Është një inxhinier elektrik dhe roboticist, studion në New York University (NYU). Synon titullin e doktorit të shkencave duke ndihmuar në përparimin e njohurive të njerëzimit në Elektronikë e Robotikë. Ka fituar fituar një bursë prestigjioze, si ajo e Rhodes për në Universitetin e Oxfordit. Fjala është për Uljad Berdicën nga Shqipëria.
Ai në një intervistë për “Kids of Kosova” (www.kidsofkosova.net) tregon çfarë emocione kishte kur mori telefonatën se ishte përzgjedhur fitues i bursës Rohodes për në Universitetin e Oxfordit, si dhe flet për planet e tij…
Së pari një prezantim i juaji, një CV e shkurtër, familja, shkollimi?
Unë jam një inxhinier elektrik dhe roboticist, studioj ne New York University (NYU). Puna ime kërkimore është e përqendruar në Robot Vision dhe Cybersecurity. Ajo konsiston më së shumti në krijimin e mjeteve dhe produkteve që ndihmojnë në përmirësimin e jetës së njerëzve dhe avancimin e punëve të tyre kërkimore. Aktualisht synoj të kem titullin e doktorit të shkencave duke ndihmuar në përparimin e njohurive të njerëzimit në Elektronikë e Robotikë.
Unë jam fëmijë i vetëm, prindërit e mi janë juristë dhe jetojnë në Shqipëri.
Ju keni fituar një bursë prestigjioze, si ajo e Rhodes për në Universitetin e Oksfordit. Na përshkruani pak momentin kur e kuptuat këtë?
Aplikimet për bursa e pozicione selektive si ai i Rhodes nuk duhet te shikohen si një mënyrë për të realizuar ëndrrat e për të vërtetuar veten apo si fundi i lumtur i një filmi. Mendoj se duhet parë si një mundësi për të njohur e vlerësuar më objektivisht veten duke qartësuar idetë mbi karrierën dhe identitetin. Prandaj, me këtë mendësi, nuk isha i fiksuar pas fitores, por pas procesit.
Momenti i telefonatës nga komisioni përzgjedhës ishte i pabesueshëm. Reagova në mënyrë të përmbajtur pasi qëlloi që isha ne bibliotekë sepse duhej të rikuperoja kohën e humbur të mësimit që e kisha kaluar duke u përgatitur për intervistat.
Kur do t’i bashkoheni Universitetit të Oksfordit dhe ç’synime keni më pas?
Studimet e mia doktorale fillojnë në fillim të tetorit 2022. Unë do te studioj aplikimet e inteligjencës artificiale ne Robotikë dhe Elektronikë.
Nëse pranoi ndonjë ftesë nga ndonjë institucion në Shqipëri, do të ktheheshit të jepni dijen dhe kontributin tuaj?
Besoj se është ëndrra e çdo shqiptari në mbarë Shqiptarinë që të ndihmojë vendin e vet. Dua të ndihmoj që Shqipëria të bëhet një vend me meritokratik, ku të rinjtë nuk ëndërrojnë që ta zhvillojnë talentin e tyre diku tjetër. Nuk dua që te rinjtë e brezave të ardhshëm të kenë të njëjtin ankth dhe pesimizëm që dukshëm ka kapluar brezin tim.
Qëllimi im, të paktën për këtë dekadë, është kontributi akademik dhe zhvillimi profesional ndaj nuk besoj se jam profesionalisht gati për t’u kthyer për një kohë të konsiderueshme dhe për të dhënë një kontribut domethënës. Nëse bëhet fjalë për një kohë më të gjatë ku unë do të kem burimet materiale dhe intelektuale për të dhënë kontribute domethënëse, sigurisht që do të kthehesha me shumë zell dhe përkushtim.
Por ju garantoj përzemërsisht se nuk do të jetë nga ndonjë ndjenjë detyrimi apo borxhi ndaj vendit tim, qeverisë apo forcave politike, por vetëm nga vlerësimi dhe dashuria e sinqertë për bashkatdhetarët e mi dhe për historinë unike që ndajmë.
Cili është mesazhi juaj për rininë në Shqipëri dhe në Kosovë që duan të ndjekin ëndrrat e tyre?
Mos bini në dashuri me fitoren dhe mos kini frikë humbjen sepse të dyja janë kalimtare. Bota dhe opinioni publik nuk janë e nuk do të jenë kurrë të drejta. Të tjerët mund t’u marrin gjithçka përveç punës suaj dhe gjërave që keni mësuar gjatë saj.
Kurrë mos u ndjeni sikur meritoni statuse apo lavdërime të caktuara. Qendra e masës e jetës suaj nuk duhet të jetë në mendimet e të tjerëve, por brenda vetes tuaj. Këto janë këshilla të cilat unë mundohem t’i ndjek përditë e shpesh i harroj vetë, nuk i kam të gjitha përgjigjet, e herë herë më duket sikur nuk kam asnjë. Vetëm një gjë e di me siguri, askush nuk merr atë që mendon se meriton në kohën dhe vendin e dëshiruar por nëse jeni të sinqertë me veten dhe aftësitë tuaja duke punuar fort, gjëra të mrekullueshme do t’ju ndodhin.
Nuk ka te rinj dembelë, ka vetëm të rinj që kanë frikë të investojnë të gjithë forcat e tyre nga frika se nuk do të mjaftojë. Sfida e vërtetë nuk është tek fitorja apo dallimi, është tek dhënia e maksimumit duke e ditur që mbase edhe mund të mos mjaftojë. Mos kini frike të keni ambicie të hapur e mos kini frikë të dështoni në sy të të tjerëve. Unë e them me krenari se kam shumë herë më shumë humbje se fitore.
Së fundmi, kujdesuni për shëndetin mendor dhe fizik. Mos e kornizoni veten me stereotipa, provoni gjëra te reja, udhëtoni sa më shumë, sa më lirë e sa më thjeshtë e ndonjëherë kaloni qëllimisht kohë në vetmi. /Kids of Kosova/ Albanian Education Today/