Rekrutimi i mësimdhënësve, drejtorëve e zv.drejtorëve të shkollave në Kosovë çdo herë është një temë që ngjallë reagime, kjo për shkak se jo pak kandidatë ndër vite kanë shprehur brengën se në punë pranohen vetëm ata që janë të lidhur me politikën.
Megjithatë për të gjithë kandidatët që duan të bëhen mësimdhënës në shkollat e Prishtinës vije një premtim nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë, e cila thotë se nuk do të ketë punësime politike në shkolla.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, në një intervistë për Albanian Kids Education (www.kidsofkosova.net) thotë se procesi i rekrutimit në Komunën e Prishtinës është 100% transparent, dhe këtë e dëshmon bashkëpunimi që kanë me Ambasadën Britanike që përzgjedhja e kandidatëve të bëhet vetëm në bazë të meritave.
Musmurati në këtë intervistë flet edhe për çështje tjerat që lidhen me arsimin në Prishtinë, ligjin e pagave, grevën e mundshme në janar të paralajmëruar nga SBASHK e tema tjera.
Lexoni të plotë intervistën me Besianë Musmurati, drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë:
Sa është e vështirë të jesh drejtoreshë e arsimit në komunën e Prishtinës?
Është vështirë të jesh drejtoreshë e arsimit në Prishtinë, sepse është kryeqytet që menaxhon me më shumti institucione edukative arsimore aftësuese, kështu që është një sfidë në vete.
Në komunën e Prishtinës janë diku 64 institucione edukative arsimore, ka goxha sfida telashe, janë mbi 3 mijë mësimdhënës, mbi 40 mijë nxënës dhe normal është një punë me vështirësi e sfida, por ka normalisht edhe përparësi.
Sa arrini t’i vizitoni shkollat në komunën e Prishtinës?
i kemi vizitu që të gjitha dhe kemi komunikim të drejtëpërdrejt me drejtor të secilit institucion shumë shpesh. Sa herë ka sfida ka edhe përparësi, por mua më vjen mirë se sa herë viziton shkollat sheh se nxënësit e Prishtinës janë të jashtëzakonshëm dhe kjo më frymëzon që të punoj sa më shumë për arsimin në Prishtinë.
Çfarë problemi keni gjetur kur e keni marrë mandatin si e para e arsimit në Prishtinë?
Shumë probleme kemi evidentu, por si PDK në Prishtinë e kemi pasur një premtim në fushatë që ‘nuk kemi me u anku, nuk kemi me shiku mbrapa, por kemi me kqyrë me punu për të ardhmen. Kjo është logjika ime për qeverisjen në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, mos me u marrë me të kaluarën, pasi kjo praktikë qeverisëse nuk i ndihmon askujt.
Prindërit e Prishtinës dhe mësimdhënësit e dijnë më mirë se unë se si është gjendja, dhe ata na kanë votuar dhe dhënë rastin që ne të përmirësojmë diçka e jo të kthehemi mbrapa se çfarë ka ndodhur.
Ka shumë vend për përmirësim, ka edhe shumë projekte që janë bërë që asnjëherë nuk kisha dashur t’i anashkalojë, por ka vend edhe për përmirësim, si p.sh. realizimi i investimeve kapitale është një mangësi shumë e madhe që e kemi si Drejtori e Arsimit. Kjo vjen për shumë arsye, sepse investimet kapitale në Drejtori të Arsimit pa staf përkatës, arkitekt, inxhinier etj është vështirë të realizohen. Ka pasur telashe sa i përket rekrutimit të drejtorëve, zv.drejtorëve të shkollave, ka staf pak, ka sfida të ndryshme, ka pasur mungesë të trajtimit të dhunës te fëmijët, fushë që duhet të fuqizohet.
Besoj se secili drejtor i arsimit vjen me qëllim të mirë që me dërgu diçka përpara dhe unë shpresoj kur ta përfundojë mandatin të lë diçka të mirë mbrapa dhe pasardhësi im vazhdon me përmirësime dhe kështu rritet cilësia në arsim.
E përmendët rekrutimin e mësimdhënësve, drejtorëve të shkollave, a po bëhet rekrutimi siç keni premtuar bashkë me Ambasadën Britanike?
Po, e kemi filluar, janë zhvilluar intervistat e para me një gjimnaz, dhe është një bashkëpunim shumë i mirë me Ambasadën Britanike, ku për herë të parë kemi bërë disa hapa që nuk janë bërë më parë në Komunën e Prishtinës, që e rrit 100% transparencën në rekrutim të drejtorëve dhe zv.drejtorëve të shkollave.
Kemi bërë thirrje edhe për eksperët e jashtëm të marrin pjesë në komisionet vlerësuese, për herë të parë e kemi trajtuar komisionin nga Ambasada Britanike për praktikat më të mira të rekrutimit dhe për herë të parë ka vëzhgues që do ta vëzhgojnë procesin, përveç atyre akerëve që parasheh udhëzimi administrativ, si Këshili i Prindërve, Këshilli Drejtues i shkollë.
Kështu që po besoj se kemi bërë të gjitha përgatitjet për të bërë punë të mirë.
Tashmë kemi filluar me procesin e parë dhe kemi hapur konkurse tjera edhe për shkolla fillore dhe do ta shohim ngadalë si po shkon i gjithë procesi.
Kur jemi te rekrutimi, praktika ka treguar ndër vite se punësohen mësimdhënës që janë të lidhur me partitë politike. Në komunën e Prishtinës, a po punësohen meritorët si mësimdhënës apo ata që kanë lidhje politike?
Nuk kam parë ndonjë vërejtje për konkursin e kaluar dhe besoj që komisioni e ka kryer punën me përgjegjësi.
Ne si Prishtinë e kemi diç që se kanë komunat tjera, kemi interesim më të madh për aplikime në disa lëndë, por duhet theksuar se ka probleme rekrutimi për lëndët, gjuhë gjermane, boshnjake dhe të muzikës.
Të kalojmë në një temë tjetër. Një shqetësim gjatë stinës së dimrit është se reduktimet e energjisë mund ta pengojnë procesin mësimor. Sa jeni të përgatitur për këtë?
Duhet thënë se do të jetë një prolem pasi ka mungesë të gjeneratorëve e derivateve nëpër shkolla.
Rryma ka filluar të ndalet dhe dimri po vjen, jemi duke hyrë në një dimër të ashpër, ku pritet të ketë reduktime të energjisë që ndikojnë edhe në prcesin mësimorë. Andaj, kemi dëshirë të bëjmë pëgatitjet aq sa mundemi, por shpresoj të kemi sa më shumë mështetjen nga qeveria për këtë problematikë.
A rrezikohet procesi mësimor nëse shkollat nuk e kanë mbështetjen e nevojshme nga Ministria e Arsimit?
Drejt shkurtimit të orëve kemi me shku, siç po thuhet 3-4 orë rresht reduktime, atëherë do jetë problem se shumica e nxemjeve janë me naftë dhe pelet.
Ne i kemi blerë 25 gjeneratorë për përmbushjen e shkollave që kanë nevojë më shumë, por edhe nëse është gjeneratori kur ndalet rryma është problem, se si mundet gjerneratori me i qëndru gjithë kërkesës për rrymë.
SBASHK-u e ka lënë të hapur mundësinë e rifillimit të grevës në janar. Ç’mendim keni për këtë?
Gjithmonë jemi që të gjendet një zgjidhje SBASHK-Qeveri, dhe mos të ketë arsye të ketë grevë.
Në asnjë mvnyrë nuk marrim anë, as nga SBASHK e as nga Qeveria, dhe ne duam që të dy palët të mendojnë për nxënësit.
Po, Ligjin e pagave e keni parë, keni vërejtje?
Po e kam parë atë që ka qarkulluar në media, ne i kemi dërguar disa komente që kanë të bëjë me shërbyes civil brenda Komunes Prishtinës.
Nëse i referfohemi pagave të mësimdhënësve, një koment është që edukatorët që punojnë në çerdhe tëkenë koeficientin e njëjtë me edukatoret që punojne në shkolla fillore, sepse ka deskrepancë mes tyre. Edukatorët në çerdhe punojnë më gjatë se ato në fillore, dhe kjo duhet të reflektojë edhe në pagë.
Për fund, kur do të nis ndërtimi i shkollës fillore në lagjen ‘Kalabria’ në Prishtinë?
Ka qenë problem se Komuna nuk ka dhënë leje, tash është siguruar leja, ky është lajmi mirë. Kontrata është shkëputur me operatorin ekonomik për ndërtimin e shkollës në Kalabri për shkak që ajo kontratë është kontraktuar vite më parë dhe çmimet kanë ndryshuar, dhe shume shpejt do ta bëjmë shpalljen e kontratës së re dhe do të nis menjëherë më pas ndërtimi i shkollës.
Lokacioni është i njëjti, ndërtimi i shkollës do të fillojë shumë shpejt, dhe pritet te perfundoj gjatë vitit të ardhshëm.
Në shtatorin e ardhshëm (2023) nuk mund të them se do të hapet shkolla kjo për shkak se varet si do të shkon rrjedha e punimeve, por në shtatorin e vitit 2024 gjithësesi. /Albanian Kids Education/