E premte, 20 Shtator, 2024

INTERVISTË| Burim Avdijaj, mësimdhënës i Biologjisë: Ditarin për herë të parë e kapa si 20-vjeçar – kurrë në jetën time s’do t’a harroj atë moment

- Advertisement1-

Në kuadër të intervistave me mësimdhënës AlbanianEducation.net ka realizuar një të tillë me Burim Avdijaj, mësimdhënësi i biologjisë, në shkollën  “Drita” në Gramaçel të Deçanit. Ai në këtë intervistë tregon punën e tij të përditshme me nxënës, ndërsa rrëfen edhe momentin kur kapi ditarin për herë të parë në moshën 20-vjeçare.

Në këtë intervistë mësimdhënësi Avdijaj flet edhe për çështjen e pagave dhe atë të testimit apo jo të mësimdhënësve.

- Advertisement -

Lexoni të plotë intervistën me mësmdhënësin Burim Avdijaj realizuar nga AlbanianEducation.net.

Një CV e shkurtër e juaja, ku jepni mësim, në cilën shkollë, sa keni përvojë?

Quhem Burim Avdiaj, Kam të kryer Fakultetin e Edukimit dhe njëherit kam përfunduar një master shkencor. Jam mësimdhënës i lëndës së biologjisë. Katër vite para luftës së fundit, 1995-1999 kam punuar në SHFMU “Rilindja” në Dobrigje, komuna e Gjakovës ndërsa që nga viti 1999 e tutje punoj si mësimdhënës i biologjisë në SHFMU “Drita” në Gramaçel, komuna e Deçanit. Kam një përvojë pune 29 vjeqare. Që nga viti 2002 jam trajner në shumë programe, si në organizata vendore poashtu edhe ndërkombëtare: KEDP,  MASHT, SBASHK, USAID, GIZ e së fundmi edhe trajner i KKK për shkenca të natyrës.

A mund të na përshkruani një ditë mësimi me nxënësit tuaj? Sa jeni të kënaqur me mësimnxënien e nxënësve?

Për mua orari mësimor fillon që nga ora 7:30, kur unë veç e hapi derën e kabinetit (ku edhe e mbajë mësimin me nxënës). Përgatiti klasën varësisht nga planprogrami mësimor dhe në të njëjtën kohë edhe e bëjë një test të mjeteve të TIK-ut të cilat i posedoj në klasë. Kabineti im është funksional që nga viti 2002 ku secilin vit jam munduar ta modifikoj, siç edhe kam arritur që sot kam një kabinet tepër funksional, ku orët e biologjisë realizohen duke ndërlidhur teorinë me praktikën. Mundohem që të jem tepër i afërt me nxënës, ku gjithmonë mundohem që secili në klasë të jetë i barabartë me njëri-tjetrin dhe ajo çka më bënë përshtypje është se secili nxënës me padurim e pret orën e biologjisë.
Në ora 08:00 filloj mësimin më nxënës, ku menjëher filloj me një përmbledhje të asaj që kemi mësuar orët e kaluara. Kjo përmbledhje fillon me parashtrim të pyetjeve nga ana ime dhe me marrje të përgjigjeve nga nxënësit ku shpesh mundohem që edhe ata nxënës që janë më pasiv t’i inkuadroj edhe ata në arritjen e rezultateve. Njësitë mësimore i mbaj duke punuar sllajde në POWER POINT dhe ato sllajde i prezentoj përpara nxënësve përmes SMART TV dhe secilin rresht në sllajd e komentoj para nxënësve derisa ata ta kuptojnë. Për secilen paqartësi që nxënësit hasin gjatë leximit të njësisë mundohem t’ju japë përgjigje dhe në këtë mënyrë e lehtësoj edhe të nxënit e tyre. Në pjesën e fundit të orës mësimore nga nxënësit marr produktin – atë që ata kanë arritur të mësojnë dhe të dokumentojnë gjatë të lexuarit të njësisë mësimore.

Sa i përket pyetjes se sa jam i kënaqur me nxënien e nxënësve, është shumë e vështirë të përgjigjem sepse ky vit sipas mendimit tim është ndër vitet më të “dështuara” të karrierës sime (jo të gjithë nxënësit) pasi që shumë po mungon rezultati i tyre. Jam i bindur se ky mossukses është nga përdorimi i tepërt i telefonave, lojërat e tepërta të tyre në kompjuter si dhe papërgjegjësia e prindërve (jo të gjithë prindërve) për fëmijët e tyre. Kjo i bënë fëmijët që të mos jenë të interesuar për të nxënë.

- Advertisement -rrrrrrr

Si janë kushtet në shkollën tuaj. Çfarë ju mungon diçka që do të kishit dëshirë ta keni?

Shkolla jonë posedon kushte tepër të mira, sepse ka kaluar vetem një vit që kemi hyrë në objekt të ri, ku përveç klasave të mësimit shkolla jonë posedon: Kabinetin e biologjisë, kimisë, fizikës, gjuhës angleze, informatikës, bibliotekën, sallën e leximit, palestren e sporteve si dhe çdo e dyta klasë e kanë një minikabinet në mes. Personalisht jam edhe përfitues i dy granteve të Bankës Botërore (me vlera 10000 $ dhe 12000 $) dhe së fundmi edhe i një projekti të IOM-it me vlerë rreth 16000 €, andaj shkolla jonë është e paisur me mjete konkretizimi si për shkenca natyrore, shkenca shoqërore, llaptopë dhe projektor. Së bashku me kolegen time mësimdhënëse të gjuhës angleze ishim pjesë e punës vullnetare të OJQ-së TOKA ku edhe e kemi lartwsuar bibliotekën e shkollës së bashku me nxënësit e klasës së nëntë të vitit shkollor 2018. Biblioteka e shkollës është e paisur me mbi 1200 romane dhe lektyra për të cilat kujdeset bibliotekisti  shkollës. Ajo çka na mungon është vetem paisja e klasave me Smart table (tabela të menqura) dhe Smart TV (televiziona të menqur).

Po fillimin e punës si mësimdhënëse si e kujtoni? Kur keni kapur ditarin për herë të pare, çfarë emocione keni pasur?

Kjo më sjellë nostalgji. Si i ri 20 vjeçar fillova punën si mësimdhënës në SHFMU “Rilindja”    në Dobrigje. Si sot më kujtohet se si një mësimdhënëse në atë kohë (sot drejtoreshë shkolle, Hyrë Fazlija) më mori dhe më dërgoj në klasë, i njoftoj nxënësit me mua dhe në të njëjtën kohë mua më tregoj se si duhet të shënohet ora mësimore në librin e klasës (ditar).

Ishin emocione që kurrë në jetën time nuk do t’i harroj. Edhe sot kur kaloj pranë asaj shkolle emocionohem sepse aty hodha hapat e parë të karrierës sime si mësimdhënës.

Mund të na veçoni ndonjë ngjarje nga koha e punës suaj si mësues që nuk e harroni sa jeni gjallë?

Ka shumë ngjarje të cilat nuk do t’i harroj kurrë. Vlenë të theksohet momenti kur nxënësit e shkollës sime me të cilët mbaja edhe mësim shtues, të cilët përgatiteshin për gara nacionale në lëndët që unë ligjeroja, ku nga katër nxënës pjesëmarrës në gara, që të katërtit janë shpërblyer duke zënë vende të merituara (vendin e pesë dhe të gjashtë në garat e kimisë nën organizimin e shkollës private Mehmet Akif), si dhe në garat komunale të organizuara nga komuna e Deçanit ku nxënsit e shkollës sime morën vendet e para në biologji dhe në kimi.

Momente që nuk harrohen janë edhe kumtimi i lajmit se jam përfitues i grandeve të BB dhe së fundi edhe i projektit nga IOM.

Në janar të këtij viti u rritën paksa pagat, por shumica e mësimdhënësve mbetën të pakënaqur. Sa do të ishte paga ideale që meritojnë mësimdhënësit?

Nuk mund të them se kemi pasur rritje pagash krahasuar me inflacionin që e ka përfshi vendin tonë. Këtë e konsideroj si lëmoshë (fjala është për rritjen prej 50-90€). Edhe në këtë rritje siç e quan qeveria kanë manipuluar me pagesën e viteve të përvojës në punë duke ndarë këtë me 0.25% për 15 vite e me 0.5% mbi 15 vite.

Paga e një mësimdhënësi duhet të jetë aq sa i plotëson nevojat për një familje mesatare e jo që në pamundësi të shkollimit të fëmijëve, një mësimdhënës detyrohet që fëmijun e vetëm ta dërgoj jashtë shtetit vetëm e vetëm ta fitoj kafshatën e gojës. (nuk mundem të caktoj një vlerë sepse këtë e bëjnë ekonomistët).

Një çështje që diskutohet shumë është ajo e testimit apo jo e  mësimdhënësve. Mendimi juaj cili është?

Unë si mësimdhënës e pranoj çdo formë të testimit, por ky testim të bëhet apolitik dhe jo të ndikohet nga politika.

Testimi së pari duhet të bëhet tek profesorët universitar sepse ata na kanë vlerësuar neve, andaj ne kemi një diplomë universitare për punën që bëjmë.

Performaca e mësimdhënësve duhet të vlerësohet nga inspektorët profesional duke monitoruar në orë mësimore, duke kontrolluar rezultatet tona nga vlerësimi i brendshëm dhe i jashtëm i shkollës dhe jo të ketë kritika, por edhe këshilla se si të përmirësohet puna e çdo mësimdhënësi që ka nevojë për zhvillim profesional dhe ngritje në karrierë.

Për fund, një mesazh i juaj për nxënësit, prindërit dhe ministren Nagavci?

Të dashur nxënës! Ju jeni e ardhmja e këtij vendi, andaj shkollohuni për vedlindjen tuaj sepse sot më shumë se kurrë ka nevojë pë Ju. Nxënës të dashur, nëse mendoni që neser apo pasneser të shkoni jashtë shtetit tonë – Kosovës, shkoni të shkolluar me profesione të ndryshme në mënyrë që edhe në Evropë, Ju të jeni udhëheqës nëpër institucione të ndryshme, fabrika, spitale dhe kudo tjetër dhe jo të jeni vetëm punëtor krahu dhe të shfrytëzohi si është më së keqi nga të tjerët.

Prindër të nderuar! Ju jeni udhërrëfyes për fëmijën tuaj andaj krijojuni kushte fëmijëve që të mësojnë, studiojnë dhe jo t’ua plotëson deshirat duke ju blerë telefonë të menqur dhe të mos i kontrolloni asnjëher. Fëmijët janë qenja më e padjallëzuar andaj kujdesuni për ta sepse mosha e tyre është shumë e ndieshme dhe pakujdesia e juaj për ta mund të ju shkaktoj probleme të mëdha juve dhe fëmijëve tuaj.

Ministre Nagavci! Si udhëheqëse e arsimit që jeni, duhet të jeni shumë e kujdesshme sepse pakujdesia e juaja shkatërron gjenerata të tëra. /AlbanianEducation.net/.

 

 

 

 

 

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Armend Perolli, nxënësi shembull nga Prizreni: Punoi gjatë verës dhe nuk shkoi në pushime – me paratë që dhuroi u blen materiale shkollore për 12...

Një shembull i jashtëzakonshëm vije nga një nxënës i klasës së pestë të shkollës...

Shkencëtari kosovar Besnik Krasniqi, përfshihet në listën e shkencëtarëve më me ndikim në botë

Një arritje e jashtëzakonshme për shkencën kosovare ka ardhur këtë vit, pasi Profesori Besnik...

Këshilla për mësuesit dhe prindërit që të organizojnë mbledhje të frytshme në shkollë

Organizimi i një mbledhjeje të frytshme mes mësuesve dhe prindërve për të diskutuar mbarëvajtjen...

“Prindi 1”, “Prindi 2”, në vend nëna dhe babai, Komuna e Prishtinës del me sqarim pas reagimeve të shumta

Të martën një dokument i shkollës “Elena Gjika” në Prishtinë ka shkaktuar reagime të...