E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

INTERVISTË | Mësuesja Arbenitë Kurteshi nga Vitia: Të punosh me nxënës ndjesia më e bukur në jetë – jam rritur me dashurinë për arsimim e shkollim

- Advertisement1-

Ëndrra që të bëhet mësuese i është realizuar, dhe siç thotë jep përkushtimin më të madh që nxënësit të arrijnë suksese. Përveç kësaj është e lumtur që profesionin e realizon në fshatin e lindjes, në Tërpezë të Vitisë, ku jep mësim në shkollën “Hysen Terpeza”, dhe atë bashkë me prindërit, babain dhe nënën që tashmë i ka kolegë.

Mësuesja Arbenitë Kurteshi në një intervistë dhënë për AlbanianEduation.net tregon si është një ditë e saj me nxënësit, për kushtet në shkollë, për rezultatet e arritura, ndërsa flet edhe për çështjen e pagave dhe atë të testimit të shumëpërfolur të mësimdhënësve.

- Advertisement -

Një CV e shkurtër e juaja, ku jepni mësim, në cilën shkollë, sa keni përvojë?

Kam lindur dhe jam rritur në fshatin Tërpezë, komuna e Vitisë ku kam mbaruar edhe shkollën fillore. Shkollën e mesme e kam përfundur në Viti, drejtimi Gjimnaz Gjuhësor. Kam studiuar në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filologjik,dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe. Më pas kam përfunduar edhe studimet Master në Universitetin “Kadri Zeka në Gjilan, ku kam marrë titullin Master i Mësimdhënies së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Nga mosha shtatëmbëdhjetë vjeçare kam punuar si gazetare në Radio Televizionin “ILIRIA. Si gazetare kam punuar afro dhjetë vite, por dëshira dhe pasioni im ka qenë gjithmonë që të punoj si mësimdhënëse. Dhe tash i kam bërë gjashtë vite që punoj si mësimdhënëse në fshatin tim të lindjes, Tërpezë.

A mund të na përshkruani një ditë mësimi me nxënësit tuaj? Sa jeni të kënaqur me mësimnxënien e nxënësve?

Çdo ditë pune e filloj me shumë vullnet dhe përkushtim. Më pëlqen shumë që të sjell gjëra të reja para nxënësve të mi. Është ndjesia më e bukur që e përjetoj çdo ditë në klasën time. Më pëlqen shumë kur nxënësit më shohin dhe më dëgjojnë plot kurreshtje dhe të bindur kryejnë detyrat që ua jap. Nuk e pëlqej të fokusohem vetëm në kurrikulen e shkollës, por dua që gjithmonë të gjej detyra shtesë dhe kohë për aktivitete të ndryshme, gjë që nxënësit e mi e kanë kuptuar shumë mirë dhe janë shumë të angazhuar dhe atraktiv. Të mësojmë edhe duke u argëtuar për mua është një çështje shumë e rëndësishme. Momente të bukura dhe gazmore na përcjellin gjatë ditës. Në fillim të ditës çdo here i vendos objektivat dhe qëllimet, pastaj me vullnet për punë i arrijmë ato. Ndërsa sa i përket pyetjes se sa jam e kënaqur me mësimnxënien, ne si mësimdhënës çdo herë kërkojmë më shumë nga nxënësit, por nxënësit e shkollës sonë kanë arritur mjaft shumë suksese në gara të ndryshme të diturisë e sportive, por natyrisht angazhimi nuk duhet të mungojë asnjëherë në mënyrë që të arrijmë rezultate të mira.

Si janë kushtet në shkollën tuaj. Çfarë ju mungon diçka që do të kishit dëshirë ta keni?

- Advertisement -rrrrrrr

Ashtu si edhe në shumë objekte shkollore në vendin tonë, edhe shkolla jonë ka nevojë për disa intervenime. Duke e parë se çdo ditë e më shumë teknologjia po avancon, edhe ne duam që të ecim me hapin e kohës por fatkeqësisht në këtë drejtim kemi pak ngecje, do të thotë na mungojnë mjete pune si në teknologji poashtu edhe laborator etj. Ne shohim vullnetin dhe intelegjencën e nxënësve tanë në zotërimin e teknologjisë, prandaj do të kishim dashur që t’u ofrojmë kushte më të mira në teknologjinë moderne. Kjo do të ndihmonte në krijimin e një mjedisi më të avancuar dhe të përshtatshëm për nxënësit tanë dhe pa dyshim rezultati nuk do të mungonte.

 Po fillimin e punës si mësimdhënëse si e kujtoni? Kur keni kapur ditarin për herë të pare, çfarë emocione keni pasur?

Të punosh me fëmijë pa dyshim se është ndjesia më e bukur në jetë, është diçka e mrekullueshme. Unë kam pasur fatin që të rritem në një familje intelektualësh. Jam rritur nga babai profesor i gjuhës shqipe dhe nga nëna edukatore dhe pikërisht për këtë për mua nuk ka qenë edhe aq e panjohur puna me ditar në dorë. Jam rritur me dashurinë më të madhe për gjuhën shqipe, për letërsinë shqipe, jam rritur me dashurinë për arsimim e shkollim. Ndjenja kur kam filluar punën si mësimdhënëse mund të them se është e paharruar. E para sepse u bëra kolege me prindërit e mi (që të dy mësimdhënës në të njejtën shkollë) dhe kjo ishte diçka që unë e kisha ëndërruar shumë kohë dhe e dyta sepse unë fillova punën si mësimdhënse në fshatin tim të lindjes, pikërisht aty ku ishin hapat e mi të parë në shkollë. Nuk mund të them se nuk kam pasur vështirësi. Mësuesia për mua nuk është vetëm profesion por më shumë është mision i përgatitjes së brezave për të ardhmen, prandaj edhe përgjegjësia është e madhe, por njdesia e respektit dhe dashurisë për shkollën dhe nxënësit më frymëzon çdo herë që të punoj edhe më shumë.

Mund të na veçoni ndonjë ngjarje nga koha e punës suaj si mësuese që nuk e harroni sa jeni gjallë?

Kam shumë raste të veçanta e të mira me nxënësit. Edhe me kolektivin ia kalojmë  shumë mirë dhe jemi shumë të afërt. Cdo pune dhe çdo arritje e nxënësve për mua është një gëzim dhe kënaqësi më vete. Por një ngjarje ose një arritje që më ka bërë krenare shumë dhe nuk do ta harroj kurrë, është kur nxënësit e shkollës sonë zunë vendin e parë nga të gjitha shkollat e komunën e Vitisë  në garat e diturisë. Kjo për mua ishte edhe mbetet moment i krenarisë.

Në janar të këtij viti u rritën paksa pagat, por shumica e mësimdhënësve mbetën të pakënaqur. Sa do të ishte paga ideale që meritojnë mësimdhënësit?

Besoj se edhe ju keni dëgjuar kur thuhet ‘Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë”. Të qenit mësues është shumë më tepër sesa thjeshtë një ekzekutim i planeve mësimore. Mësuesi shpenzon aq shumë kohë me nxënësit, aq sa shpesh u thuhet prind i dytë për ta. Pavarësisht se çfarë profesioni ke; inxhinier, mjek, poet, ministër apo diçka tjetër përballë ka patur mësuesin, që e ka dhënë me shpirt më të mirën për të mbjellur dije, kulturë e edukatë. Asnjëherë nuk do te ishte e mundur të shpërblehej durimi i tyre, fryma e tyre, koha, pasioni e përkushtimi, në disa raste edhe në kushte tejet të vështira, shpesh në përballje edhe me rreziqe dhe shpesh të përballur edhe me injorancë. Le të mendohen për vlerat që kanë mësuesit dhe pastaj të caktojnë drejtë vlerën monetare për ta.

Një çështje që diskutohet shumë është ajo e testimit apo jo e  mësimdhënësve. Mendimi juaj cili ëshë?

Çështja e testimit të mësimdhënësve është duke u diskutuar qe disa kohë. Asnjëherë nuk kam qenë kundër monitorimit të mësimdhënësve, të përcillet puna e tyre, por të  monitorohet nga inspektorët profesional. Kjo ndoshta do të ndihmonte në cilësi të  mësimdhënies. Mendoj se duhet të ketë vlerësim të performancës e jo testim të mësimdhënësve.

Për fund, një mesazh i juaj për nxënësit dhe prindërit?

Një mesazh për nxënësit do te ishte: “Ju jeni burim i energjisë dhe talentit që bota ka nevojë. Mos harroni se çdo përpjekje e juaja ka rëndësi. Besoni në aftësitë tuaja, punoni me vendosmëri dhe asnjëherë mos u ndalni përpara sfidave. Mos u ndalni asnjëherë në kërkim të dijes dhe ndjekjes së ëndrrave”

Prindërit në shkollën tonë janë një shembull i mrekullueshëm bashkëpunimi. Ata duhet të jenë krenarë për arritjet e fëmijeve të tyre, por duhet që me përkushtim edhe më të madh  të vazhdojne t’i mbeshtesin në rrugën e dijes. /AlbanianEducation.net/.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

28 NËNTORI – në çdo shkollë po organizohen aktivitete për flamurin kuqezi

Mesazhi nga ministrja e Arsimit në Shqipëri. Ogerta Manastirliu: 🇦🇱🦅Në prag të Festave të Nëntorit,...

VENDIMI: 19 bursa në vlerë 1 mijë euro për studentët e Shqipërisë që studiojnë në Kosovë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për ndarjen e...

Shkolla “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, shembull i bukurisë dhe kreativitetit për 28 Nëntor

Shkolla “Pjetër Bogdani” në Prishtinë është shndërruar në një shembull të bukurisë dhe kreativitetit. Çdo...

Pensionohet profesori Bahri Hajredini nga Mitrovica

Profesori Bahri Hajredini, një figurë e nderuar dhe udhëheqës i shumë brezave nxënësish, del...