Me mbi një dekadë përvojë në arsim, Sadbere Rexhepi-Latifi përfaqëson figurën e mësimdhënëses së përkushtuar, e cila edukimin e sheh si mision dhe përgjegjësi shoqërore. E formuar në Gjuhë dhe Letërsi, me specializim në edukimin parashkollor dhe udhëheqjen në arsim, ajo ka ndërtuar një profil profesional të pasur dhe të qëndrueshëm.
Në një intervistë për AlbanianEducation.net, ajo ndan përvojat, sfidat dhe emocionet që e shoqërojnë rrugëtimin e saj si mësuese.
Lexoni të plotë intervistën me mësuesen Sadbere Rexhepi-Latifi:
Një prezantim i shkurtër, CV-ja juaj?
Jam mësimdhënëse me 11 vite përvojë në arsim. Punën time e kam nisur për herë të parë në Shkollën Fillore “Shefki Latifi” si mësimdhënëse, ndërsa aktualisht ushtroj detyrën e edukatores në IP “Armela” ne Podujeve.
Rrugëtimin profesional e kam filluar në moshën 23-vjeçare. Studimet i kam përfunduar në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë, ndërsa më pas kam vazhduar edukimin në fushën e arsimit parashkollor, duke besuar se themeli i dijes ndërtohet që në fëmijërinë e hershme.
Kam ndjekur 300 orë trajnim për punë me nxënës me nevoja të veçanta dhe kam përfunduar gjithashtu studimet për udhëheqje në arsim.
Përveç mësimdhënies, jam e angazhuar edhe në shkrim letrar. Kam shkruar ese dhe vjersha, për të cilat jam shpërblyer me disa çmime dhe vlerësime, përfshirë edhe një vlerësim nga shkrimtari i madh Ismail Kadare, si dhe çmime të para në recitim dhe çmime për ese, ndër to edhe esenë “Kyrbeti”. Si dhe vlerësimi nga Zekeria Cana, i cili më vlerësoi për vjershën “Monolog Kulle” Besoj se përmes edukimit dhe përkushtimit mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët.
Kur keni kapur ditarin për herë të parë, çfarë ndjenje ishte për ju?
Ishte një ndjenjë shumë e fortë dhe emocionale. Ndjeva një përzierje gëzimi, frike, përgjegjësie dhe krenarie. Në atë moment e kuptova se po fillonte një kapitull i ri i jetës sime, ku nuk isha më vetëm studente, por mësuese me një mision të madh: të edukoj dhe të formoj fëmijë. Ajo ndjenjë më shoqëron edhe sot.

A mund të na tregoni një rrëfim që nuk do ta harroni, që ju ka ndodhur me nxënës apo kolegë?
Një nga momentet më të paharrueshme ishte kur një nxënës që kishte vështirësi të mëdha në të nxënë dhe mungesë besimi në vetvete, pas një periudhe pune dhe mbështetjeje, më tha: “Mësuese, tani e di që mundem.” Këto fjalë më kujtuan se mësimdhënia nuk ka të bëjë vetëm me libra e nota, por me ndërtimin e vetëbesimit dhe shpresës tek fëmijët. Edhe bashkëpunimi dhe mbështetja nga kolegët kanë qenë gjithmonë një forcë e madhe për mua.
Sa është e vështirë sot të jesh mësimdhënës/e?
Të jesh mësimdhënës sot është sfiduese. Përveç procesit mësimor, mësuesi përballet me ngarkesa administrative, ndryshime të shpeshta në sistemin arsimor dhe me sfida sociale e emocionale të nxënësve. Kërkohet shumë durim, përkushtim dhe përgatitje e vazhdueshme. Megjithatë, pavarësisht vështirësive, ky profesion mbetet ndër më fisnikët.
A jeni të kënaqur me pagat si mësimdhënëse?
Edhe pse ka pasur përmirësime, mendoj se pagat ende nuk e pasqyrojnë sa duhet rëndësinë dhe përgjegjësinë që mbart profesioni i mësimdhënësit. Një vlerësim më i drejtë financiar do të ishte një motivim shtesë dhe një investim i drejtpërdrejtë në cilësinë e arsimit.
Mesazhi juaj për Ministrinë e Arsimit dhe prindërit?
Mesazhi im për Ministrinë e Arsimit është që të vazhdojë mbështetjen për mësimdhënësit, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë material, sepse mësuesi është shtylla kryesore e arsimit.
Ndërsa për prindërit, mesazhi im është që bashkëpunimi i vazhdueshëm me shkollën është çelësi i suksesit të fëmijëve. Vetëm së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për ta.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara