Elvira Syla është një mësuese e përkushtuar dhe profesioniste e arsimit me një përvojë mbi 8-vjeçare në mësimdhënie, duke dhënë kontributin e saj të çmuar në Shkollën Fillore “Xhemajl Kada” në Pejë. Rrugëtimi i saj arsimor filloi në SHFMU “Tetë Marsi” dhe më pas në Gjimnazin “Bedri Pejani”, drejtimi Shkenca Natyrore. Studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, në Fakultetin e Edukimit, Programi Fillor, ndërsa aktualisht është duke ndjekur studimet master në Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.
Mësuesja Elvira në një intervistë për Gazetën Online AlbanainEducation.net tregon sfidat sot që ka një mësimdhënës/e, flet poashtu për çështjen e pagave si dhe për testimin apo jo të mësimdhënësve.
Lexoni intervistën me mësuesen Elvira Syla dhënë për AlbanianEducation.net
Një CV e shkurtër e juaja, që të ju njohin lexuesit më shumë?
Jam Elvira Syla, shkollën fillore e kam përfunduar ne SHFMU “Tetë Marsi” në Pejë, kurse shkollën e mesme në Gjimnazin “Bedri Pejani” gjithashtu në Pejë, në drejtimin Shkenca Natyrore. Studimet Bachelor i përfundova në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, Fakulteti i Edukimit, Programi Fillor. Rrugëtimi im nuk përfundoi me kaq, tani jam duke vazhduar studimet postdiplomatike ne nivelin Master në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, Fakulteti i Biznesit, në drejtimin Menaxhimi i Burimeve Njerëzore. Profesionin si mësuese e ushtroj tash e gati 8 vite në Shkollën Fillore “Xhemajl Kada” në Pejë. Gjatë kësaj kohe kam ndjekur trajnime të ndryshme për zhvillim profesional të cilat më kanë ndihmuar të pasuroj metodat e mësimdhënies dhe të jem më afër nevojave të nxënësve. Jam e martuar dhe nënë e tre fëmijëve, gjë që më ka ndihmuar të kuptoj edhe më mirë botën e fëmijëve dhe të jem më e përkushtuar në punën time si mësuese. Në aspektin njerëzor shquhem si grua e buzëqeshur dhe e afërt me të tjerët, ndërsa në punë më karakterizojnë korrektësia dhe përgjegjësia.
Kur keni kapur ditarin për herë të parë, çfarë ndjenje ishte për ju?
Mbaj mend që ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Të kesh ditarin në duar nuk është vetëm një detyrë, por një përgjegjësi e madhe, sepse aty fillon një rrugëtim i gjatë me fëmijët. Ndjeva gëzim, krenari dhe njëkohësisht përgjegjësi, sepse e dija që duhej të bëja më të mirën për fëmijët që më ishin besuar.
A mund të na tregoni një rrëfim që nuk do ta harroni që ju ka ndodhur, qoftë me nxënës apo kolegë?
Gjatë këtyre viteve kam shumë kujtime të bukura me nxënësit dhe koleget, sepse çdo ditë në shkollë sjell histori të reja. Një nga momentet që e kujtoj më shpesh është aktiviteti që organizuam së bashku me koleget për 1 Qershorin – Ditën e Fëmijëve. Ishte një ditë e mbushur me lojëra, këngë e aktivitete që kishin për qëllim t’i bënin fëmijët të ndiheshin të veçantë. Të shihje fytyrat e tyre të qeshura dhe sytë që ndriçonin nga gëzimi ishte shpërblimi më i madh për ne. Në ato çaste, ndjeva fuqinë e bashkëpunimit dhe kuptova se, kur mësuesit bashkojnë forcat, mund të krijojnë përvoja të paharrueshme për fëmijët. Edhe aktivitetet që i organizojmë individualisht kanë peshën e tyre, por ajo energjia dhe atmosfera e përbashkët e bën momentin të mbetet përherë në kujtesë.
Sa është e vështirë sot të jesh mësimdhënës/e?
Sot të jesh mësimdhënës është një sfidë më e madhe. Fëmijët rriten në një kohë ku teknologjia, sidomos telefoni, ua merr shumë kohën dhe shpesh ua shpërqendron vëmendjen nga mësimet. Për ne, kjo është një betejë e përditshme, mundohemi të gjejmë mënyra kreative që nxënësit ta shohin librin dhe mësimin po aq tërheqës sa ekranin e telefonit. Nga ana tjetër, shpesh përballemi edhe me pritjet e prindërve, të cilët më shumë i kushtojnë rëndësi notave sesa dijes reale që fëmija fiton. Prandaj, është e domosdoshme që prindërit të respektojnë fjalën e mësuesit dhe ta shohin atë si partner në edukimin e fëmijës. Bashkëpunimi i sinqertë mes prindërve dhe mësuesve është çelësi i suksesit, vetëm atëherë fëmija arrin të zhvillohet si duhet, jo vetëm në dije, por edhe në sjellje, vlera dhe përgjegjësi.
Sa duhet të jetë paga e një mësimdhënësi/e për të jetuar dinjitetshëm në Kosovë?
Paga e mësimdhënësit duhet të jetë e tillë që t’i mundësojë atij një jetë dinjitoze, pa brenga për mbijetesë. Nëse duam cilësi në arsim, duhet ta vlerësojmë mësuesin me një pagë të drejtë, së paku në përputhje me standardet e rajonit. Vetëm kështu mësimdhënësit do të ndihen të motivuar dhe të respektuar.
Jeni për testimin apo jo të mësimdhënësve?
Unë jam për çdo formë të vlerësimit që ka synim përmirësimin e cilësisë, por jam kundër testimit si mjet ndëshkues. Nëse testimi i mësimdhënësve bëhet për të kuptuar se ku kemi nevojë për mbështetje dhe trajnim, atëherë ai është i dobishëm. Por, nëse përdoret për të nënçmuar apo për të vënë presion mbi mësuesit, atëherë nuk i shërben asnjë qëllimi të mirë. Unë mendoj se testimi duhet të shoqërohet me trajnime cilësore, me mbështetje profesionale dhe me kushte më të mira pune.
Mesazhi juaj për prindërit, por dhe MASHT-in?
Prindërit janë partnerët tanë më të mirë e më të afërt. E thashë edhe më herët se fëmijët arrijnë sukses vetëm kur shkolla dhe familja punojnë bashkë. Prandaj, mesazhi im për prindërit është të tregojnë më shumë kujdes, më shumë dashuri dhe të kenë më shumë kohë për fëmijët e tyre.
Për MASHT-in, mesazhi im është të dëgjojë më shumë zërin e mësimdhënësve, sepse askush nuk e njeh më mirë realitetin e arsimit se ata që çdo ditë janë në klasë, të përmirësojë kushtet në shkolla, pra të investojë në arsim, sepse investimi në arsim është investimi më i mirë për të ardhmen e vendit.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara