INTERVISTË| Mësuesja Blerta Hasani: Për mua, arsimi është mision, jo vetëm profesion

- Advertisement5 -

Mësuesja Blerta Hasani, me mbi dy dekada përvojë në arsimin fillor në Prishtinë, në një intervistë për AlbanianEducation.net flet për sfidat dhe përkushtimin në profesionin e mësimdhënies.

- paragrafi 1 -

E vlerësuar si mësimdhënëse e dalluar në nivel komunal, ajo ndan përvojat e saj në klasë, momentet që i kanë lënë gjurmë dhe vizionin për një sistem arsimor më cilësor, duke theksuar se mësimdhënia është mbi të gjitha një mision njerëzor.

- Advertisement - M1

Një CV e juaja që t’ju njohin lexuesit më shumë?

Unë jam Blerta Hasani, e lindur më 21.03.1982 në Prishtinë. Shkollën fillore e kam përfunduar në SHFMU ’’Iliria’’, SHMM ’’Dr. Ali Sokoli’’. Kam përfunduar studimet Bachelor në Fakultetin e Edukimit dhe Master në Fakultetin e Pedagogjisë. Jam mësimdhënëse me mbi 20 vite përvojë në arsimin fillor në SHFMU “Elena Gjika” në Prishtinë. Jam autore e pesë librave. Libri i parë titullohet ’’Poezi të zgjedhura për fëmijë’’më 2007 dhe katër librat pedagogjikë për vlerësimin e nxënësve që titullohen ’’Ditari personal i mësimdhënësit/es për vlerësimin e rezultatave të të nxënit të nxënësve’’ për klasat 1-5. Kam kontribuar në pjesëmarrjet e ndryshme nëpër grupet punuese në nivel shkolle dhe proceseve arsimore në nivel komunal dhe qendror. Për mua, arsimi është mision, jo vetëm profesion.
Sivjet për nder të 7 Marsit – Ditës së mësuesit u zgjodha Mësimdhënëse e dalluar në nivel komunal nga Komuna e Prishtinës.

Kur keni kapur ditarin për herë të parë, çfarë ndjenje ishte për ju?

- Advertisement - m2

E kam kapur ditarin për herë të parë në tetor të vitit 2004. Ishte një ndjenjë përgjegjësie shumë e madhe, por edhe krenarie. E ndjeva se kisha në dorë jo vetëm një dokument pune, por një përgjegjësi për të ndikuar në jetën e fëmijëve. Ajo ditë më ka mbetur në mendje si fillimi i një rruge që do ta doja gjithmonë.

13

A mund të na tregoni një rrëfim që nuk do ta harroni, që ju ka ndodhur me nxënës apo kolegë?

Një nga momentet më të paharrueshme në punën time është një aksion humanitar i organizuar në nivel shkolle për të ndihmuar një nxënës të klasës time që vuante nga një sëmundje gjenetike, e cila i shkaktonte vështirësi në ecje dhe dhimbje të vazhdueshme në eshtra.
Para tri vitesh në ditët e para e vërejta se diçka nuk ishte në rregull me ecjen e tij, dhe kjo më preku shumë si mësuese dhe si njeri. Pas angazhimit të gjithë shkollës, brenda vetëm 5 ditësh arritëm të mbledhim rreth 10.000€, duke i dhënë mundësinë nxënësit të shkojë për trajtim në Turqi.
Sot, ai është dukshëm më mirë me shëndet, dhe kjo është një ndër ndjenjat më të bukura që mund të përjetojë një mësimdhënës. Çdo ditë nxënësin tim unë mundohem ta mbështes – e ndihmoj në bartjen e çantës, e mbaj për dore dhe kujdesem për të në mesin e nxënësve të tjerë.
Ajo që më prek më shumë është fakti që ai më sheh si një lloj “engjëlli mbrojtës”. Ky është momenti kur kupton se mësimdhënia nuk është vetëm profesion, por një mision i thellë njerëzor.

MS6

Sa është e vështirë sot të jesh mësimdhënës/e?

Sot është më sfiduese se kurrë. Mësimdhënësi nuk merret vetëm me mësimdhënie, por edhe me dokumente, raporte dhe kërkesa administrative që shpesh e largojnë nga thelbi – puna me nxënësit.
Në anën tjetër fëmijët sot janë më të ekspozuar ndaj informacioneve dhe teknologjisë prandaj janë më kurioz dhe të hapur për të shprehur mendimet e tyre. Ata po rriten në një botë digjitale- virtuale dhe atyre po paraqiten problemet në komunikim dhe perceptim të realitetit.
Krahasuar me kohën më parë, fëmijët sot kanë nevojë për përqendrim dhe mbështetje emocionale. Prandaj roli im si mësimdhënëse sot është edhe më i rëndësishëm, jo vetëm për të dhënë dije, por për të ndihmuar nxënësin të zhvillohet si individ me vlera, përgjegjësi dhe aftësi për jetën.
Megjithatë, pavarësisht sfidave, dashuria për profesionin dhe për nxënësit e bën këtë rrugë të vlefshme.

M3

A jeni të kënaqur me pagat si mësimdhënëse?

Pagat aktuale të mësimdhënësve nuk janë në përputhje me përgjegjësinë dhe rëndësinë që ka ky profesion. Për më tepër, në kushtet e rritjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazë, kjo bëhet edhe më e ndjeshme. Mësimdhënësit kanë rol kyç në formimin e brezave të ardhshëm dhe kjo duhet të reflektohet në vlerësimin financiar. Ka nevojë për një qasje më të drejtë dhe më motivuese, që të sigurohet stabilitet dhe dinjitet për këtë profesion.

MS2

A duhet të testohen mësimdhënësit?

Unë besoj që testimi i mësimdhënësve, në formën klasike, nuk e pasqyron realisht cilësinë e punës së tyre në klasë. Ai mat kryesisht njohuritë teorike, por jo aftësinë për të menaxhuar klasën, për të motivuar nxënësit dhe për të ndërtuar të nxënit efektiv.
Për këtë arsye, do ta zëvendësoja me një sistem të mirëfilltë vlerësimi të performancës. Mësimdhënësi duhet të vlerësohet aty ku krijon ndikim – në klasë, përmes metodologjisë që përdor, përkushtimit, zhvillimit profesional dhe rezultateve reale të nxënësve.
Një kombinim i vëzhgimeve në orë mësimore, portofolit profesional dhe feedback-ut nga nxënësit dhe prindërit do të ishte shumë më i drejtë dhe më efektiv.
Qëllimi nuk duhet të jetë ndëshkimi, por ndërtimi i një sistemi që mbështet zhvillimin e vazhdueshëm dhe rrit cilësinë e arsimit.

M8

Mesazhi juaj për Ministrinë e Arsimit dhe prindërit?

Mesazhi im është i qartë: arsimi kërkon bashkëpunim real. Ministria duhet të dëgjojë më shumë zërin e mësimdhënësve dhe të lehtësojë ngarkesat e panevojshme administrative, në mënyrë që fokusi të rikthehet te nxënësi dhe cilësia e mësimdhënies.
Njëkohësisht, është e domosdoshme që MASh të bëjë rishikimin e Kornizës Kurrikulare dhe të kurrikulave lëndore, si dhe thjeshtësimin e teksteve shkollore, duke u bazuar në nivelin real të nxënësve – në aspektin psikik dhe fizik.
Ndërsa prindërit duhet të jenë partnerë aktivë në edukimin e fëmijëve, sepse vetëm përmes një bashkëpunimi të sinqertë mes shkollës, familjes dhe institucioneve mund të ndërtojmë një sistem arsimor më cilësor.

MS5

© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara