Së shpejti do të botohet libri “PLANI I ORËS MËSIMORE” me autor prof.Fadil Derivshaj dhe prof. Arton Loshaj në të cilin janë të përfshira të gjitha njësitë mësimore e me gjerë, te teksteve shkollore, aktuale (të reja), Gjuhë shqipe dhe letërsi për klasën X, XI, XII.
Albanian Kids Education (www.kidsofkosova.net) ka zhvilluar një intervistë me njërin prej autorëve të librit, mësimdhënësit Fadil Dervishaj, i cili ka treguar nga erdhi ideja për të botuar këtë libër, sa tirazh do të ketë dhe sa do t’i ndihmojë mësimdhënësit.
Mësimdhënësi Dervishaj në këtë intervistë flet edhe për atë se sa vlerësohet sot figura e mësimdhënësit në Kosovë, tregon nëse është ‘pro’ apo kundër testimit të mësimdhënësve dhe jep mendimin sa duhet të bëhet paga e një mësimdhënësi.
Lexoni intervistën e plotë me mësimdhënësin Fadil Dervishaj, dhënë për Albanian Kids Education (www.kidsofkosova.net).
Do të botoni një libër “Planin i orës mësimore” për Gjujhë shqipe dhe letërsi. Nga erdhi ideja?
Së shpejti do të botohet ky libër, i cili është parë të jetë i nevojshëm për mësimdhënësit si plan konspekt. Pos kësaj, duke e pasur parasysh se me reformat e reja në arsim, mësimdhënësi është i ngarkuar shumë më hartimin e planprograme, nga ai vjetor, dymujor, javor e deri të ai i orës mësiore. Prandaj me hartimin e këtij libri, në të cilin është punuar gjatë, mësimdhënësit të paktën nuk do të mendojnë më për planin, por për realizimin e orës mësimore. Pra ideja për ta bërë këtë libër ka lindur si nevojë e lehtësimit administrativ të punës së mësimdhënësit, që ky i fundit të përqëndrohet vetëm në lëndën mësimore dhe realizimin e saj suksesshëm.
Kur do të publikohet libri dhe sa do të jetë numri?
Subjektivisht dhe strukturalisht libri është i kompletuar, për momentin është duke u dizajnuar kopërtina, besoj se është çështje ditësh se kur do të dal nga shtypi. Sa i përket tirazhit, do të botohen aq numra sa shihet se do të ketë kërkesa nga mësimdhënësit përkatës.
Sa pritet t’iu ndihmoj ky libër mësimdhënësve?
Ne besojmë se ky libër do t’ju ndihmoj shumë mësimdhënësve përkatës të Gjuhës dhe letërsisë shqipe për shkollat e mesme të larta. Duke qenë se edhe vetë ne autorët e librit jemi mësimdhënës, dhe nga përvoja e të qenit i lirë nga mendimi për ta hartuar çdo plan për secilën njësi mësimore paraprakisht, bën që të fokusohesh vetëm në përgatitjen e njësive mësimore për zhvillimne saj në klasë. Pra me një fjalë ua heqë barrën për të hartuar plane pothuaj çdo ditë të punës, thjesht plan konspekti i tyre është i gatshëm dhe koha bëhët e mjaftueshme për të reflektuar në lëndën mësimore.
Ju jeni mësimdhënës. Sa është e vështirë sot të jesh mësues?
Të flasesh sot për mësimdhënien dhe mësimdhënësin, nuk do ndonjë analizë të thellë, por ta praktikosh sot mësimdhënien, është po aq e vështirë sa edhe e lehtë. Sot e vështirë është të jesh mësimdhënës, sepse mungon jashtzakonisht shumë bashkëpunimi, sidomos ai prind-mësimdhënës-nxënës, gjë që është faktori kryesor që një mësimdhënësi t’i bëhet puna më e lehtë. Pra faktori i jashtëm ka një interesim tepër të vogël ndaj faktorit të brendshëm në shkolla, dhe kjo e vështirëson punën e një mësimdhënësi. Kurse sa i përket ushtrimit të profesionit të mësimdhënësit, kurrë nuk ka qenë më mirë e më lehtë, pavarësisht kushteve e rrethanave në të cilat punojmë. Mundësitë janë të shumta që punën ta bësh me shumë profesionalizëm, por duhet ta pranojmë faktin se mosfunksionimi i atij trekëndëshit që përmenda më sipër, mbetet ende edhe sot e kësaj dite pengesë.
Sa vlerësohet sot mësimdhënësi në Kosovë?
Duke u bazuar në situatën e fundit, shumë pak!
A duhet të ndodhë testimi i mësimdhënësve apo jo? Nëse po pse, dhe nëse jo, pse?
Jo nuk duhet bërë asesi, sepse po ata që na kanë vlerësuar njëherë në provimet të cilat i kemi përfunduar në Fakultet, janë po ata që na kanë dhënë diplomën për ta ushtruar profesionin që bëjmë sot. Pse do të duhej që prapë t’na vlerësonin për të njëtin profesion, të njëjtit njerëz që na kanë vlerësuar njëherë. Shtrohet pyetja kush do t’i përpiloj ato teste për kinse këtë testim të mësimdhënësve, pos atyre që na kanë dhënë notën njëherë. Testimi më i mirë për mësimdhënësit është inspektimi. Të rritet numri i inspetorëv të arsimit, dhe të bëhet moniturimi i mësimdhënësve nëpër shkolla, kush punon le të vlerësohet, kush nuk do le të ndëshkohet.
Dhe një pyetje për pagat. Sa duhet të ketë pagën një mësimdhënës në Kosovë që të ketë një jetë të dinjitetshme?
Kohëve të fundit kjo çështja e pagës është bërë temë që edhe po të duash të flasësh për të, duhet të kesh dro, sepse aq shumë është nëpërkëmbur e njollosur mësimdhënësi në lidhje me këtë, saqë e vë në dilemë të ta jep edhe mendimin. Megjithatë, një mësimdhënës që t’mos ketë nevojë për ta bërë një punë të dytë karrshi punës që bën, e që një për qindje e madhe e tyre janë të detyruar, sepse nuk u mjafton të mbijetojnë me pagën që marrin. Pra një mësimdhënës për ta bërë një jetë normale, pa pasur nevoj të kërkoj të mbështetet diku tjetër, të paktën duhet ta ketë pagën 800 euro. /Albanian Kids Education/