Në një periudhë kur sistemi arsimor përballet me sfida të vazhdueshme, roli i mësuesit mbetet qendror në procesin arsimor. Në një intervistë për AlbanianEducation.net, mësuesja e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Miranda Agolli nga Tirana, flet për rrugëtimin e saj profesional, përvojën e ditës së parë në mësimdhënie, sfidat aktuale të profesionit, çështjen e pagave dhe nevojën për mbështetje institucionale në arsimin parauniversitar.
Lexoni të plotë intervistën me mësuesen Miranda Agolli dhënë për AlbanianEducation.net:
Një prezentim i shkurtër, CV juaj ?
Jam Miranda Agolli, mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën “Kongresi i Lushnjes” në Tiranë. Prej vitesh punoj në arsimin parauniversitar, duke e konsideruar mësimdhënien jo vetëm profesion, por mision.
Gjatë viteve të punës jam vlerësuar disa herë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, si dhe nga strukturat arsimore vendore, për kontributin tim në procesin mësimor dhe edukativ.
Një vlerësim i veçantë ka qenë angazhimi im gjatë periudhës së pandemisë, ku kam dhënë mësim në platformën e Radio Televizionit Shqiptar (RTSh), duke kontribuar në vazhdimësinë e arsimit në kushte të jashtëzakonshme. Krahas mësimdhënies, jam e përfshirë në aktivitete kulturore e letrare dhe kam qenë gjithmonë e përkushtuar ndaj përmirësimit të cilësisë së mësimit dhe formimit të nxënësve.
Kur keni kapur ditarin për herë të parë, çfarë ndjenje ishte për ju?
Ishte një ndjenjë përgjegjësie e përzier me emocion. Ditari për mua nuk ka qenë thjesht një dokument pune, por një “kontratë morale” me nxënësit. Që në atë moment e kam ndjerë se çdo orë mësimi mbart jo vetëm njohuri, por edhe ndikim në formimin njerëzor të fëmijëve që ke përballë.
A mund të na tregoni një rrëfim që nuk do ta harroni, që ju ka ndodhur me nxënës apo kolegë?
Ka shumë, por nuk do të harroj kurrë momentet kur një nxënës, pas vitesh, është kthyer dhe më ka thënë: ‘Mësuese, keni qenë e vetmja që më besuat se mund t’ia dal. Ju më bëtë të kem besim te vetja” ose “Fjala juaj më ka ndihmuar në një moment të vështirë”. Janë çaste që nuk maten me nota apo dokumente zyrtare, por që të bindin se mësuesi lë gjurmë të padukshme, por shumë të thella.

Sa është e vështirë sot të jesh mësimdhënës/e?
Sot, të jesh mësues është më e vështirë se kurrë, sepse përveç rolit edukues dhe mësimor, shpesh je i detyruar të përballesh me mungesë mbështetjeje, me nxënës me vështirësi në sjellje, sfida sociale, presione dhe keqkuptime, mungesë motivimi, probleme sociale apo emocionale, si edhe me prani të dobët të kufijve edukativë. Jo rrallë, mësuesi gjendet mes pritshmërive të larta, mungesës së mbështetjes institucionale dhe presionit nga faktorë të ndryshëm jashtë klasës. E, megjithatë, mësuesi vazhdon të jetë figura kyçe që përpiqet të mbajë ekuilibrin mes disiplinës, empatisë dhe mësimit cilësor, duke e kthyer çdo sfidë në një përpjekje për formim njerëzor dhe qytetar.
A jeni të kënaqur me pagat si mësimdhënëse?
Paga e mësuesit mbetet një çështje e ndjeshme. Ajo nuk përputhet gjithmonë me ngarkesën reale të punës, lodhjen fizike dhe emocionale, përballjen me nxënës të vështirë, menaxhimin e situatave të ndërlikuara në klasë, presionin e vazhdueshëm institucional, përgjegjësinë dhe përkushtimin që kërkon ky profesion.
Mësimdhënia nuk mbaron në orën e fundit të mësimit; ajo vazhdon në përgatitje, vlerësime, komunikim me prindërit dhe përgjegjësi të vazhdueshme. Prandaj, ekziston nevoja për një vlerësim më dinjitoz dhe më të qëndrueshëm të figurës së mësuesit. Pa një pagesë dinjitoze, është e vështirë të flitet për motivim dhe cilësi afatgjatë në arsim.
Mesazhi juaj për Ministrinë e Arsimit dhe prindërit?
Për Ministrinë e Arsimit, mesazhi im është i qartë: mësuesi ka nevojë për mbështetje reale, për siguri profesionale dhe për politika që e mbrojnë dinjitetin e tij. Arsimi nuk përmirësohet me presion, por me bashkëpunim dhe besim.
Për prindërit, do të thoja se shkolla dhe familja janë dy shtylla që nuk mund të funksionojnë të ndara. Kur prindi e respekton mësuesin, fëmija mëson të respektojë dijen. Vetëm përmes dialogut, mirëkuptimit dhe përgjegjësisë së përbashkët mund të edukojmë qytetarë të denjë për shoqërinë e së nesërmes.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara