Nora Taraku, mësimdhënëse në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, është një prej atyre arsimtareve që me përkushtim e dashuri ndaj dijes e ushtron profesionin e saj prej afro 20 vitesh. Me një formim të gjerë akademik në fushën e Kimisë dhe Gjuhës Spanjolle, ajo mban edhe rolin e Koordinatores së Cilësisë në shkollë dhe mentore në organizatën TOKA.
Në një intervistë dhënë për Gazetën Online që i dedikohet fushës të arsimit, AlbanianEducation.net mësuesja Taraku rrëfen emocionet e ditës kur mbajti për herë të parë ditarin, ndan kujtime të paharrueshme me ish-nxënës që sot janë profesionistë të suksesshëm, dhe flet për sfidat e të qenit mësimdhënës në kohët moderne.
Ajo po ashtu, flet edhe për çështjen e pagave dhe testimin e mësimdhënësve apo jo.
Lexoni të plotë intervistën me mësimdhënësen Nora Taraku, nga Peja dhënë për AlbanianEducation.net.
Një prezantim i shkurtër i CV-së suaj?
Jam Nora Taraku, nga Peja, mësimdhënëse në SHFMU “Lidhja e Prizrenit”. Që nga viti 2005 e ushtroj me përkushtim profesionin e mësimdhënëses. Kam përfunduar studimet Master – Mësimdhënie me Specializim Lëndor në Kimi, si dhe studimet për Gjuhë dhe Kulturë Spanjolle në Madrid. Ligjëroj lëndët Kimi dhe Biologji, ndërsa në shkollë ushtroj edhe detyrën e Koordinatores së Cilësisë. Jam gjithashtu mentore në organizatën joqeveritare TOKA, ku udhëheq projekte si “Dita e Solidaritetit” në Pejë dhe Istog, si dhe mentore e Klubeve të Super Vullnetarëve në Gjakovë.
Kur keni kapur ditarin për herë të parë, çfarë ndjenje ishte për ju?
Jam rritur me dashurinë për arsimin, pasi vij nga një familje që ka dhënë shumë kontribut në këtë fushë. Babai im, Prof. Dr. Nysret Taraku, dhe nëna ime, Ferdeze Taraku, e cila ka punuar 36 vite në arsim, më kanë frymëzuar që të ndjek rrugën e tyre. Kur mbajta ditarin për herë të parë, ndjeva një emocion të papërshkrueshëm — ishte realizimi i një ëndrre që e kisha që nga fëmijëria.

A mund të na tregoni një rrëfim që nuk do ta harroni, qoftë me nxënës apo kolegë?
Gjatë viteve të punës kam përjetuar shumë ngjarje të bukura me nxënës e kolegë. Një nga momentet më të veçanta është kur takoj ish-nxënësit e mi që sot janë doktorë, inxhinierë, drejtorë apo artistë. Kur më falënderojnë për mbështetjen që u kam dhënë, ndjej një krenari të madhe dhe kjo më jep forcë për të vazhduar punën me dashuri edhe më të madhe.
Sa është e vështirë sot të jesh mësimdhënës/e?
Të jesh mësimdhënës sot është një sfidë e madhe. Përveç se kërkon përgatitje profesionale, kërkon edhe përkushtim emocional dhe durim. Fatkeqësisht, shumë nxënës sot nuk janë aq të motivuar për të mësuar — duan që gjithçka të vijë shpejt e pa mund. Kjo dëmton procesin e të nxënit. Prandaj, përveç mësuesve, edhe prindërit duhet të jenë më të përfshirë në edukimin dhe përkrahjen e fëmijëve të tyre.

Sa duhet të jetë paga e një mësimdhënësi për të jetuar dinjitetshëm në Kosovë?
Paga aktuale e mësimdhënësve nuk e reflekton punën dhe përgjegjësinë që mbajmë. Ne nuk jemi vetëm ligjërues — kujdesemi për edukimin, mirëqenien dhe formimin e nxënësve, por edhe për shumë punë administrative që shpesh i bëjmë në shtëpi. Një pagë dinjitoze duhet të sigurojë stabilitet ekonomik dhe vlerësim për kontributin tonë shoqëror.
Jeni për apo kundër testimit të mësimdhënësve?
Jam për testimin e mësimdhënësve, por me qëllim zhvillimor. Testimi duhet të shërbejë për vlerësimin e nevojave për trajnime, për përmirësim profesional dhe për rritjen e cilësisë së arsimit.

Mesazhi juaj për prindërit dhe MAShT-in?
Të gjithë ne, prindër e mësues, punojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Prindërit duhet të jenë më afër fëmijëve të tyre, të kalojnë kohë cilësore me ta, sepse personaliteti i fëmijës ndërtohet mbi dashuri, përkrahje dhe mirëkuptim. Ndërsa për MAShT-in, mesazhi im është që të vlerësojë më shumë mësimdhënësit, të investojë në kushte më të mira për shkollat dhe të mbështesë vazhdimisht zhvillimin profesional të tyre.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara