INTERVISTË| Jeta Mati Bakalli: Mësimdhënia për mua është mision që më jep priviliegjin që t’i kontribuojë vendit

- Advertisement -

Mësuese Jeta Mati Bakalli prej 10 vitesh jep mësim në shkollën “Mazllum Këpuska” në Gjakovë, ku ligjëron lëndën e Gjeografisë dhe Edukatës Qytetare.

Ajo në një intervistë dhënë për AlbanianEducation.net thotë se mësimdhënia për të është një obligim moral, një mision që i jep priviliegjin që t’i kontribuojë vendit.

- Advertisement -

Lexoni të plotë intervistën me mësuesen Jeta Mati Bakalli dhënë për AlbanianEducation.net:

Një CV e juaja që t’iu njohin më shumë lexuesit tonë?

Jeta Mati Bakalli, e lindur në Prishtinë. Si mësimdhënëse e Gjeografisë dhe Edukatës qytetare, punon për gati 10 vite në SHMU “Mazllum Këpuska” në Gjakovë.
Ka kryer bachelor në Fakultetin e Edukimit për Gjeografi e Edukatë qytetare, si dhe Master për Shkenca të Edukimit, dega: Mësimdhënie e Kurrikula në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

- Advertisement -

Mësimdhënia për mua është një obligim moral, një mision që më jep priviliegjin që t’i kontribuojë vendit, duke arsimuar e edukuar brezat e rinjë, ardhmërinë e këtij vendi.

Figura e mësimdhënësit ka një ndikim të paimagjinueshëm në formimin e personalitetit të nxënësit, prandaj mundohem të jem shembulli më i mirë i mundshëm për ta.

Më pëlqen të sfidojë veten dhe nxënësit me anë të metodave inovative, me projekte dhe aktivitete jashtëmësimore, të cilat bëjnë mësimin më atraktiv dhe zhvillojnë mendimin kritik e kreativ, si dhe mundësojnë shkëmbimin e ideve e përvojave mes nxënësve, si dhe ndërrimin e raporteve më të afërta gjatë socializimit mes tyre.

Për shkak të aktiviteteve dhe projekteve të shumta që zhvillon në shkollë, si dhe për punën e saj me integritet, vitin e kaluar , është vlerësuar përmes votave të qytetarëve nga një nismë e USAID dhe UBO Consulting, duke u shpërblyer me çmimin ” Ikonë e Integritetit të Kosovës” për qytetin e Gjakovës. Ky çmim më ka motivuar tejmase dhe më ka bërë shumë krenare.

Gjithashtu jam autore e pesë librave të mësuesit për lëndën e Gjeografisë, nga klasa e 6 deri 10, të shtëpisë botuese Albas.

Çfarë e bën të veçantë mësimin e gjeografisë për ju?

Gjeografia është një shkencë komplekse që studion edhe natyrën edhe shoqërinë. Ajo ngërthen në vete shumë disiplina dhe mësimi i saj është një mundësi e shkëlqyer për të ndihmuar nxënësit të zhvillojnë një kuptim më të thellë dhe më të gjerë të botës në të cilën jetojnë.

Gjeografia i inkurajon nxënësit të eksplorojnë dhe të zbulojnë, duke i bërë ata kuriozë për botën dhe për vendet që ndodhen përtej kufijve të njohur.

Për mua është kulturë shumëdimensionale, tërheqëse si shkencë, pa njohuritë e së cilës mendoj që një njeri është i mangët në dituritë e tij. Lirisht mund të them që është një enciklopedi në vete.

Cili është aspekti më sfidues i mësimit të gjeografisë?

Aspekti më sfidues i mësimit të gjeografisë shpesh lidhet me kompleksitetin e informacionit dhe ndryshueshmërinë e konteksteve gjeografike.

Gjeografia nuk duhet mësuar përmendësh, ajo do logjikë, të analizojë dukuritë e faktet, të sintetizojë njohuritë sipas shkakut e pasojës, të kuptojë dhe të dijë ta lexojë hartën, pa të cilën gjeografia është e mangët; të bësh analogji mes shembujve konkret, të përdorësh metodën e induksionit dhe deduksionit, kreativitetin e hulumtimin. Poashtu një ndër sfidat e kohës është të ndiqet aktualiteti, të integrohen mundësitë e teknologjisë, udhëtimet vortiuale për të eksploruar vendet e botës, dalja në terren( ekskurzionet,vizitat), projektet, etj.

Një sfidë tjetër mund të jetë mësimi i aftësive për të lexuar dhe interpretuar hartat, si dhe përdorimi i teknologjisë, mund të jetë sfidues për disa nxënës, veçanërisht ata që nuk janë të njohur me këto mjete.

Dhe poashtu sfiduese është mungesa e Interesit: Disa nxënës mund të mos e shohin gjeografinë si një fushë tërheqëse, duke e bërë të vështirë angazhimin e tyre në mësim. Kjo kërkon që si mësimdhënëse të mundohem të gjej mënyra kreative për të rritur interesin dhe kuriozitetin e nxënësve.

Çfarë teknika inovative përdorni për të sjellë gjeografinë në jetë për nxënësit tuaj?

Për të sjellë gjeografinë në jetë dhe për ta bërë atë më tërheqëse dhe interaktive për nxënësit, mund të përdoren disa teknika inovative.

Ja disa prej tyre:

Përdorimi i teknologjisë dhe aplikacioneve të ndryshme, që iu jep mundësinë në qasje të informacionit në kohë reale dhe të jemi në hap me kohën; Mësimi në terren, si organizimi i ekskursioneve dhe vizitave në vende të ndryshme, si parqe kombëtare, muze, ose zona historike, ndihmon nxënësit të lidhin teorinë me praktikën; Projekte të bazuara në Hulumtim: nxënësit i angazhoj në projekte hulumtuese mbi tema gjeografike, si dhe krijimin e prezantimeve për të ndarë informacionin me të tjerët. Përdorimi i hartave të murit, në atllase gjeografike dhe atyre interaktive në internet, të tilla që ofrojnë informacion për relievin, klimën, popullsinë, etj. ndihmon nxënësit të eksplorojnë dhe të bëjnë pyetje në lidhje me botën. Në anën tjetër Integrimi i arteve dhe kulturës, ku përmes arteve, muzikës dhe kulturës së vendeve të ndryshme mundësohet të rritet ndjenja e tolerancës dhe kurreshtjes për të njohur diversitetin botëror. Dhe mos të harroj diskutimet dhe debatet mbi çështje gjeografike: Organizimi i debatëve dhe diskutimeve mbi çështje aktuale gjeografike, nxisin mendimin kritik dhe angazhimin aktiv të nxënësve.
Duke përdorur këto teknika inovative, mund të krijohet një ambient mësimor më dinamik dhe më tërheqës, i cili ndihmon nxënësit të zhvillojnë një kuptim më të thellë dhe më të gjerë të gjeografisë.

Cila është tema juaj e preferuar e gjeografisë dhe pse?

Gjeografia ka tema mjaft tërheqëse, të gjitha janë interesante, po ndoshta më me kënaqësi i shpjegoj temat për gjeografinë fizike, pra relievin, hidrografinë, klimën, dukuritë natyrore, poashtu veçoritë e popullsisë, por nuk mund ta fsheh edhe entuziazmin që më japin temat që kanë të bëjnë me Gjithësinë e Sistemin Diellor. Më duket që edhe nxënësit i preferojnë këto tema më shumë.

Si mendoni se gjeografia mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve globale?

Mendoj që janë dy çështje kyçe në këtë aspekt: Edukimi dhe Ndërgjegjësimi. Gjeografia ndihmon në edukimin e brezave të rinjë mbi çështje globale si ndryshimet klimatike, varfëria dhe zhvillimi, duke rritur ndërgjegjësimin dhe angazhimin për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Duke integruar këto aspekte, gjeografia mund të ofrojë njohuri dhe strategji të vlefshme për përballimin e sfidave globale, duke ndihmuar në krijimin e një bote më të qëndrueshme dhe më të drejtë.

Çfarë këshille do t’i jepnit një nxënësi që është i interesuar të ndjekë një karrierë në gjeografi?

Sipas mendimit tim, në vendin tonë nuk i japin shumë rëndësi lëndës së Gjeografisë, duke u nisur nga fakti që për stimulimin e të rinjëve që duan ta studijojnë Gjeografinë, nuk vërehet ndonjë strategji apo iniciativë. Edhe në arsimin parauniversitar, mendoj që lënda e Gjeografisë nuk vlerësohet si Gjuha shqipe, Matematika e shkencat natyrore dhe kështu pason edhe interesimi i ulët i të rinjëve që të studijojnë apo zgjedhin si profesion. Përkundër realitetit, mendoj që rëndësia e kësaj lënde është shumë e madhe. Studimi i gjeografisë mund të jetë i këndshëm dhe i kënaqshëm, duke të ofruar mundësinë për të ndarë pasionin tënd për natyrën, kulturat dhe shkencën me të tjerët.
Unë personalisht i inkurajoj të rinjtë që të studijojnë Gjeografi, pasi që ajo krijon një diapazon të gjërë të njohurive, mundëson eksplorimin dhe zhvillon pikëpamjet mbi botën, natyrën, mjedisin, popujt, gjeopolitikën, ekonominë e shteteve dhe gjithmonë jeni në hap me kohën dhe aktualitetet që ndodhin në botë. Të bëhesh mësimdhënës i gjeografisë është një mundësi për të edukuar, frymëzuar dhe ndihmuar brezat e ardhshëm të kuptojnë dhe angazhohen me botën që i rrethon.

Çfarë mendoni a duhet të bëhet testimi tek mësimdhënësit?

Pse jo? Mendoj që sistemi ynë arsimor, ka nevojë të identifikojë përparësitë dhe mangësitë që i kemi dhe të marr hapa konkret për zhvillimin profesional të mësimdhënësve aty ku shfaqet nevoja, që të kemi arsim sa më cilësor.

Testimi duhet të jetë diagnostifikues, pra me qëllim të identifikimit të nevojave të mësimdhënësve, duke iu ofruar trajnime adekuate për zhvillimin e tyre profesional.

©Albanian Education – Të gjitha të drejtat e rezervuara