Krenare Sogojeva-Dermaku, komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), në një intervistë për AlbanianEducation.net ka thënë se nuk lejohet vendosja e kamerave nëpër klasë të shkollave. Ajo thotëse vendosja e kamerave në klasa mund të çojë edhe në shkelje të të drejtave themelore të fëmijëve sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijës.
Komisionerja Sogojeva-Dermaku thotë se kamerat në shkollë mund të vendosen vetëm për çështje të sigurisë së pronës dhe siguresë së njerëzve.
Lexoni intervistën e plotë me Krenare Sogojeva-Dermaku, komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, dhënë për AlbanianEducation.net.
A është e lejuar vendasja e kamerave brenda në klasë? Nëse jo pse?
Jo, vendosja e kamerave brenda klasave nuk është e lejuar. Arsyeja është se klasat konsiderohen hapësira ku nxënësit kalojnë shumicën e kohës dhe aty zhvillohet procesi mësimor.
Mbikëqyrja e vazhdueshme me kamera cenon seriozisht privatësinë e nxënësve dhe mësimdhënësve, krijon ndjenjë presioni dhe është e papërputhshme me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Vendosja e kamerave në klasa mund të çojë edhe në shkelje të të drejtave themelore të fëmijëve sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijës. Për këtë rast kem edhe praktikë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku GJEND ka vendosur në favor të palës ankuese në rastin Antović dhe Marković kundër Malit të Zi (linku: https://hudoc.echr.coe.int/fre#{%22itemid%22:[%22001-178904%22]}
Në cilët vende brenda shkollës lejohet vendosja e kamerave?
Kamerat në shkollë mund të vendosen vetëm për çështje të sigurisë së pronës dhe siguresë së njerëzve. Nga kjo nënkuptojmë që kamerat mund të vendosen në korridore dhe në hapësira jashtë objektit të shkollës, por me kusht që nuk përfshijnë hapësirën e pronës publike apo private të personave të tjerë.
A keni pasur ankesa nga prindërit për vendosjen eventuale të kamerave në klasa brenda shkollave në Kosovë?
Nuk kemi pasur ankesa nga prindërit për vendosjen e kamerave në klasa.
Cili është mesazhi juaj për drejtorët e shkollave lidhur me këtë çështje?
Siguria e nxënësve dhe mbarëvajtja e procesit mësimor është prioritet i përbashkët. Megjithatë, kujdesi për siguri nuk duhet të cenojë të drejtat themelore të fëmijëve për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale. Vendosja e kamerave brenda klasave nuk lejohet, sepse cenon ambientin e të nxënit, krijon ndjenjë mbikëqyrjeje të vazhdueshme dhe bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Kamerat mund të përdoren vetëm në hapësira të caktuara të përbashkëta (si hyrje, korridore dhe oborre), kur ekziston një arsye e qartë dhe e dokumentuar për siguri, dhe gjithmonë me respektim të parimeve ligjore: transparencë, proporcionalitet, kufizim të ruajtjes së regjistrimeve dhe masa të forta sigurie.
Prandaj, mesazhi i AIP-së është që të mos vendosin kamera në klasa, zyra të mësimdhënësve apo hapësira të ndjeshme, të sigurohen që çdo sistem i kamerave të jetë i justifikuar, i dokumentuar dhe transparent me prindërit dhe nxënësit. Ruajtja e privatësisë së fëmijëve është po aq e rëndësishme sa edhe sigurimi fizik i ambientit shkollor.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara