INTERVISTË | Kastriot Blakaj, mësimdhënës nga Peja: Paga dinjitoze dhe testim zhvillimor për arsim cilësor

- Advertisement -

Kastriot Blakaj, mësimdhënës dhe koordinator i cilësisë në Shkollën e Artit “Odhise Paskali” në Pejë, shënon 15 vite përvojë në arsim. Si ligjërues në universitet, ish-drejtor shkolle dhe trajner i mësimdhënësve, ai e sheh arsimin si një proces që formon jo vetëm profesionistë, por edhe individë kreativë e të përgjegjshëm.

- paragrafi 1 -

Blakaj në një intervistë për AlbanianEducation.net ka folur për sfidat e shkollës, si dhe për çështje të tjera si ajo e pagave dhe testimit eventual.

- Advertisement -

Lexoni të plotë intervistën Kastriot Blakaj, mësimdhënës dhe koordinator i cilësisë në Shkollën e Artit “Odhise Paskali” në Pejë dhënë për AlbanianEducation.net.

Një CV e juaja që t’iu njohin lexuesit më shumë?

Unë jam Kastriot Blakaj, Mësimdhëns dhe koordinator i cilësisë dhe bashkëpunimit me biznese në Shkollën e Artit “Odhise Paskali” në Pejë. Jam Ligjerues i angazhuar ne Kolegjin UBT.

- Advertisement -

Sot më behet 15 vitje që punoj në arsim, konkretisht në fushën e arsimit, si ligjërues në universitet, drejtor shkolle dhe trajner i mësimdhënësve. Përveç angazhimit në arsim, jam aktiv edhe në kulturë dhe sport, duke besuar se zhvillimi i të rinjve duhet të jetë i plotë – profesional, artistik dhe shpirtëror.

Sa nxënës e sa mësimdhënës ka shkolla juaj?

Aktualisht, shkolla jonë ka rreth 240 nxënës dhe rreth 28 mësimdhënës të përkushtuar. Kemi një staf të kualifikuar, ku pjesa më e madhe janë artistë aktivë dhe profesionistë që sjellin përvojë të drejtpërdrejtë nga fusha e artit në procesin mësimor.

Çfarë programesh dhe drejtimesh artistike ofron shkolla aktualisht?

Shkolla e Mesme e Artit Aplikativ “Odhise Paskali” është e vetmja shkollë në Kosovë që ofron pesë drejtime të artit pamor:

• Dizajn Tekstili dhe Veshje
• Dizajn Enterieri
• Dizajn Grafik
• Art-Pikturë
• Formësim Qeramike
Këto programe u japin nxënësve mundësinë të zhvillojnë talentin dhe kreativitetin e tyre përmes teorisë, praktikës dhe projekteve konkrete artistike dhe jo vetëm.

Si zhvillohet procesi i mësimdhënies — më shumë praktikë, teori, apo kombinim i të dyjave?

Procesi mësimor zhvillohet në kombinim të teorisë dhe praktikës, por theksi kryesor është gjithmonë në praktikën artistike dhe profesionale. Synimi ynë është që çdo nxënës të përgatitet për realitetin profesional – qoftë për studime të larta artistike, qoftë për tregun e punës. Mësimi zhvillohet në Atelie, punëtori dhe galeri, duke i dhënë rëndësi krijimit të veprave origjinale dhe pjesëmarrjes në ekspozita. Vlerë e shtuar është edhe bashkëpunimi I shkëlqueshëm ndërmjet shkollës sonë dhe 15-të biznesve të Komunës së Pejës, me këndvështrim të vecantë për realizimin e Praktikës profesionale pra Mësimi në Vendin e Punës, ku në këtë aspect jemi kampion të organizimit të mirë dhe mjaft të suksesshëm. Kjo ndikon direct ne arritjen e kompetencave profesionale e sociale.

Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballeni si shkollë arti sot?

Shkolla e Artit në Pejë, një institucion i rëndësishëm në edukimin artistik të të rinjve, përballet aktualisht me disa sfida thelbësore në funksionimin e saj. Bazuar në analizat e brendshme dhe reflektimet nga stafi mësimdhënës, duhet të ndërmerren hapa konkrete për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, dokumentacionit dhe përgatitjes profesionale të nxënësve.

Sfida më e madhe është mungesa e literaturës profesionale dhe ndihmëse për lëndët artistike, si dhe literature adekuate e lendëve te pergjithshme mirepo që nderlidhet me programet tona profesionale, nevoja e menjehershme për trajnime didaktike dhe metodologjike për mësimdhënësit tanë, që do të ndihmonin në zhvillimin e një mësimdhënieje më efektive dhe bashkëkohore.

Po ashtu, kemi nevojë për rishikimin e kurrikulave dhe harmonizimin e udhëzimeve administrative që rregullojnë funksionimin e shkollave profesionale në kuadër të saj është shume e nevojshme përcaktimi i titullit përfundimtar profesional të diplomuarve, në përputhje me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve (KKK).

Çfarë ju motivon më shumë në rolin tuaj si koordinator?

Motivimi im më i madh është të shoh progresin dhe suksesin e nxënësve tanë. Kur një nxënës fiton konkurs, hap ekspozitë, ose arrin të shprehet përmes artit, si dhe të vetëpunësohet ndiej që puna jonë ka kuptim. Po ashtu, më motivon bashkëpunimi me mësimdhënësit dhe institucionet partnere, për të ngritur standardet e arsimit artistik në nivel kombëtar e ndërkombëtar.

Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve që duan të ndjekin artin në Pejë?

Arti është mënyra më e bukur për ta kuptuar botën dhe për ta ndryshuar atë. Të rinjtë që kanë pasion për artin duhet të jenë të guximshëm, të qëndrojnë pranë ëndrrës së tyre dhe të punojnë me përkushtim. Shkolla jonë u ofron atyre hapësirën për ta zhvilluar talentin dhe për ta shndërruar pasionin në profesion.

Një çështje mjaft e diskutueshme është ajo e pagave. Sa duhet të bëhet paga për mësimdhënësit?

Paga e mësimdhënësve duhet të jetë në përputhje me përgjegjësinë dhe ndikimin që ka arsimi në zhvillimin e vendit. Mësimdhënësit nuk janë vetëm transmetues njohurish, por formues të brezave të ardhshëm. Për këtë arsye, paga duhet të jetë dinjitoze – në mënyrë që të tërheqë profesionistë të mirë dhe të nxisë cilësinë në arsim.

Po testimi i mësimdhënësve – cili është mendimi juaj?

Testimi mund të ketë kuptim vetëm nëse shihet si proces zhvillimi profesional, jo si ndëshkim.

Nëse bëhet për të identifikuar nevoja për trajnim, për të ndihmuar në rritjen e cilësisë dhe për të përmirësuar praktikat mësimore – atëherë është pozitiv. Por çdo testim duhet të shoqërohet me mbështetje reale, jo vetëm me vlerësim formal.

Për fund, mesazhi juaj për gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe Ministrinë e Arsimit?

Për nxënësit: besoni në veten tuaj dhe mos ndalni së krijuari.

Për mësimdhënësit: vazhdoni me pasion dhe profesionalizëm, sepse jeni themeli i çdo ndryshimi pozitiv për shoqërinë tonë.

Për Ministrinë: arsimi nuk është shpenzim, por investimi më i vlefshëm që mund të bëjë një shtet. Duhet të ecim përpara me një vizion të ri, me mbështetje të qëndrueshme për shkollat profesionale dhe për mësimdhënësit që japin shpirtin çdo ditë në klasë.

© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara