INTERVISTË| Mësuesja Hamide Sopi: Kur kapa ditarin për herë të parë, ndjeva përgjegjësi dhe krenari që ma mbushi shpirtin

- Advertisement5 -

Me një përvojë të pasur dhe një dashuri të thellë për profesionin, mësimdhënësja Hamide Sopi në një intervistë për AlbanianEducation.net flet për rrugëtimin e saj në arsimin fillor, sfidat dhe kënaqësitë e të qenit mësuese sot.

- paragrafi 1 -

Në këtë intervistë, ajo flet për emocionet e para me ditarin në dorë, marrëdhënien e veçantë me nxënësit, bashkëpunimin me kolegët dhe prindërit, si dhe përkushtimin e palëkundur ndaj edukimit cilësor, pavarësisht vështirësive që shoqërojnë këtë profesion fisnik.

- Advertisement -

Poashtu flet edhe për çështjen e pagave, dhe jep një mesazh për prindërit.

Lexoni të plotë intervistën me Hamide Sopi, mësuese në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë:

Një prezantim i shkurtër – CV-ja juaj?

- Advertisement -

Jam Hamide Sopi, mësimdhënëse me përvojë shumëvjeçare në arsimin fillor, e angazhuar me përkushtim në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.
Gjatë karrierës sime kam marrë pjesë në shumë trajnime profesionale të organizuara nga MASHTI dhe organizata të ndryshme, në fusha si vlerësimi i nxënësve, mësimdhënia bashkëkohore, arsimi gjithëpërfshirës, menaxhimi i klasës dhe përdorimi i teknologjisë në mësimdhënie.
Gjithashtu kam qenë pjesë e grupeve punuese për rishikimin dhe analizën e teksteve shkollore të matematikës dhe jam vlerësuar me mirënjohje për kontributin tim në edukim.

Kur keni kapur ditarin për herë të parë, çfarë ndjenje ishte për ju?

Kur mbajta ditarin për herë të parë në duar, ndjeva një përzierje të fortë ndjenjash: përgjegjësi të madhe, një frikë të mirëfilltë, por edhe krenari që më mbushi shpirtin. Në atë moment e kupton që ke në duar jo vetëm një ditar, por edhe besimin e prindërve dhe të ardhmen e fëmijëve.
E dija që çdo faqe do të ishte një hap drejt të ardhmes së tyre dhe kjo më mbushte me një ndjenjë të thellë përgjegjësie.
Ishte fillimi i një rrugëtimi që kërkon shumë përkushtim, por që të jep kënaqësi të jashtëzakonshme.

608053928 1973834700143913 1850123802216915254 n

Një rrëfim që nuk do ta harroni me nxënës apo kolegë?

Ka shumë momente të paharrueshme në profesionin e mësimdhënësit, por më prekëset janë ato kur nxënësit, me sinqeritetin e tyre të pastër, të krahasojnë me nënën e tyre. Në ato çaste e kupton se roli i mësuesit shkon përtej mësimit, është përkujdesje, siguri dhe dashuri. Po ashtu, momentet kur nxënësit të drejtohen me fjalët “Ju më keni ndihmuar shumë”, duke theksuar se përmes mësimit jo vetëm kanë fituar dije, por u është rritur edhe vetëbesimi dhe besimi në aftësitë e tyre, janë dëshmi e fuqisë që ka ky profesion.
Po aq të çmuara janë edhe marrëdhëniet me kolegët, me të cilët krijohet një ndjenjë familjeje, ku vështirësitë dhe sukseset i përjetojmë bashkë, duke u mbështetur te njëri-tjetri në çdo hap të rrugëtimit profesional.

Sa është e vështirë sot të jesh mësimdhënës/e?

Të jesh mësimdhënës sot është një sfidë e madhe. Përveç mësimdhënies, mësuesi ka shumë përgjegjësi shtesë administrative, përballje me ndryshime të vazhdueshme në sistem, teknologji, kurrikula dhe pritshmëri të larta nga të gjithë.
Megjithatë, pavarësisht vështirësive, dashuria për profesionin dhe për nxënësit e bën këtë punë të vlefshme.

608428708 1348834493709226 3932263135661064916 n

A jeni të kënaqur me pagat si mësimdhënëse?

Paga që marrim shpesh nuk reflekton gjithë përkushtimin, punën dhe përgjegjësinë që mbart ky profesion i shenjtë. Është e drejtë të themi që duhet shumë përmirësim në këtë aspekt, sepse një mësues që jep shpirtin e tij meriton të njihet dhe të vlerësohet edhe financiarisht.
Por, pavarësisht sfidave ekonomike, ne vazhdojmë të japim maksimumin sepse motivimi ynë kryesor mbetet suksesi dhe lumturia e nxënësve tanë.

Mesazhi juaj për prindërit?

Prindërit janë partnerët më të çmuar të mësuesit në rrugën e edukimit të fëmijëve.
Bashkëpunimi, komunikimi dhe mbështetja e ndërsjellë janë çelësi i suksesit.
I ftoj të jenë gjithmonë pranë, të dëgjojnë, të kuptojnë dhe të motivojnë fëmijët, sepse ata janë thesar i jetës dhe e ardhmja më e bukur që kemi.

© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara