INTERVISTË | Mësimdhënësja Betina Berisha: Paga duhet të jetë 1000 euro dhe testimi për zhvillim – jo për ndëshkim

- Advertisement -

Betina Berisha është lindur dhe rritur në Suharekë. Studimet i ka përfunduar në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, në drejtimin Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, ndërsa nivelin master e ka përfunduar në drejtimin Menaxhimi dhe Udhëheqje në Arsim. Prej disa vitesh punon si mësimdhënëse në qytetin e saj, në shkollën fillore “Destan Bajraktari”, ku me përkushtim dhe dashuri ushtron profesionin e mësimdhënies.

- paragrafi 1 -

Arsimtarja Betina, në një intervistë për gazetën online për arsim AlbanianEducation.net, flet për rrugëtimin e saj profesional, poashtu për çështjen e pagave dhe të testimit, ndërsa tregon edhe ndjenjën kur e ka kapur ditarin për herë të parë.

- Advertisement -

Lexoni të plotë intervistën me mësimdhënësen Betina Berisha dhënë për AlbanianEducation.net

Një prezantim i shkurtër, CV juaj?

Unë jam Betina Berisha, kam lindur në Suharekë dhe kam përfunduar studimet në Fakultetin e Filologjisë, dega Gjuhë shqipe në universitetin e Prishtinës. Studimet master i kam përfunduar në drejtimin e menagjimit -udhëheqje ne arsim. Punoj si arsimtare në qytetin e Suharekës ku tashmë kam disa vite përvojë. Kam marrë pjesë edhe në trajnime profesionale që lidhen me mësimdhënien dhe përdorimin e metodave bashkëkohore. Për mua, profesioni i mësimdhënies nuk është vetëm punë, por një mision që lidhet me formimin e brezave. Në aspektin human jam një person i ndjeshëm dhe empatik, që beson tek mirësia, drejtësia dhe sinqeriteti. Më pëlqen t’i mbështes të tjerët dhe të ndaj dashuri, sepse besoj se lumturia e vërtetë qëndron te familja dhe tek të qenit njeri i mirë. Jam nënë dhe bashkëshorte, rol që më mëson çdo ditë durimin, sakrificën dhe dashurinë e pakushtëzuar.

- Advertisement -

Kur keni kapur ditarin për herë të parë, çfarë ndjenje ishte për ju?

Ishte një emocion i papërshkrueshëm. Në ato momente ndjeva një përgjegjësi shumë të madhe, por edhe një krenari që më ishte besuar një detyrë kaq e shenjtë. Ishte ndjesia e një fillimi: pak trembje, por edhe gëzim dhe shpresë. Atje shkruaja “frikërat”, ëndrrat dhe planet — dhe me kalimin e kohës ai u bë dëshmi e rrugës sime.

A mund të na tregoni një rrëfim që nuk do ta harroni që ju ka ndodhur, qoftë me nxënës apo kolegë?

Një nga momentet që nuk do ta harroj kurrë ishte kur një nxënëse më erdhi dhe më tha: ‘Arsimtare, unë nuk e kisha menduar kurrë që gjuha shqipe mund të jetë kaq interesante’. Ishte një moment i vogël, por për mua një dëshmi e madhe se puna jonë ka ndikim të drejtpërdrejtë në mendjen dhe zemrën e fëmijëve.

Sa është e vështirë sot të jesh mësimdhënës/e?

Është një profesion i bukur, por sigurisht i vështirë. Sfida më e madhe është të mbash të motivuar nxënësit në një kohë kur ata kanë shumë shpërqendrime rreth tyre. Po ashtu, shpeshherë mungojnë kushtet optimale dhe mbështetja e duhur. Megjithatë, çdo vështirësi tejkalohet kur sheh shkëlqimin në sytë e nxënësve kur kuptojnë diçka të re.

Sa duhet të jetë paga e një mësimdhënësi/e për të jetuar dinjitetshëm në Kosovë?

Paga e një mësimdhënësi duhet të jetë e tillë që ai të jetojë me dinjitet, pa pasur nevojë për punë shtesë. Një shumë reale do të ishte 1000 euro, sepse kjo do të mbulonte jo vetëm jetesën, por edhe zhvillimin profesional, pjesëmarrjen në trajnime dhe blerjen e materialeve që shpesh i përdorim vetë në klasë. Tani “disa” mund të reagojnë për këtë shifër por fundja: “Mësimdhënja është profesioni që krijoi të gjitha profesionet tjera”.

Jeni për testimin apo jo të mësimdhënësve?

Unë jam për vlerësimin e mësimdhënësve, por në mënyrë të drejtë dhe të ndërtuar mirë. Testimi nuk duhet të shihet si mjet ndëshkimi, por si një mundësi për të parë nevojat për zhvillim profesional. Pra, testimi duhet të shoqërohet me trajnime, mbështetje dhe motivim, jo vetëm me kritika.

Mesazhi juaj për prindërit, por dhe MASHT-in?

Për prindërit, mesazhi im është: bashkëpunoni me mësuesit, sepse edukimi është një përgjegjësi e përbashkët. Sa më shumë të jetë i fortë trekëndëshi nxënës–prind–mësues, aq më i suksesshëm do të jetë fëmija.
Për MASHT-in, mesazhi im është: investoni më shumë në arsim, sepse është themeli i çdo shteti. Mësuesit kanë nevojë për kushte më të mira, paga më të dinjitetshme dhe trajnime të vazhdueshme. Vetëm kështu mund të kemi një arsim cilësor dhe një të ardhme më të mirë.

© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara