E diel, 8 Shtator, 2024

INTERVISTË| Mësuesja Nadire Gashi nga Prishtina: Sot nuk vlerësohet figura e mësimdhënësit si dikur

- Advertisement1-

“Sot është shumë më vështirë se kohë më parë ta ushtrosh profesionin e mësimdhënësit. Më parë ka pasur respekt dhe është vlerësua mësimdhënësi!  Sot nuk vlerësohet, thuaja fare. Mësimdhënësi vetëm ofendohet si me qenë armiku i popullit. Po harrohet se të gjithë kanë arritur ngritje të ndryshme profesionale falë punës së mësimdhënsit”. Kështu thotë Naire Gashi, mësuese në shkollën “Iliria” në Prishtinë, në një intervistë për AlbanianEucation.net.

Në këtë intervistë mësuesja Nadire flet për kohën kur e kapi ditarin për herë të parë, për mësimdhënien gjatë kohës së paraluftës, për kohën tani, për pagat e për testimin apo jo të punëtorëve të arsimit.

- Advertisement -

Lexoni intervistën e plotë me mësuesen Nadire Gashi:

Një CV, prezentim që të ju njohin lexuesit më shumë?

Nadire (Sejdi) Gashi u lind, më 08.06.1967 në fshatin Busi, komuna e Prishtinë. Shkollën fillore 8-vjeçare  e mbaroi në  vendlindje, në paralelen e sh.f. “Avni Rrustemi”, në Busi (tani shkolla amë “Isa Boletini”).

Vitet e para të shkollës së mesme, i mbarova në QAMO “Sami Frashëri” (ish- Ivo Llolla Ribar) në Prishtinë, në vitin shkollor 1982-1984. Dy vitet e fundit të shkollimit të mesëm i mbarova në shkollën profesionale “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, drejtimi Ndërtimtaria e Lartë.

Studimet universitare i ndoqa në Shkollën e Lartë Pedagogjike  në Prishtinë, në degën Bazat e Arsimit Politeknik  (BAT) në vitin akademik  1986  ku  diplomova.

Në qershor të vitit 2015, mbarova me sukses studimet e AKM-së në Fakultetin e Edukimit, dega Teknologji dhe Informatikë.

- Advertisement -rrrrrrr

Në edukimin e brezit të ri fillova të punojë akoma pa i mbaruar studimet.
Ishte kënaqësi të punoj me nxënës ishte diçka e re, unë fillova që të punojë me ditar në dorë nga momenti kur arsimi shqip u pavarësua dhe po ballafaqohej me vështirësi të  natyrave të ndryshme.  Kurrë nuk u dekurajuam po e kishim një besim në vete se po bëjm punën tonë dhe po kontribojm për shtetin e ri të Kosovës, dhe një ditë do ta shohim suksesin e gjeneratave që po i aftësojm për ditë të mira, ku sot ato gjenerata i shohim në se cilin profesion. Për kundër vështirësive material në një anë dhe dhunës sistematike  të ushtruar nga aparati shtetëror serb ne nuk u ndalum për as një moment.

Ishte kënaqësi dhe krenari të punohet në kohën më të vështirë, pata fatin të punoj me  mësimdhënësit e mi, të cilët gjithmonë patën vetëm përshtypje të mira për mua. Burim i frymëzimit për të punuar ishte dhe familja e cila më përkrahu në çdo moment,edhe pse nuk ishte e lehtë për kohën në të cilën jetonim, por kishin ambicie që ta ndihmojn arsimin.

Pas disa viteve të punës, unë fillova jetën e re bashkëshortore prej vitit shkollor 1993 – 1996, në rrethinën e Bujanocit,  kontributi im nuk mbaroi me kaq. Unë udhëtova deri 130 km në ditë nga Bujanoci në fshatin Mramuer dhe Busi në kushte jo të mira të udhëtimit ku në se cilën ditë të punës udhëtova 7 km në këmbë. Pas një viti iu bashkua këtij udhëtimi edhe bashkëshorti im prof. Shemsedin Beqiri, me të cilin punova në të njëjtën shkollë për të dhënë ndihmesë në rezistencën gjithëpopullore kundër regjimit serbosllav, i cili atë botë hoqi të drejtat elementare të shqiptarëve në Kosovë dhe rrezikonte zhbërjen e qenies sonë kombëtare shqiptare. Prej vitit 1996 jetojë në Prishtinë. Sfidat e krijimit të familjes së re, përkushtimi në punë, ishin përkushtimet bazë për mua.  Nga  viti 1999, menjëherë pas mbarimit të luftës në Kosovë, transferohem me punë edukative në SHF “ILIRIA” në Prishtinë, ku punoj edhe sot aktualisht, duke përmbyllur me këtë vit shkollor,  vitin e 32-të  të karrierës në mënyrë dinjitoze në edukimin e brezave të rinj në Kosovën e pavarur.

Do të na thuash për fillimin e punës si mësimdhënëse? Si e kujtoni kur keni kapur ditarin për herë të parë, ç’ndjenjë ishte për ju?

Për herë të parë fillova punën si mësimdhënëse  në shkollën fillore “Meto Bajraktari” në Prishtinë ku ende isha studente e vitit të dytë. Kolektivi i shkollës më priti shumë mire edhe pse isha shumë e re në moshë. Kurr nuk mund ta harroj fillimin e punës sa ishte kënaqësi ishte edhe emocionale. Asnjë orë të praktikës nuk e kisha mbajtur. Isha për herë të parë me ditarë në dorë para nxënësve, ishte brenga ime se si do të paraqitem para tyre, si do ju sqaroj, sa do të më përcjellin gjatë orës mësimore,  sa jam e kjartë për punën që po e bëj.

Më kujtohet sikur të ishte ngjarje e afërt edhe njësia mësimore ku atëherë kanë qenë orët bloke (apo dy orë radhazi)!

Ndjenja më e mirë për mua ka qenë kur po atë vit shkollor u nda plani mësimor nga plani mësimor i mëparshëm, i ndikuar nga pushtuesi serb. Ishte një krenari që pata fatin të punoj me ata mësimdhënës që i thanë  jo planprogramit të pushtetit ku dhe nuk ka qenë e lehtë që të punohet.

Mund të na veçoni ndonjë ngjarje interesante me nxënësit që vlen të theksohet? Po, ndonjë histori të veçantë me kolegët-ët tuaj?

Gjatë shkuarjes në punë me kolegë kemi pasur shumë të papritura, kur na ndalonin policia dhe na  maltretonin, ka pas rast kur i kanë rrahur të rinjtë prezent neve, veç të na frikësojnë dhe me pa reagimin tonë. Kishte rast kur edhe gjatë udhëtimit në autobus hynin dhe na kontrollonin. Nuk u ndalëm nëpër çdo sfidë. Me vendosmëri vijuam të kontribojmë pa u ndalur fare.

Sa është e vështirë sot të ushtrohet profesioni i mësimdhënëses në Kosovë?

Sot është shumë më vështirë se kohë më parë ta ushtrosh profesionin e mësimdhënësit. Më parë ka pasur respekt dhe është vlerësuar mësimdhënësi!  Sot nuk vlerësohet, thuaja fare. Mësimdhënësi vetëm ofendohet si me qenë armiku i popullit. Po harrohet se të gjithë kanë arritur ngritje të ndryshme profesionale falë punës së mësimdhënsit. Edhe pse profesioni i mësimdhënësit nuk është vetëm që të përgatitë nxënësin për njohuri dhe të ketë një dokument, është më shumë këshillues dhe edukator. Ka shumë përzierje në profesionin e mësimdhënësit. Vite më parë, prindi nuk vinte në shkollë të kërkonte ndryshimin e notave të fëmijës së tij, siç vjen sot! Sot ka prind që kërkon numër e jo dije! Kritikon pse e angazhon nxënësin  në kryerjen e obligimeve ndaj shkollës!  Këtë veprim e bëjnë prindërit, pa marrë parasysh përgatitjen e tyre arsimore. Është më e këshillueshme të gjinden forma bashkëpunimi se si të tejkalohen vështirësitë në nxënie të fëmijëve të tyre.

