska”, për shkak të mungesës së hapësirës është ndarë në dy shkolla, kështu që cikli i ulët kaloi në shkollën e re “Këlmend Rizvanolli” ku edhe sot vazhdoj të jap kontributin tim si mësimdhënëse.
Kur keni kapur ditarin për herë të parë, çfarë ndjenje ishte për ju?
Punën e kam filluar në moshën 22 vjeçare. Ishte ndjenjë e papërshkrueshme. Ëndrra ime e fëmijërisë po bëhej realitet. Aq sa ndjeja lumturi poaq ndjeja edhe përgjegjësi. Gjithmonë mundohesha të jepja më të mirën nga vetja në mënyrë që ato fytyra të pafajshme të nxënësve të ishin të buzëqeshura dhe të motivuara për mësim.
Vitet e para të punës time ishin shumë të vështira. Në atë kohë, në vitet e 90 ta, u përballëm me helmimet e nxënësve, mbylljen e shkollave të mesme dhe fakulteteve si dhe dhunën e vazhdueshme që ushtronte pushteti i atëhershëm serb mbi popullin tonë. Ishin vite të vështira, por asnjëherë nuk mungoi motivimi, gatishmëria dhe angazhimi i vazhdueshëm për të mbajtur gjallë shkollën shqipe.
A mund të na tregoni një rrëfim që nuk do ta harroni që ju ka ndodhur, qoftë me nxënës apo kolegë?
Gjatë punës time 35 vjeçare kam kaluar shumë çaste të bukura me nxënës, ashtu sikur kemi pasur edhe çaste të vështira. Përveç çmimeve që i kemi fituar në aktivitete të ndryshme, ngjarje e paharruar në jetën time do të jetë takimi me shkrimtarin Dritëro Agolli.
Në klasën e pestë kemi mësuar tregimin “Ujku” nga Dritëro Agolli. Tregimi paraqiste ngjarje nga jeta e autorit, por i mungonte fundi i tregimit. Për ta kuptuar vazhdimin e ngjarjes, bashkë me nxënësit kërkuam përgjigje nga autori duke i shkruajtur letër. Për çudinë tonë, pas 10 ditësh na erdhi letra me përgjigje nga dora e shkrimtarit. Atë moment nuk do ta harroj kurrë.
Me 8 janar 2014, bashkë me nxënësit jemi pritur në shtëpinë e shkrimtarit Dritëro Agolli në Tiranë. Ky takim do të mbetet ngjarja më e bukur në jetë time dhe të nxënësve.

Sa është e vështirë sot të jesh mësimdhënës/e?
Në periudha të ndryshme kohore arsimi në Kosovë ka pasur vështirësitë e veta.
Në vitet e fundit profesioni i mësimdhënësit e ka humbur peshën dhe vlerën që kishte dikur.
Megjithatë ende kemi mësimdhënës/e të devotshëm, të cilët përkundër vështirësive të shumta, punojnë me nderë dhe përgjegjësi.
Sa duhet të jetë paga e një mësimdhënësi/e për të jetuar dinjitetshëm në Kosovë?
Profesioni i mësimdhënësit është i shenjtë, prandaj duhet të trajtohet si i tillë. Duke u nisur nga ajo që baza materiale ndikon në mirëqenien e çdo njeriu, edhe mësimdhënësve duhet t’iu ofrohet mundësia për të pasur jetë të dinjitetshme.
Për fund, jeni për testimin apo jo të mësimdhënësve?
Testimi i mësimdhënësve është bërë temë bisedash tash e sa kohë. Testimi nuk do të ndikojë në përmirësimin e rezultateve në arsim. Vlerësimi i vazhdueshëm i mësimdhënësve dhe në mënyra të ndryshme nga personat kompetent do të ndikonte në rritjen e ndërgjegjësimit dhe përmirësimit të rezultateve.
Mesazhi juaj për prindërit, por dhe MASHT-in?
Prindërit janë bashkëpunëtorët tanë të pandashëm. Fëmijët kalojnë faza të ndryshme gjatë shkollimit, prandaj të qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me mësimdhënësit dhe të krijojnë raporte mirëbesimi mes vete.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara