Është nga Gjilani por jeton në Austri nga ku nuk i ndahet shkencës e as cilësisë në punën që ajo bën çdo ditë. Ajo është gruaja e parë nga Kosova dhe Shqipëria që në vitin 2011 ka hyrë në librin enciklopedik më prestigjioz në botë “Who´s Who in the World”, libër ky që boton biografitë e personave të cilët shquhen për të arriturat e tyre dhe karrierën e jashtëzakonshme.
Fjala është për Dr. Lumnije Kqiku, e në një intervistë dhënë për Albanian Kids Education (www.kidsofkosova.net) e cila flet për çmimin që ka pranuar më shumë se 11 vite më parë.
Dr. Kqiku në këtë intervistë tregon sa është vështirë një grua shqiptare të arrijë sukses në shtetet e huaja dhe flet për çështje të tjera.
Së pari një CV e shkurtër e juaj?
Kam lindur në Gjilan, shkollën fillore dhe te mesme të mjekësisë e kam përfunduar po në Gjilan, ndërsa studimet në Fakultetitin e Mjekësisë, Dega e Stomatologjisë, në Universitetin e Prishtinës i kam përfunduar në vitin 1998.
Në vitin 1999 isha në vizitë studimore në Klinikën Dentare Universitare të Gracit. Ndërsa në vitin 2003 nostrifikova diplomën e Fakultetit në Universitetin Mjekësor të Gracit, Austri ku edhe mbrojta magjitraturën. Në vitin 2006 përfundova doktoratën, dhe u promovova specialiste të endodoncisë. Nga viti 2012 jam zëvendës-udhëheqëse e Klinikës Speciale të Endodoncionit dhe Traumatologjisë Dentare në Grac të Austrisë.
Jam prodekane per studimet postdiplomike ne seksionin e stomatologjis si dhe koordinatore për CEEPUS (Central European Exchange Program for University Studies).
Jam autore dhe bashkautore e punimeve të shumta profesionale dhe shkencore. Kam marrë pjesë aktive në kongrese ndërkombëtare dhe vendore. Jam anëtare e shumë shoqatave dentare vendore dhe ndërkombëtare, njëherit edhe recenzente e shumë revistave shkencore dentare.
Jam nënë e tre fëmijëve, dhe bashkëshorte e mjekut po ashtu të njohur Dr.med.univ. Robert Biblekaj.
Ju keni prekur majat e shkencës, si shqiptarja e parë në enciklopedinë “Who´s Who in the World”. Na flsini pak, kur ndodhi, si e kujtoni dhe çdo të thotë kjo për ju?
Kjo ndodhi më 2011! Kisha emocione sepse hyra në librin enciklopedik më prestigjioz në botë, libër ky që boton biografit e personave të cilët shquhen për të arriturat e tyre dhe karrierën e jashtëzakonshme. Ishte garë e vështirë por nuk mungoi suksesi.
Për mua do të thotë: për objektivat që i vendos vetës duhet të punohet çdo ditë me përkushtim dhe suksesi është i garantuar. Pikënisja e rrugëtimit në botën e suksesit është caktim i qëllimit qe kemi.
Sa është vështirë një grua shqiptare të arrijë sukses në shtetet e huaja?
Natyrisht që nuk është lehtë, por motivi dhe puna e vazhdueshme sjellin tek caku.
Sfidat janë prezente pothuaj në të gjitha profilet e punës, por gratë arrijnë t’i tejkalojnë çdoherë me shkathëtesin dhe mençurinë që kanë, mendoj të jesh një grua udhëheqëse ka më shumë përparësi, sepse gruaja është arkitekte e çdo gjëje të bukur që e shohim, e kjo pikërisht vlen edhe për menaxhimin në profesion, por edhe në familje!
Cilat janë planet tuaja në një të ardhme të afërt?
Kam disa plane konkrete në të ardhmen për të cilat jam duke punuar dhe së shpejti do të ketë edhe hapa konkret në gjëra klinike dhe kërkimore gjegjësisht në shkencën e mjekësisë.
Pra në këtë vizion për 10 vitet e ardhshme do të punoj çdo ditë me hapa konkret për garantuar rezultatin dhe një pjesë të suksesit do ta dërgojë në vendlindje sepse vetëm kështu te arriturat kanë vlerë.
Një përgjigje për plagjiatorët e Universitetit të Prishtinës?
E sakt është që suksesi i takon punës që bëjmë dhe synimeve që ia kemi caktuar vetës. Çelësi i suksesit është të pëlqesh dhe prezantosh atë që bën vet e jo të imitosh të tjeret! Imitimi sidomos në shkencë është sjellje jo toleruese.
Për fund, mesazhi juaj për të rinjtë kosovarë që duan të studiojnë në shtete të ndryshme të botës?
Sfidat e bëjnë njeriun të pathyeshëm. Besoni në veten tuaj, dëgjoni njerëzit e suksesshëm, mësoni nga përvojat e tyre. Mos hiqni dorë nga ëndrrat tuaja, sado larg që të duken ato, janë të arritshme. Qëndroni autentike ajo që jeni, s´keni nevojë të kopjoni të tjerët.
Mos harroni; të fuqishme ju bën vetëbesimi dhe dashuria ndaj vendit tuaj.
Mbahuni fort për rrënjët tuaja kombëtare, sepse vetëm kështu trupi ka vlerë; Çdo gjë që ne bëjmë duhet të mendojmë që një pjesë të suksesit e dërgojmë në vendlindje. @AlbanianKidsEducation