Nafije Kelmendi është mësuese në shkollën “Asdreni” në Pejë, me një përvojë të pasur në mësimdhënie dhe në zhvillimin profesional të mësimdhënësve. Ajo është gjithashtu trajnere e certifikuar për kurrikulën, me fokus në mendimin kritik dhe vlerësimin në klasat e ulëta.
Në një intervistë për AlbanianEducation.net, ajo thekson se për këtë vit shkollor synon të krijojë një atmosferë motivuese, ku nxënësit mësojnë me kuptim, zhvillojnë mendimin kritik dhe ndihen të vlefshëm. Teknologjia, metodat bashkëpunuese dhe aktivitetet kreative do të jenë pjesë kyçe e orëve të saj.
Një CV e juaja që të ju njohin lexuesit tonë më shumë?
Unë jam Nafije Kelmendi, mësuese në shkollën “Asdreni”, në Pejë me diplomë Bachelor në Edukim Fillor dhe trajnere e kurrikulës, Zhvillimi i mendimit kritik gjatë të lexuarit dhe të shkruarit, si dhe Vlerësimin e Leximit në Klasat e Ulëta. Kam përvojë në mësimdhënie dhe në zhvillimin profesional të mësimdhënësve, duke përshtatur kurrikulën sipas nevojave të nxënësve. Gjatë punës si mësuese kam planifikuar dhe zhvilluar orë mësimore në përputhje me kurrikulën, kam përdorur metoda bashkëkohore për të rritur angazhimin e nxënësve dhe kam bashkëpunuar ngushtë me prindër dhe kolegë për të përmirësuar rezultatet e tyre. Si trajnere e kurrikulës kam organizuar dhe udhëhequr trajnime për mësimdhënësit, kam hartuar materiale profesionale dhe kam monitoruar zbatimin praktik të kurrikulës. Aftësitë e mia kryesore përfshijnë edukimin fillor, zhvillimin dhe përshtatjen e kurrikulës, trajnimin dhe mentorimin e mësimdhënësve, komunikimin efektiv me nxënës e prindër dhe përdorimin e teknologjisë në mësimdhënie. Kam përfunduar trajnime të ndryshme profesionale, përfshirë certifikatën për Trajnere të Kurrikulës.
Jam autore e librit Njeriu dhe Natyra për shtëpinë botuese Pegi në Tiranë.
Çfarë planifikoni të bëni të themi ndryshe në vitin e ri shkollor?
Për këtë vit shkollor planifikoj të krijoj një atmosferë motivuese dhe të përqendrohem në zhvillimin e aftësive të nxënësve. Qëllimi kryesor është që nxënësit të mësojnë me kuptim, të zhvillojnë mendimin kritik dhe të ndihen të vlefshëm. Teknologjinë do ta përdor si mjet për ta bërë mësimin më interaktiv, praktik dhe të afërt me jetën reale. Do të sjell më shumë metoda bashkëpunuese dhe aktivitete kreative që nxisin pjesëmarrjen aktive të nxënësve. Duke kultivuar respekt, mirëkuptim dhe inkurajim të ndërsjellë.
Po bashkëpunimi me nxënësit dhe prindërit?
Do të bashkëpunoj me prindërit përmes komunikimit të rregullt dhe përfshirjes së tyre në zhvillimin e fëmijëve. Do të ofroj mbështetje individuale, motivim dhe mundësi të barabarta për secilin nxënës. Përmes vlerësimit të vazhdueshëm, duke parë jo vetëm notat por edhe progresin personal dhe përpjekjen.
Për fund, ç’rezultate pritni në fund të vitit shkollor?
Shpresoj të arrij rezultate te kenaqshme tek nxënësit, si në dije ashtu edhe në karakter.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara