E shtunë, 27 Korrik, 2024

INTERVISTË| Fëllanza Kirajtani, koordinatore e cilësisë në shkollën “Emin Duraku” në Prizren: Të gjithë përgjegjës për rezultatin jo të mirë në PISA

- Advertisement1-

Pas rezultateve të dobëta të PISA-s, shkolla fillore “Emin Duraku” në Prizren ka filluar menjëherë të mbajë mësimin plotësues me nxënësit.

Gazeta Online AlbanianEucation.net ka realizuar një intervistë me Fëllanza Haskuka Kirajtani, koordinatore e cilësisë në këtë shkollë, me çrast ka bërë të ditur se gjatë tërë këtij viti shkollor po planifikojnë të mbajnë mësim plotësues.

- Advertisement -

“Kemi filluar me klasat e V-ta prej ciklit të ulët dhe komplet me klasat e ciklit të lartë VI-IX. Janë përcaktuar nxënësit  sipas lëndëve që duhet të jenë pjesëmarrës të orëve plotësuese”, ka thënë ajo në këtë intervistë.

Koordinatorja Kirajtani ka treguar se edhe cili është roli i koordinatores së cilësisë, ndërsa flet edhe për tema tjera, si për testimin e mësimdhënësve apo jo, kush është fajtori për rezultatet e dobëta në PISA e çështje të tjera.

Lexoni të plotë intervistën me Fëllanza Haskuka Kirajtani, koordinatore e cilësisë në shkollën “Emin Duraku” në Prizren:

Një CV e juaja, që të ju njohin lexuesit tonë?

Jam Fëllanza Haskuka Kirajtani, e lindur me 1 qershor të vitit 1971 në Prizren. Kam përfunduar Bachelorin për Fushën Shoqëria dhe Mjedisi, ndërsa magjistraturën e kam të përfunduar në degën e Trashëgimisë Kulturore dhe Menaxhimit të Turizmit.

Prej vitit 1992 jam punësuar si mësimdhënëse e Histori-Gjeografisë,  ku edhe sot vazhdoj këtë profesion në SHFMU”Emin Duraku”, në Prizren.

- Advertisement -rrrrrrr

Përpos që jam mësimdhënëse jam edhe Këshilltare për të Drejtat e Fëmijëve, për fuqizimin e Këshillit të Nxënësve në shkollë ku implementojmë aktivitete në fokus me të drejtat dhe detyrimet e nxënësve. Gjatë vitit realizojmë projekte të ndryshme  dhe për tema të caktuara në takimet mujore të Këshillit të Nxënësve ftojmë mysafir të profileve të ndryshme.

Jam anëtare e Shoqatës së Mësimdhënësve të Historisë në Kosovë dhe anëtare e EUROCLIO-së (Shoqata Evropiane e Edukatorëve të Historisë).

Kam qenë anëtare e Komunitetit “Suksesi”, në bashkëpunim me pesë shkollat e Komunës së Prizrenit, ku kemi organizuar aktivitete të përbashkëta si kuize, gara sportive në mes nxënësve dhe bashkëpunime të ndryshme edhe me mësimdhënës të këtyre shkollave.

Me qendrën EDUKIMI.NET kam bashkëpunuar për realizimin e njësive mësimore për nxënës në mënyrë elektronike, E-learning.

Përpos me fëmijë jam marr edhe me trajnimet për të rritur, ku si trajnere e MKLSH-ës (“Zhvillimi i Mendimit Kritik gjatë  Lexim –  Shkrimit”) kam trajnuar nje numër të madh të mësimdhënësve të shkollave të ndryshme.

Kam të përfunduar mbi 40 trajnime profesionale brenda Kosovës, por kam qenë edhe jashtë ven-dit në trajnime të ndryshme e vizita studimore lidhur me arsimin si në Poloni, Zvicër, Rumani, Turqi disa herë, Mal të Zi, Gjermani dhe Luksemburg.

Jeni koordinatore e shkollës “Emin Duraku” në Prizren. Na tregoni cila është puna që bën një koordinatore në shkollë, detyrat/përgjegjësitë?

Prej pilotimit të KKK nga viti  2014 kam qenë koordinatore e Kurrikulës. Më vonë kam filluar të kryej edhe detyrën si koordinatore e cilësisë në shkollë. Zakonisht në konsultim me drejtorin e shkollës, hartoj Planin e Veprimit,  ku përcaktohen aktivitetet që duhet të realizohen nga kryetarët e fushave. Parashikojmë trajnime të nevojshme brenda shkollës, për të organizuar  nga vet shkolla, ose të  bëhet kërkesë nga DKA-ja dhe MASHTI.

Në bashkëpunim me kryetarët e -AP të fushave kurrikulare, organizoj kalendarin e takimeve për secilën fushë kurrikulare. Organizoj takime të vazhdueshme me kryetarët e Aktiveve dhe kërkesat e tyre për materiale, mjete mësimore, orenditë e tjera, i delegoj tek drejtori i shkollës.
Në koordinim me kryetarët e AP kompletoj dosjen fizike dhe elektronike me dokumentacione të ndryshme të planifikimeve kurrikulare në shkollë. Kolegialisht në rolin e këshilldhënëses shkoj edhe në monitorimimin e orëve mësimore në shkollë.

Në mënyrë periodike i raportoj drejtorit për aktivitet që realizohen nga fushat e ndryshme.

Në shkollën “Emin Duraku” ka nisur mësimi plotësues. Nga erdhi ideja, lindi pas rezultateve të dobëta të nxënësve kosovarë në PISA?

Rezultatet e testit PISA edhe këtë vit ishin të ulëta. Gjatë konsultimeve në shkollë erdhëm në përfundim se nxënësit  janë duke lexuar pak dhe sidomos kur është në pyetje zgjidhja e problemeve ku ka tekst më të gjatë, ata nuk koncentrohen në kuptimin e kërkesës së detyrës. Andaj duke kërkuar shkakun e mosarritjes së rezultateve të mira, elementi i parë ishte nxitja e leximit të përforcohet tek nxënësit. Si element gjithpërfshirës e vendosëm së bashku me drejtorin  dhe mësimdhënësit e gjuhës shqipe që çdo muaj të kenë nxënësit edhe nga një libër shtesë prej biblotekës së shkollës, pos librave/lektyrave mujore, që i kanë sipas planprogramit.

Pos asaj u dakorduam që në shkollë çdo ditë të mbajmë nga një orë plotësues për nxënës që kanë ngecje në mësime. Përkrahje pozitive kishim nga të gjithë mësimdhënësit e poashtu edhe nga prindërit dhe nxënësit që do të jenë pjesë e këtyre orëve.

Kemi bërë orarin i cili është vendosur edhe në sallën e arsimtarëve, ku çdo ditë një orë shtesë mbahet nga lëndë të fushave të ndryshme.

Sa do të zgjatë mësimi plotësues në shkollën tuaj, dhe me cilat klasa do mbani?

Gjatë tërë këtij viti shkollor po planifikojmë të mbajmë. Kemi filluar me klasat e V-ta prej ciklit të ulët dhe komplet me klasat e ciklit të lartë VI-IX. Janë përcaktuar nxënësit  sipas lëndëve që duhet të jenë pjesëmarrës të orëve plotësuese.

Çfarë hapa duhet ndërmarrë në përgjithësi të ngritet cilësia në arsim në vendin tonë?

Për mësimnxënie, pos angazhimit të mësimdhënësve në shkollë, gjithashtu edhe angazhimi i prindërve në shtëpi, luan rol shumë të rëndësishëm. Bashkarisht të edukojmë mendjen dhe zemrën e tyre. Puna me fëmijë është punë që duhet të kryhet me shumë përgjegjësi. Ata janë ardhmëria e vendit. Duhet t’ju ofrojmë atyre mundësi të reja se si të krijohen shkathtësitë, dijet dhe vlerat me kultivimin e identitetit personal, kombëtar, të përkatësisë shtetërore , duke promovuar vlerat e përgjithshme kulturore dhe qytetare.

Tek nxënësit duhet zhvilluar përgjegjësitë ndaj vetes, ndaj të tjerëve, ndaj shoqërisë dhe ndaj mjedisit. Duhet të aftësojmë për jetë dhe për punë në kontekste të ndryshme shoqërore e kulturore, me pëdorimin e teknologjisë, si proces e mësim gjatë gjithë jetës.

Nxënësit, shkollat duhet t’i shohin si qendër e rekreacionit e jo vend ngulfatës. Personalisht kam dëshirë që të krijohet tek nxënësit empatia për fëmijët me nevoja të veçanta; të respektohen në përgjithësi njerëzit e në theks të veçant të moshuarit;

Librat kur të lexojnë, të analizojnë dhe të vlerësojnë. Të çmojnë trashëgiminë kulturore. Të kujdesen për higjienën personale dhe mjedisore, duke u vetdijësuar për pasojat e mjedisit të ndotur. Të qëndrojnë larg gjërave që rrezikojnë shëndetin e tyre si dhe të gëzojnë e të çmojnë  lirinë ashtu si duhet.

Kush është përgjegjësi sipas jush për rezultatet e dobëta në PISA?

Edhe pse thuhet “FAJI ЁSHTЁ JETIM” në këtë rast të gjithë duhet të ndiejmë një pjesë të fajësisë në  rezultatet e dobëta të testit PISA. Duke filluar nga nxënësit që duhet të tregojnë interesim më të madh në mësimnxënie, mësimdhënësit më të përkushtuar në mësimdhënie, prindërit më të përgjegjshëm në përkrahjen e vazhdueshme gjatë kryerjes së detyrave të shtëpisë dhe përsëritjen e njësive të mësuara. DKA në përzgjedhjen e mësimdhënësve më meritor. MASHT në zhvillimin e trajnimeve që ndikojnë në ngritje profesionale të mësimdhënësve si dhe në përzgjedhjen e planprogrameve adekuate.

Planprogrami kurrikular duhet të rishqyrtohet me shumë kujdes që të ketë përputhshmëri me planprogramet ndërkombëtare. Ne mund të realizojmë rezultate kurrikulare të cilat as që përfshihen në testin PISA.

Duhet paraprakisht të ushtrohet forma e pyetjeve, që parashtrohen në këtë test.

Ndoshta edhe përkthimi joadekuat i pyetjeve nga gjuha angleze në gjuhën shqipe mund të jetë një ndër arsyet e rezultateve jo të kënaqshme.

A duhet të testohet mësimdhënësit apo të shtohet numri i inspektorëve në arsim?

Po në çdo profesion nëse nuk përcillen hapat e reja të zhvillimit do të ketë ngecje. Çdo profesion duhet të konsiderohet si mësim gjatë gjithë jetës dhe sidomos profesioni i mësimdhënësit duhet të ndjek vazhdimisht ndryshimet që bëhen në botë dhe në shoqëri.

Pjesëmarrja në seminare të reja është obligative për të gjithë ne, që jemi pjesë e arsimit. Element shumë i rëndësishëm në mësimdhënie konsiderojmë vlerësimin e nxënësve, sepse me anë të vlerësimit na masim arritjet e tyre.

Andaj mendoj që edhe vlerësimi i mësimdhënësve duhet të jetë pjesë gjatë profesionit të mësimdhënësit jo vetëm gjatë studimeve, apo punësimit por edhe gjatë ushtrimit të këtij profesioni të shenjtë. Shumë e arsyeshme dhe e nevojshme është që të bëhet vlerësimi i mësimdhënësve dhe të gjithë të dijmë veten se ku jemi dhe ku duhet të përforcohemi. Pse jo edhe kjo të ndikoj në ngritjen e performances, motivimin dhe pagën e mësimdhënësit.

Unë disa herë për punën dhe angazhimet shkollore jam shpëblyer me mirënjohje nga drejtori i shkollës, DKA-ja e Prizrenit, MASHTI dhe kjo më ka motivuar që edhe më me përgjegjësi të përkushtohem në kryerjen e obligimeve në profesionin tim.

Ndërsa sa i përket inspektorëve, po duhet të shtohet numri, mirëpo inspektor që janë EKSPERT të vërtetë në këtë lëmi, ku pos rolit si kontrollues të japin edhe këshilla ku duhet të ketë përfo-rcime apo edhe përmirësime e ndryshime tek mësimdhënësit.

Për fund, cili është mesazhi juaj për drejtorët e shkollave, mësimdhënësit dhe prindërit?

Drejorët e shkollave të jenë menaxher të vërtetë dhe vendimmarrës. Të bashkëpunojnë me gjithë stafin në përmirësimin e kushteve shkollore, për pasurimin e mjeteve dhe mirëmbajtjen e mjedisit shkollor.

Mësimdhënësit duhen me ndërgjegje të merren me profesionin, mos të kursejnë veten që të bëjnë maksimumin në mësimdhënie. Dhunën e çfarëdo forme qoftë, reptësisht mos të lejojnë të jenë pjesë e shkollave tona.

Prindërit, siç ceka edhe më lartë, të tregojnë përkushtim më të madh për të ndihmuar fëmijët e tyre në kryerjen e detyrave të shtëpisë dhe në përforcimin e njësive. Të tregojnë interesim në zhvillimin sa më të shëndosh të fëmijëve si në aspektin edukativ po ashtu edhe arsimor.

Krijimi i një klime bashkëpunuese në mes gjithë akterëve të shkollës është çelësi kryesor i  suksesit.

©AlbanianEducation Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Argjent Latifi nga Podujeva diplomon në njërin prej universiteteve më të njohura në Londër

I riu kosovar Argjent Latifi, me origjinë nga qyteti i Podujevës, është bërë tashmë...

Thyhet akulli, zv.ministri i Arsimit takon Rrahman Jasharaj – flasin për koeficientin e pagave

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, duke iu përgjigjur ftesës, u takua me zëvendësministrin e...

ANKETA: Edukimi Medial të vendoset si lëndë obligative në shkollat e Kosovës

Duke pasur parasysh që konsumues të përmbajtjeve të mediave online janë të gjithë, përfshirë...

Zyrtarja e MASHTI-t: Arritëm ta ulim çmimin e teksteve shkollore, shtëpitë botuese ishin kundër

Kryetarja e Komisionit për negocimin e teksteve shkollore, Merita Januzaj është intervistuar për rreth...