E diel, 22 Shtator, 2024

INTERVISTË| Mësuesja Majlinda Berati: Profesioni i mësimdhënësit nuk po vlerësohet aq sa duhet

- Advertisement1-

Mësuesja nga Tirana, Majlinda Berati, në një intervistë për AlbanianEducation.net thotë se sot është bërë gjithmonë e më e vështirë të ushtrosh profesionin e mësimdhënësit, pasi me brezat e rinj përballesh gjithmonë me situata nga më të papriturat.

Ajo thotë se nga viti në vit, arsimi po bëhet më i vështirë, plotësimi i kushteve, numri i nxënësve në klasa etj, që sipas saj ndikojnë të gjitha nga pak për një mësimdhënie të mirë.

- Advertisement -

“Profesioni i mësuesit nuk po vlerësohet aq sa duhet”, thotë mësuesja Majlinda Berati.

Lexoni të plotë intervistën me mësuesen nga Tirana, Majlinda Berati:

Një CV, prezentim që të ju njohin lexuesit më shumë?

Unë quhem Majlinda Berati. Kam mbaruar shkollën e lartë dhe masterin profesional (2-vjeçar) dhe jam diplomuar për mësuesi në degën Gjuhë Shqipe-Letërsi. Është viti im i pestë i punës si mësuese dhe aktualisht jap mësim në shkollën 9-vjeçare “Hasan Vogli”. Kam kryer një sërë trajnimesh për të përftuar e për të mësuar akoma e më shumë në këtë rrugëtim që kam nisur, por dhe shumë të tjera më presin akoma.

Do të na thuash për fillimin e punës si mësimdhënëse? Si e kujtoni kur keni kapur ditarin për herë të parë, ç’ndjenjë ishte për ju?

Gjithçka çfarë mësohet në fakultet është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër fitohet me përvojë, eksperiencë e shkathtësi. Kam patur shumë frikë për të plotësuar një faqe ditari pavarësisht se në auditore çdo gjë ishte e qartë. Kam gjetur një frymë bashkëpunimi shumë të mirë në shkollat ku kam qenë praktikante përkatësisht në shkollën 9-vjeçare “Dhora Leka” dhe në gjimnazim e mesëm të përgjithshëm ” Sami Frashëri”. Hera e parë që më kanë thërritur mësuese ka qenë shumë emocionuese për mua. Mbase për mësueset e tjera nuk ka kaq shumë rëndësi por për mua ka qenë e do të jetë profesioni më i bukur në botë paçka se nuk është më i vlerësuari. Kur nxënësit thërrisnin mësuesen(mua) ndihesha sikur merrja energji pikërisht nga ta.

- Advertisement -rrrrrrr

Mund të na veçoni ndonjë ngjarje interesante me nxënësit që vlen të theksohet? Po, ndonjë histori të veçantë me kolegët-ët tuaj?

Ne çdo ditë krijojmë ngjarje interesante me nxënësit (duke qeshur), por do të theksoja një ngjarje me një nga koleget e mia ndër vite. Siç ishim mbledhur në sallën e mësueseve si ngahera, kolegia ime e cila ishte mësuese kimie, afrohet tek ne mësuesit e gjuhës dhe e pohon me zë të lartë që lënda juaj “ta shpif”. Siç qemë të gjitha, shtangëm për një çast. E revoltuar por njëkohësisht edhe e qetë pa u munduar ta kundërshtoja nisa të recitoja disa vargje të poemës “Bukuria” të Naim Frashërit. Mirëpo kjo poezi është kaq e bukur saqë mjaftuan vetëm disa vargje që edhe kolegen time ta bënte për vete. Mora regjistrin dhe doja të shkoja tek klasa por ajo më preu rrugën dhe mu lut t’i thoja autorin e atyre vargjeve. Besoj se ajo atë ditë e mori mësimin se nuk duhet të gjykosh kurrë të tjerët.

Sa është e vështirë sot të ushtrohet profesioni i mësimdhënëses në Shqipëri?

Sot është bërë gjithmonë e më e vështirë të ushtrosh profesionin e mësuesit pasi me brezat e rinj përballesh gjithmonë me situata nga më të papriturat. Mendoj që nga viti në vit, arsimi po bëhet më i vështirë, plotësimi i kushteve, numri i nxënësve në klasa etj. ndikojnë të gjitha nga pak për një mësimdhënie të mirë.

A janë të mjatueshme pagat që marrin mësimdhënësit në Shqipëri?

Nuk mendoj se paga është e mjaftueshme ballafaquar me standardin e jetesës. Profesioni i mësuesit nuk po vlerësohet aq sa duhet.

Çfarë do të ndryshoje në sistemin arsimor shqiptar?

Sa shumë gjëra do të doja të ndryshoja, duke filluar që nga regjistrat fizikë e deri tek dokumentet e tepërta. Nuk janë shkresat ato që tregojnë punën apo arritjet tona. Më vjen keq që çdo ministër arsimi që vjen, nxjerr ligje të reja. Shumë gjëra besoj kanë për të ndryshuar akoma por gjithmonë e më shumë do vështirësohen. Do doja që arsimi ynë të ishte më i thjeshtë/ i lehtë sepse nxënësit po ngarkohen gjithmonë e më shumë me stres.

Cili është mesazhi juaj/kërkesat për Ministrinë e Arsimit?

Thjeshtë do doja të hiqnin dokumentet e panevojshme që po shtohen dita-ditës dhe të krijojnë më tepër lehtësi në programet shkollore. Ta lehtësojnë arsimin dhe programet shkollore. Të krijojnë kushte pune nëpër shkolla nëse duan të shkojmë drejt arsimit digjital.
Shpresojmë të bëjmë progres në këtë anë dhe jo regres.

©AlbanianEducation Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Shkolla Shqipe “Alba Life” në Brooklyn të SHBA-së filloi vitin e ri akademik 2024-2025

Pas Fidanishtes së parë të Shkollave Shqipe në Staten Island, Brooklyni hapi dyert për...

Mërgata shqiptare do të financojë bursa për studentët nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut

Studentët e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të mund të aplikojnë deri...

Pensionohet mësimdhënësi Fadil Gashi nga Prishtina

Shkolla "Mitrush Kuteli" në Prishtinë ka njoftuar se është pensionuar mësimdhënësi Fadil Gashi, shkruan...

“Baza e suksesit në Gjermani e Zvicër”: Nxënësit të inkurajohen për arsimin profesional!

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se arsimi profesional shpesh paragjykohet nga prindërit, por theksoi...