E premte, 20 Shtator, 2024

INTERVISTË| Fadil Curri: Dy ngjarjet që nuk do t’i harrojë kurrë si mësimdhënës

- Advertisement1-

Nga Albanian Kids Education


Nuk i kanë mbetur as dy vite deri në pensionim. Por mësimdhënësi Fadil Curri, i shkollës “Ilaz Thaçi” në Han të Elezit, thotë se për një mësues nuk ka pension deri në frymën e fundit, sepse konsideron se mësuesi i mirë është nxënës tërë jetën.

- Advertisement -

Mësuesi Curri në një intervistë për Albanian Kids Education (www.kidsofkosova.net) tregon se kur nisi punën si mësimdhënës dhe nëse është penduar që ka zgjedhur këtë profesion, rrëfen dy ngjarje që thotë se nuk do t’i harrojë kurrë, flet për arsimin sot dhe atë të paraluftës, si dhe flet edhe për tema tjera që lidhen me arsimin.

Lexoni të plotë intervistën me mësuesin Fadil Curri dhënë për Albanian Kids Education:

Një CV e shkurtër e juaja?

Kam lindur në Dërmjak të Hanit të Elezit në vitin 1959. Po këtë vit familja ime u shpërngul në Shkup, ku përfundova gjimnazin “Zef Lush Marku” dhe Fakultetin Filologjik, Katedra Gjuhë Shqipe e Letërsi. Pas diplomimit më 1982 nisa punën gazetar, më vonë kryeredaktor i gazetës industriale “Sharri” të kombinatit omonim. Jam redaktor, recensionist, lektor prezantues i qindra librave të autorëve shqiptarë e botërore. Përsekutimet e parreshtura nga regjimi komunist jugosllav, pastaj edhe maqedonas, për veprimtarinë atdhetare e më shumë liri që i aspirova për shqiptarët e nëpërkëmbur, më detyruan të largohem përkohësisht në Belgjikë e Gjermani.

Nga viti 1998 nisa të punojë në shkollën “Ilaz Thaçi” (atëbotë “Tefik Çanga”) të Hanit të Elezit. Qysh në shkollimin fillor kam nisur të shkruajë poezi dhe sot jam autor i 15 librave të botuar në poezi, romane, tregime, drama, publicistikë, disa shkrime të përkthyera në disa gjuhë të botës. Gjatë vitit 2022 jam shpallur mësimdhënësi i vitit në komunën e Hanit të Elezit. Nuk më kanë mbetur as edhe dy vjet deri në pension. Përkundër sëmundjeve të shumta, shpresoj se do t’ia dalë deri në fund ta përmbylli karrierën.

Do të na thuash për fillimin e punës si mësimdhënës?

- Advertisement -rrrrrrr

Ishte viti 1998, kur sigurimi shtetëror i Maqedonisë ma bëri ndalesën për qëndrim atje dhe më deportuan, duke më ndarë nga familja për gjashtë vjet e gjysmë. Qëllimet e tyre dukej se ishin obskure, ndaj edhe nuk mund t’I pranoja dot. Shtohej para meje dilema hamletiane: të jem Fadil Curri i vërtretë dhe të përjetoj mynxyrat që më presin ose të mos jem Fadil Curri i vërtetë dhe të përjetoj nënshtrimin ndaj tyre në dëm të kauzës që i kam shërbyer tërë jetën. E zgjodha të dytën me mynxyra dhe e shpëtova unin tim jetësor. Ngaqë isha edhe i papunë, e pashë të udhës që të punoj pa pagesë në arsim se sa të rri kot së koti. Duket si punësim aksidental, por përcaktimin jetësor në studime e pata zgjedhur arsimin, pikërisht të lëndës gjuhë Shqipe e Letërsi. Kjo fushë nuk më ishte e panjohur, sepse pesë vite isha i korrespondent i akredituar i gazetës “Shkëndija” të Prishtinës për Maqedoni.

Jeni pendura që nisët karrierën në arsim?

Kurrsesi. Në rininë time arsimimin e trajtonim si çelës i zgjidhjes më fatlume të zgjidhjeve të çështjeve kombëtare. Edhe kur punoja si gazetar, shkrimet i peshoja nga prizmi i ndërgjegjësimit e arsimimit të lexuesve, popullit. Për këtë ishim gati edhe të flijonim dhe shumë intelektualë e kanë bërë me burgosje, përndjekje, por edhe me vdekje. Shembull flijimi në anën tonë e kemi mësuesin Shaban Çupi, të cilin dy herë e burgosi regjimi antishtiptar serb, bile edhe Burgun e Dubravës famëkeqe e përjetoi së fundi. Mësuesit e tipit të Afërdita Skenderit në romanet e Sterjo Spasses dhe të Migjenit ishin shembuj si asgjë nuk duhet kursyer për arsimimin e popullit. Edhe unë e ndjeja se me punën time sikur ujitja disa lule(nxënës) që më vonë do të zhvillohen me bukuri, erë të këndshme e freski popullore.

Po rezulton se lloji i mësuesit si ju ka ndikim të dyfishtë mësuesor?

Gjithsesi po. Mësuesi profesional në shkollë dhe mësuesi popullor e kanë të përbashkëtën e dashurisë, por dallojnë se të dytët e kanë gjeografinë e ndikimit më të madh. Jo kot Eqrem Çabej ka bindje se mësuesi nuk është vetëm profesion, por edhe mision. Konkretisht, ne mësuesit që merremi edhe me letërsi e kemi ideal të ndikojmë me vetëdijësim, moralizim e guxim te njerëzit. Sa më shumë sukses që kemi në këtë drejtim, aq më shumë kënaqemi dhe trimërohemi për vepra të mëtejmë. Bie fjala, Migjeni ka punuar në Pukë e Vrakë si mësues, por mësues më popullor dhe më i përgjithshëm ka qenë përmes letërsisë së shkruar, që edhe sot e kësaj dite shërben si mësonjtore e brezave në kohë e vende të ndryshme.

Mund të na veçoni ndonjë ngjarje nga koha e punës suaj si mësues dhe që nuk e harroni sa jeni gjallë?

Po, janë dy kundërngjarje që nuk i harroj dot. Ngjarja e parë është kur në shkurt të 1999 u detyruam ta pezullojmë punën për shkak të gjendjes së sigurisë pas vrasjes së patriotit të përdëftuar Gafur Loku dhe djalit të tij, Dritonit. Ishte shumë keq të largoheshe nga nxënësit, kolegët e pridëritit e tyre, shkolla.

Ngjarja e dytë është kur u kthyem përsëri pas luftës, kur ishim të lirë të mësonim pa i pasur rrotull tytat e pushkëve të soldateskës serbe, të cilët gjatë regjimit të tyre ishin tejet gjakpirës, sa edhe fëmijë vranë, si ndodhi me Isa Berishën e këtushëm.

Mund të krahasoni kohën e atëbotshme me të sotmen në arsim?

Atëbotë kishte vështirësi të njëmendta arsimi, por dëshirë e përbashkët ishte të jenë afër shkollës. Rrezikohej nxënësi e mësuesi me ardhje në shkollë, por e ngushëllonte patundshëm aspirata e madhe për liri e bashkim. Sot nuk i kemi ato vështirësi, por kemi disi ftohje nga dija, edukata dhe emancipimi. Duket se pas luftës i përqafuam disa metoda pune të papeshuara si duhet, duke krijuar nga kierarkia kurikulare plot paqartësi e anarki. Që është edhe më e dhimbshme, me decenie nuk po mund t’i marrë këmbët e veta arsimimi. Gjendja është e hutuar, dëshpëruese e pa optimizëm perspektiv. Ndaj institucionet e arsimit duhet të ndërmarrin qëndrime të vendosura, nëse duan ta ndalin injorancën, egërsinë joedukative, grindjet, suksesin e dobët, të mos jemi objekt rezerv i PISA-s ndërkombëtare. Rrëmuja është shkaktuar nga shpejtësia e kualifimit të kuadrove përmes diplomave të brendanatshme, jotestimin e joinspektimin e tyre të merituar, mungesën e vërtetimit të tyre në praktikë intelektualisht e moralisht. Kjo ka bërë që edhe nxënësit të mos e kenë nderimin ideal ndaj mësuesit, që edukata e tyre të jetë tejet jomiqësore, shkathësitë për jetë të tyre që sot të jenë të deformuara.

Keni qenë edhe drejtor komunal i kulturës, rinisë e sportit. Mund të na flisni me krahasim shkollor?

Në shembullin e menaxhimit në shkollë, po shërbehem nga kolektivi ynë. Nuk kemi nge të frikësohemi nga drejtori, as ai nuk kënaqet të na rrijë diktatshëm mbi kokë, të na përcjellë dyshueshëm, përbuzshëm. Kam përshtypjen se e numëron veten si i pari i të parëve. Kemi përjetuar gjatë pandemisë kur disa ditë ka munguar drejtori dhe nuk kemi lënë asgjë mangu, spse të gjithë i kemi kryer punët tona, bile më të katërciptë se kur ishte I pranishëm, duke i mbajtur orët e administratën si duhet. Drejtori i mirë kolektivin e percepton si famijen e tij. Dikush më nervoz, tjetri më përtac, ndonjë me asgjëllëk, por jo të lidhet për cikërima. Secili e ka hakun e vet. Me kolegialitet, zell pune e drejtësi, menaxheri kalon si më mirë me kolegët e veten, sepse punët shkojnë mbarë e mirë vetvetiu.

Nuk kanë mbetur as dy vite të pensionoheni. Si do të duket rrjedha jomësuesore e jetës pastaj?

Për mua, për një mësues e shkrimtar, nuk ka pension deri në frymën e fundit, sepse e konsideroj se mësuesi i mirë është nxënës tërë jetën. Edhe sot, pikërisht pas 40 vite diplomimi, së paku 3-4 orë në ditë lexoj e shkruaj. Bile habitem kur dëgjoj ndonjë mësues se me vite të tëra nuk ka lexuar ndonjë libër, nuk e ka freskuar e plotësuar intelektin e tij. Ngathtësia në këtë drejtim vetëshpjegon se mësuesi përtac është i painteresuar të japë nga vetja, sepse nuk ka çfarë të japë. Kur mësuesi nuk lexon, nuk prodhon, shpejt edhe nuk ka se çfarë të ofrojë në tregun shkollor para nxënësve, kolegëve, prindërve, popullit, bile as para familjes së vet. Do të vazhdoj të kujdesem për arsimimin e brezit që do ta lë pas, qoftë përmes shkrimeve të mia, mbase edhe kujtimet nga shkollimi im ose puna ime mësuesore, qoftë me nipër e mbesa. Kjo do të ishte porosia ime ndaj mësuesve të sotëm, pra të jenë nxënës(të nxënë dijen) tërë jetën. /Albanian Kids Education/

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Shkolla “Bajram Abdiu”, në Bicaj të Kukësit e renovuar tërësisht – nxënësit do të mësojnë me kushte dinjitoze

Shkolla "Bajram Abdiu", në Bicaj të Kukësit, është renovuar komplet. Pamjet i ka ndarë...

Agim Baçi: Mësojuni fëmijëve se gjyshërit nuk janë vetëm prindërit e prindërve, por edhe një histori dhe përvojë më vete

A e dini se gjyshërit nuk janë vetëm prindërit e prindërve, por edhe një...

Ben Gavazaj, nxënësi nga Prizreni që la Amerikën dhe u kthye në Kosovë

Ben Gavazaj, është nxënës i klasës së katërt në shkollën "min Duraku në Prizren....

Ekspertët: Çfarë masash duhet të marrin shkollat që nxënësit të ushqehen patjetër me një vakt të marrë nga shtëpia?

Ekspertët e huaj ngrenë alarmin: Është shumë e rëndësishme që fëmijët të marrin vakt...