Shumica e mësimdhënësve janë të paknaqur me pagat që marrin. Sa do të ishte paga ideale që meritojnë mësimdhënësit?

Puna dhe angazhimi i mësimdhënësit kurrë nuk është vlerësua sa meriton deri më tani. As edhe një motiv për punëtorin e arsimit! Nuk ka kushte të punës si thuhet e si paraqitet në rrjete të ndryshme elektronike. Sot është koha e teknologjisë së shek.21. Edhe sot në kryeqytet ka shkolla në të cilat shfrytëzimi i teknologjisë gati është i pamundur, meqë mungon rrjeti  funksional i internetit! Të mbaj mësim më kreativ, duke shfrytëzuar              teknologji bashkohore. Nuk financohet në këtë drejtim fare. Mbahen trajnime nga më të ndryeshme, por nuk munden të praktikohen përvojat e fituara aty në shkollat tona. Këtë duhet ta themi e jo ta fshehim dhe të krijohet përshtypja sikur gjithëçka po funksionon mirë. Në vitet e 90-të,  unë si mësimdhënëse e Teknologjisë, kam mbajt mësimin në kabinet me mjete dhe kam pasur material harxhues. Sot nuk mundemi me e realizua mësimin kabinetik për arsye se mungojnë mjetet e konkretizimit. Paga e mësimdhënësit është sikur të jetë rast social!  Na takon me ligj,por nuk realizohen të drejtat tona në pagesë të kontributeve.  Paditet shteti, që t’i realizojmë të drejtat tona! Paga minimale e mësimdhënësit duhet të jetë mbi 1000 euro.

Një pyetje që po vazhdon të mbetet aktuale në ditët e sotme është nëse duhet të testohen mësimdhënësit. Ç”mendim keni ju për këtë?

Mësimdhënësi është testuar derisa ka një diplomë. Nëse diploma është valide, atëherë pse të testohet. Mësimdhënësin duhet ta mbështesim, ta ndihmojmë që ta kryej punën ashtu si duhet dhe të ketë kushte për punë. Mësimdhënësi sot punon si në kohën kur ne kemi qënë nxënës. Mjet pune ka librin, tabelën, shkumësin në raste të rralla llaptopi. Jo pse nuk dinë ta përdorin aparaturën teknologjike, por ka mungesë. Jam që të testohemi, po u vlerësua nga ekspertët, pa paragjykime politike, siç po ndodhë, por shtrohet pyetje se kush mundet t’i testoj më mirë se aty ku kanë diplomuar. Kush qenka më i duhuri që ta vlerësojë mësimdhënsin?!  A kemi kuadro më të mira se mësimdhënësi, kur dihet se të gjithë ata që tregohen më të zëshëm, ata që ankohën dhe bëjnë zhurmë për testin e mësimdhënsit janë produkt i po këtyre mësimdhënësve!

©AlbanianEducation.net– Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

 

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Mësuesja Aurora Merxhani: Nxënësit e mi, premtoj se do të përpiqem të jem sa më e mirëkuptueshme dhe sa më shume njerëzore me ju

Të dashur nxënësit e mi! Suksese në këtë vit të ri shkollor!Me shpresën se do...

“Nga klasa e gjashtë nxënësi nuk i zgjedh vet mësuesit, por me kalimin e kohës i përzgjedh ata”

"Çdo histori suksesi e çdo nxënësi ka pas një shpirt frymëzues, një orientues profesionist...

Nxënësi Herolind Krasniqi nga Suhareka fiton medaljen e bronztë në Olimpiadën e Ekonomisë në Greqi

Olimpiada Ndërkombëtare e Ekonomisë ka përfunduar me një lajm të mrekullueshëm për Kosovën! EFI Kosova...

Nga Fiqiri Çifliku: Gjithmonë kur takohemi me njëri-tjetrin le të buzëqeshim, buzëqeshja është fillimi i çdo dashurie

“Në ditën e Shën Terezës si simbol i paqes, i ndihmës dhe mëshirës do...