E shtunë, 23 Nëntor, 2024

INTERVISTË| Avni Morina, drejtor i arsimit në Rahovec: Kemi bërë ndryshime thelbësore në shkolla – dhe një mesazh për Arbërie Nagavcin

- Advertisement1-

Nga: Albanian Kids Education


Avni Morina është në mandatin e dytë si drejtor i arsimit në komunën e Rahovecit. Thotë se nga 36 objekte edukativo arsimore, gjendja infrastrukturore e shkollave në përgjithësi është e mirë, përveç 5 objekteve shkollore, në të cilat do të ndërmerren masat riparuese dhe ato të efiçiencës gjatë vitit në vazhdim.

- Advertisement -

Në një intervistë për Albanian Kids Education (www.kidsofkosova.net) i pari i arsimit në Rahovec tregon në detaje si është gjendja e shkollave në këtë komunë, flet për mungesën e kuadrove, për emërimin e drejtorëve të shkollave, për ministren Arbërie Nagavci, për çështjen e pagave e tema të tjera.

Lexoni të plotë intervistën me drejtorin e Drejtorisë për Arsim në Komunën e Rahovecit, Avni Morina, dhënë për Albanian Kids Education 

Një CV e shkurtër e juaja?

Jam Avni Morina, aktualisht drejtor i arsimit në komunën e Rahovecit, në mandatin e dytë. Për herë të parë si drejtor i arsimit jam emëruar më 22 dhjetor 2017, ndërsa mandatin e dytë e kam filluar më 10 janar 2022.

Në arsim kam filluar të punoj si mësimdhënës i fizikës që nga shtatori i vitit 1998, në kohën më të vështirë, në gjendje lufte. Kur kam marrë mandatin tim si drejtor i arsimit në komunë, kam pasur 19 vite e 3 muaj përvojë në mësindhënie në SHML “12 MAJI” në Ratkoc të Rahovecit. Gjatë kësaj periudhe në vitin 2009 kam patur një angazhim një vjeçar në FSHMN, në departamentin e fizikës si asistent i angazhuar, ndërsa angazhimi im i tashëm, përveç në DKA është edhe në Universitetin e Prizrenit, ku që 2 vite jam profesor i angazhuar në FSHJM të UPz “Ukshin Hoti”.

Nga shkollimi i deritashëm kam mbaruar Fakultetin e Fizikës në FSHMN- Prishtinë, pastaj studimet pasuniversitare i kam mbaruar në Tiranë, nivelin Master Shkencor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës – Programi i studimit Biofizikë, ndërsa studimet e doktoraturës i kam mbaruar gjithashtu në Tiranë në Fakultetin e Inxhinierisë Fizike të Universitetit Politeknik të Tiranës, në programin e studimit Fizikë Mjekësore.

- Advertisement -rrrrrrr

Aktualisht jam me gradë shkencore “Doktor i Shkencave në Fizikë”.

Çfarë keni ndryshuar në arsimin në Rahovec nga marrja e pozitës së drejtorit?

Problemet në sistemin arsimor janë probleme, me të cilat duhet të merren edhe niveli qendror (MASHTI) por një pjesë bukur të mirë të përgjegjësisë e kanë edhe komunat, përkatësisht Drejtoritë Komunale për Arsim.

Mendoj se në sistemin arsimor të komunës së Rahovecit gjatë mandatit të parë 4 vjeçar dhe gjatë këtij fillim mandati të dytë, kemi arritur t’i bëjmë disa ndryshime thelbësore dhe shumë të nevojshme. Këto ndryshime janë, siç vijon:

✅ Ka ndryshuar qasja e drejtorit të DKA-së ndaj punëtorëve të arsimit. Unë, si drejtor i DKA-së kam bërë vizita të vazhdueshme dhe sistematike në të gjitha shkollat e komunës dhe jo vizita sa për sy e faqe, por në çdo vizitë që kam bërë, kam mbajtur mbledhje(takime) me të gjithë mësimdhënësit, në të cilat kemi diskutuar për të gjitha problemet konkrete me të cilat përballemi në procesin edukativ dhe arsimor.

✅ Kemi funksionalizuar plotësisht Aktivat Profesionale të Shkollave dhe Këshillat Drejtuese  të Shkollave, të cilat janë në bashkëpunim të ngushtë me Aktivat Profesionale në nivel të DKA-së.

✅ Në bashkëpunim me Aktivat Profesionale kemi hartuar Pakon Pedagogjike Unike për edukatorët dhe mësuesit e klasave, të vlefshme për klasat parashkollore dhe klasat 1 deri 5. Tashmë jemi në përfundim të zgjerimit të përdorimit të Pakos Pedagogjike edhe për klasat e larta, 6 deri 12.

Në kuadër të Pakos Pedagogjike bëjnë pjesë instrumentet e vlerësimit, listat e kontrollit, ditarët personalë dhe elemente të tjera pedagogjike, që të gjitha unike në mbarë komunën sipas të gjitha fushave kurtikulare.

✅ 12 shkolla të komunës sonë i kemi pajisur me mjete konkretizimi dhe mjete laboratorike për shkencat e natyrës.

✅ Në 6 objekte shkollore kemi zbatuar masat e efiçiencës së energjisë dhe në programin e bashkëpunimit me FKEE edhe 5 shkolla të tjera do t’i nënshtrohen efiçiencës.

✅ Kemi furnizuar në mënyrë periodike bibliotekat e shkollave me libra.

✅ Në 7 shkolla të komunës së Rahovecit kemi instaluar ngrohjet qendrore, seose deri në vitin 2018 ato ngroheshin me stufa.

✅ Kemi ndërtuar 4 objekte të reja shkollore në mandatin e parë dhe 3 çerdhe për fëmijë, që  të gjitha me buxhetin komunal. Ndërkohë, kemi nisur edhe 2 objekte të reja shkollore në mandatin e dytë.

✅ Kemi pajisur shkollat me pajisje teknologjike infirmative dhe së fundi kemi filluar t’i pajisim edhe me tabela digjitale.

✅ Kemi themeluar dhe funksionalizuar 2 Qendra të Karrierës, një në SHML “Xhelal Hajda-Toni” dhe një tjetër në IAAP “Selajdin Mullabazi-Mici”.

Si është gjendja e shkollave në komunën tuaj? Me çfarë probleme ballafaqohen më shumë?

Nga 36 objekte edukativo arsimore të komunës sonë, gjendja infrastrukturore e shkollave në përgjithësi është e mirë, përveç 5 objekteve shkollore, në të cilat do të ndërmerren masat riparuese dhe ato të efiçiencës gjatë vitit në vazhdim.

A keni mungesë të kuadrove, mësimdhënësve në sektorë të caktuar apo jo?

Po, kemi mungesë kuadri adekuar arsimor në lëndën e matematikës. Përmes konkurseve DKA është përpjekur që ta “zbusë” këtë problem.

Në profilet tjera arsimore dhe në lëndët tjera nuk kemi mungesë.

Në shumë komuna raportohet se drejtorët e shkollave emërohen në baza politike. Sa janë profeisonal drejtorët që emëroni ju?

Në komunën e Rahovecit, shumica e drejtorëve aktualë, por edhe ata të sapo emëruar, nuk i përkasin partisë politike që udhëheq me komunën. Këtë mund t’ua dëshmojmë në çdo kohë.

Procedurat për përzgjedhhen e drejtorëve të shkollave zhvillohen në harmoni të plotë me Udhëzimet Administrative të MASHTI-t.

Greva në arsim është paralajmëruar edhe për janar nëse nuk plotësohen kërkesat, jeni pro apo kundër?

Ne si DKA nuk e kemi shpallur grevën, prandaj edhe nuk mund ta ndalim. Konsiderojmë se kërkesat e punëtorëve të sektorit publik, e ku pjesa më e madhe i përkain arsimit, janë kërkesa të drejta.

Ne si DKA jemi për zëvendësimin e orëve të humbura, por jo që zëvendësimi të bëhet ditëve të shtuna. Ekziston mundësia që orët e humbura të zëvendësohen gjatë ditëve të punës.

Për sa duhet të rriten pagat e drejtorëve dhe mësimdhënësve?

Mendoj se rritja e pagave, edhe nëse miratohet ligji i pagave, duke marrë parasysh ngritjen e çmimeve të artikujve themelorë  për jetesë, nuk do të ndikojë në mirëqenien e mësimdhënësve.

Mësimdhënësit që kanë kualifikim adekuat, që kanë përkushtim të madh në punë dhe që vazhdimisht tregojnë rezultate të mira në mësimdhënie, mendoj se duhet të stimulohen edhe më shumë me paga dhe të dallohen nga ata që, fatkeqësisht nuk punojnë sa duhet, apo procesin e mësimdhënies dhe vendin e punës e konsiderojnë  vetëm si vend ku mund ta kalojnë kohën e lirë.

Mëndimi im është se shumica e mësimdhënësve meritojnë paga dinjitoze.

Për fund, cili është mesazhi juaj për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci?

Gati 2 vite mandat dhe ministrja e arsimit asnjëherë nuk ka qenë në DKA, përkatësisht në komunën e Rahovecit, edhe pse, në prill të këtij viti e ftuam zyrtarisht në përurimin e një shkolle të re.

Mendoj se për të pasur suksese në udhëheqjen e sistemit arsimor, çdo ministër/ministre e arsimit duhet që, të paktën çdo 3 muaj t’i vizitojë Drejtoritë Komunale të Arsimit dge të njihet për së afërmi me problemet specifike të arsimit nëpër komuna.

Ajo, pra ministrja Arbërie Nagavci, nuk po bën mirë që nuk po i përfill kërkesat e shumicës së drejtorëve/drejtoreshave të DKA-ve.

Kalendari i zëvendësimeve të ditëve të humbura gjatë grevës është i pa pranueshëm nga shumica e drejtorëve komunalë të arsimit, nga Këshilli i Prindërve dhe nga SBASHKU. Prandaj, ne nuk e kuptojmë insistimin e ministres, që ky kalendar të respektohet. /Albanian Kids Education/

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Shkolla “Mustafë Venhari” në Vushtrri shkëlqen nga pastërtia

Shkolla fillore “Mustafë Venhari” në Vushtrri po dëshmon se një mjedis i pastër është...

Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë ekspozohen sot në Prishtinë

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave...

Kjo është një klasë e improvizuar pas luftës në Gjakovë

Drejotresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumnova-Baçi, ka publikuar një fotografi të një klase...

LIRI gëzon nxënësit e shkollës “Shaban Jashari” në Skenderaj – iu dërgon biskota Sempre e çanta

Kompania LIRI nga Prizreni edhe në muajin e Nëntorit, që njihet si muaji i...