Të martën e pesë dhjetorit janë publikuar rezultatet e testit të “PISA 2022”, ku Kosova është renditur në pozitën e 76-të për lexim, 77-të për shkencë dhe vendin e 74-të për matematikë nga 80 vende të botës si pjesëmarrëse. Pas publikimit tëkëtyre rezultateve reagimet ishin të mëdha, ashtu si edhe zhgënjimi.
Gazeta Online që i dedikohet plotësisht fushës së arsimit AlbanianEducation.net ka realizuar një intervistë me mësuesen Melisa Doberdoli të shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë e cila ndër të tjera flet edhe për PISA-n, ku thotë se nuk është koha të drejtohet gishti se kush është ‘fajtori’, por të ulen të gjithë akterët të bisedojnë dhe të gjejnë një zgjidhje se u po çalohet në testin PISA.
Mësimdhënësja Melisa në këtë intervistë tregon për shkollimin e saj, kohën kur e kapi ditarin për herë të parë, emocionet që kishte, për atë si e kalon një ditë në shkollë, ndërsa flet edhe për tema të tjera si; çështja e shumë përfolur e testimit apo jo të mësimdhënësve, si dhe pagave.
Lexoni të plotë intervistën me mësuesen Melisa Doberdoli dhënë për AlbanianEducation.net:
Një CV e juaj që të ju njohin lexuesit sa më shumë?
Jam e lindur në Prishtinë. Shkollën fillore e kam përfunduar në shkollën “Xhemail Mustafa”. Më pas kam vazhduar studimet në gjimnazin natyrorë “Xhevdet Doda”. Si një nxënëse shembullore dhe plot pasion për mësuesinë, në vitin 2015 vazhdova studimet bachelor në fakultetin e Edukimit, programi fillor. Për 4 vite me rradhë të studimeve rrëmbeva bursën universitare duke e bërë studente e dalluar të gjeneratës. Në vitin 2019, në afat rekord të studimeve diplomova në fakultetin e Edukimit, programin Fillor. Më pas, fillova studimet Master në fakultetin e Edukimit, Drejtimi “Mësimdhënia dhe kurrikula”. Këtu edhe njëherë dëshmova se puna gjithmonë shpërblehet, duke arritur që të rifitojë edhe njëherë bursën në nivelin Master me një mesatare 9.6.
Punën si mësuese e fillova në vitin 2019, në shkollën fillore “Dardania” ku dhe aktualisht jam mësuese e klasës së katërt.
Në vitin 2020, jam angazhuar në mësimin online për shkaqe të pandemisë Covid, ku përgatita njësitë mësimore në E-mësimin për fëmijët që mësonin në shtëpitë e tyre.
Kam pasion leximin, ecjen në natyrë dhe muzikën.
Si e keni parë rezultatin e PISA-s ku Kosova doli sërish tejet dobët?
Për rezultatet e dobëta në PISA, nuk mund të hedhim gisht në një target të caktuar. Mendoj që janë shumë faktorë, duke filluar nga kurrikula, tekstet shkollore (ka ende tekste shkollore që përmbajnë gabime, shumë njësi që nuk janë për moshën e nxënësve), struktura klasore (klasa nga 42 nxënës, që i bie 1 minutë për nxënës) etj, etj.
Në këtë situatë të krijuar, nuk është koha të drejtohet gishti nga dikush dhe të veshim atë me titullin “fajtor” mirëpo të ulemi të gjithë akterët së bashku dhe të gjejmë një zgjidhje se ku po çalojmë në këtë pjesë.
Do të na thuash për fillimin e punës si mësimdhënës?
Dita ime në mëngjes fillon qysh herët duke bërë përgatitjet e nevojshme për tërë ditën. Përgatitjet për orë mësimore, përgatitja e aktiviteteve për nxënës si dhe takimet/telefonatat me prindër zënë një pjesë të konsiderueshme të pjesës së paraditës. Pastaj fillon përgatitja për mësim si dhe takimi me nxënës. Kurse, pjesa e pasdites i dedikohet krysisht familjes dhe punëve personale të cilat i kam.
Si e kujtoni kur keni kapur ditarin për herë të parë, ç’ndjenjë ishte për ju?
Për herë të parë ditarin e kam marrë në dorë në muajin shtator të vitit 2019. Si e re në moshë, në fillimet e para mendoja që nuk do të arrija që t’ia dilja. Çdo moment mendoja që mos nuk po e jap maksimumin për nxënësit e mi dhe nuk po arrij që të transmetoj atë që unë dua. Duke e dashur shumë këtë profesion, me kalimin e kohës fillova që të ambientohesha dhe të merrja me qetësi gjërat. Falënderoj drejtorinë e shkollës, kolektivin që gjithmonë kanë qenë afër meje duke më këshilluar dhe besuar në mua dhe aftësitë e mija.
Mund të na veçoni ndonjë ngjarje interesante me nxënësit që vlen të theksohet? Po, ndonjë histori të veçantë me koleget-ët tuaj?
Me nxënësit kam shumë momente të veҫanta. Realisht, ҫdo ditë me ata është e veҫantë. Çdo ditë diskutojmë tema që janë dobiprurëse për ata, marrin këshilla nga unë si dhe mundohem maksimalisht që përpos mësimdhënies të ndjell tek ta edhe edukatën, butësinë dhe pozitivitetin.
Me koleget gjithashtu kemi momente të veҫanta së bashku ku përpiqemi që të ndajmë me njëra- tjetrën këshilla, aktivitete dhe gjëra të mira që janë dobiprurëse për nxënësit.
Sa është e vështirë sot të ushtrohet profesioni i mësimdhënësit në Kosovë?
Sot, të ushtrosh profesionin e mësimdhënësit po aq sa është e lehtë, është edhe e vështirë. Kur them e lehtë është sepse tani po përballemi me gjithëpërfshirjen e teknologjisë nëpër shkolla. Klasat janë të pajisura me kompjuter dhe projektor si dhe internet. Në kohë reale, nxënësit mund ta shohin atë që ti po shpjegon me anë të projektorit. Puna bëhet më e lehtë dhe njësia mësimore bëhet më e kapshme për nxënësit. Mirëpo kur them e vështirë, e them për faktin që klasat janë të mbingarkuara me nxënës deri në 42 nxënës brenda klasës dhe përfshirja e 42 karaktereve brenda një ore mësimore është shumë e vështirë. Kjo kërkon shumë durim, punë dhe angazhim maksimal.
Shumica e mësimdhënësve janë të pakënaqur me pagat që marrin. Sa do të ishte paga ideale që meritojnë mësimdhënësit?
Nuk ka pagë të saktë për mësimdhënësin… Mësimdhënësi luan rolin e prindit, psikologut, komedianit, kuzhinierit (sepse ҫdo herë në çantën e tij/saj ka diҫka për nxënësit që nuk e kanë ushqimin në klasë), flokëtarit, rrobaqepësit, mjekut, piktorit, këngëtarit, atletit etj. etj. Ka edhe shumë role të tjera që mësimdhënësit i merr mbi supet e veta brenda dites, atëherë le t’i kalkulojmë këto paga të këtyre roleve dhe do e gjejmë mesin e artë. Mësimdhënësi nuk ka ҫmim…
Një pyetje që po vazhdon të mbetet aktuale në ditët e sotme është nëse duhet të testohen mësimdhënësit. Ç’mendim keni ju për këtë?
Mësimdhënësit përpara se të arrijnë në pikën ku janë aktualisht, kanë hyrë në një mori testimesh. Mendohet që janë të aftë, të zotë për pozitën që kanë andaj e kanë fituar. Pse ka nevojë që të ritestohen përsëri?
Për fund, mesazhi juaj për ish-nxënësit, kolegët dhe për ministren Arbërie Nagavci?
Mesazhi im në fund për ish-nxënsit është që të ndjekin ëndrrat e tyre, të punojnë fortë për ëndrrat e tyre, si dhe të mësojnë sepse “Dituria është thesar, puna është ҫelësi”.
Kolegëve iu dëshiroj shëndet, suksese në punën e tyre që e kanë mision dhe të kenë parasysh që janë superheronj në jetët e shumë fëmijëve.
Ndërsa për ministrën znj.Nagavci i dëshiroj gjithashtu shëndet dhe i bëj apel që të krijoj reforma shkollore ku klasa duhet të ketë maksimumi 20 nxënës e jo sa i kemi aktualisht 40-42 nxënës. Një reformë e tillë është e domosdoshme për ne mësimdhënësit si dhe nxënësit, ku këtyre të fundit do u ipej më shumë kohë,angazhim dhe punë. /AlbanianEducation.net/.