E hënë, 3 Mars, 2025

INTERVISTË| Astrit Jusufi, drejtor i shkollës në Bec të Gjakovës: Mësimdhënësit duhet të ndjekin trajnime – jo të testohen

- Advertisement1-

Ka plot 20 vite përvojë si mësimdhënës, kurse qe katër muaj është në pozitën e drejtorit të shkollës “Ahmet Rrustemi”, në fshatin Bec të Gjakovës. Astrit Jusufi, në një intervistë për AlbanianEducation.net tregon për përvojën e tij si mësimdhënës, dhe tregon sa është e vështirë të udhëheq një institucion arsimor.

Ai flet në këtë intervistë edhe për shumë tema të tjera, si për planet për udhëheqjen e shkollës, sfidat që kanë, për përgatitjen e nxënësve në tregon e punës, por edhe për çështjen nëse duhet apo jo të testohen mësimdhënësit.

- Advertisement -

Lexoni të plotë intervistën me Astrit Jusufi, drejtori i shkollës në Bec të Gjakovës dhënë për AlbanianEducation.net:

Një CV e juaja që të ju njohin lexuesit tonë më shumë?

Unë jam Astrit Jusufi nga fshati Bec- komuna Gjakovë. Në korrik të vitit 2003 i përfundova studimet në Fakultetin e Edukimit, drejtimin – Mësim Klasor ku në vitin shkollor 2003/04 fillova punën si mësues pranë Shfmu” Ahmet Rrustemi” në Bec, plot 20 vite mësimdhënie që i kam kryer me shumë dëshirë dhe pasion në arsimimin e shumë gjeneratave. Në vitin 2022 fillova studimet e ciklit të dytë Master në Universitetin e Tetovës në degën e Pedagogjisë – drejtimi : Menaxhimi në Arsim, ku në dhjetor të vitit 2024 diplomova dhe e mora titullin Magjistër i Menaxhimit në Arsim. Në nëntor të vitit 2024 mora detyrën e Drejtorit të shkollës, ku po vazhdoj ta jap kontributin tim në të mirën e shkollës, mësimdhënësve dhe të nxënësve të shkollës sonë.

Cilat janë programet më të forta të shkollës ?

Një ndër shumë programe që konsiderohen të rëndësishme në shkollë është trajtimi i nxënësve me nevoja të veçanta, që fatkeqësisht në vendin tonë nuk kemi një shkollë të veçantë për këtë kategori nxënësish. Mendoj se shumë pak në shkollat tona funksionon Plani Individual i Arsimit (PIA ) që ka një rëndësi të veçantë në zhvillimin e mësimit dhe të nxënit gjatë një ore mësimore për nxënësit me nevoja të veçanta. Ne kemi nevojë edhe për mësues mbështetës , të cilët do ta lehtësonin shumë punën e mësmdhënësve dhe ta rrisin efikasitetin e një ore mësimore në zhvillimin arsimor të kësaj kategorie të nxënësve.

Cilat janë sfidat më të mëdha që shkolla jonë përballet?

- Advertisement -rrrrrrr

Sfidat më të mëdha konsideroj që janë në përkushtimin e cilësisë së arsimit dhe zhvillimin e nxënësve. Këto sfida kanë të bëjnë në aspekte të ndryshme të sistemit arsimor, përfshirë infrastrukturën, cilësinë e mësimdhënies, politikat arsimore dhe bashkëpunimin me prindërit dhe komunitetin. Ja disa nga sfidat kryesore që përballen shkollat në Kosovë:

– Mungesa e pajisjeve dhe teknologjisë është gjithashtu një problem, ku shumë shkolla nuk kanë mjetet e nevojshme për mësimdhënie efektive, si kompjuterë, projektorë ose pajisje për laboratorë.

– Shumë shkolla kanë mungesë hapësirash të mjaftueshme për aktivitetet mësimore dhe për zhvillimin e aktiviteteve jashtëshkollore.

– Probleme me cilësinë e mësimdhënies

Përgatitja e mësuesve është një nga sfidat më të mëdha. Disa mësues nuk kanë trajnime të mjaftueshme për t’u përballur me kërkesat e kohës dhe për të përdorur metodat më të reja dhe teknologjitë në mësimdhënie.

– Angazhimin e prindërve në bashkëpunim me mësuesit.

Funksionimi i trekëndëshit pedagogjik, ku përfshihen në bashkëpunim mësuesit – nxënësit – prindërit që është një ndër faktorët më të rëndësishëm në rritjen e cilësisë së mësimnxënies dhe përparimit të nxënësve.

Si po punon shkolla për përmirësimin e rezultateve të nxënësve ?

-Shkolla në vazhdimësi duhet të ketë synim kryesor përmirësimin e rezultateve të nxënësve.

Kjo në radhë të parë vjen duke krijuar siguri dhe klimë të përshtatshme për mësimdhënie dhe nxënie në klasë, duke ju siguruar kabinete dhe mjete konkretizuese, me të cilat mësimdhënësit mund ta realizojnë një orë mësimore sa më
atraktive .

-Duhet të funksionojnë edhe Aktivet Profesionale duke i përfshirë të gjitha fushat mësimore, ku do të trajtohen tema të ndryshme, si psh. përparësitë dhe ngecjet që mësimdhënësit i hasin gjatë punës së tyre, ku do të diskutojnë shtruar lidhur me këto probleme, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e rezultateve të nxënësve.

Si po i përgatitë shkolla nxënësit për tregun e punës?

Shkolla luan një rol të rëndësishëm në përgatitjen e nxënësve për tregun e punës, duke i mundësuar atyre njohuri, aftësi dhe eksperienca të nevojshme që i ndihmojnë nxënësit të bëhen të suksesshëm në karrierën e tyre. Këto mundësi shkolla i arrin përmes trajnimeve, praktikave, orientimit për karrierën dhe bashkëpunimeve me bizneset e ndryshme në tregun e punës. Pra, shkolla krijon mundësi për nxënësit që të zhvillohen si profesionistë të gatshëm për sfidat që i presin në tregun e punës.

Si po e përdorë shkolla teknologjinë për të përmirësuar mësimin?

Shkollat duhet të përdorin gjithnjë e më shumë teknologjinë e re për të përmirësuar cilësinë e mësimit dhe për të rritur angazhimin dhe motivimin e nxënësve. Teknologjia na jep mundësi të shumta për t’u përqëndruar në metoda më efikase dhe më inovative për mësimdhënie dhe mësimnxënie. Ja disa mënyra se si shkollat po e përdorin teknologjinë për të përmirësuar mësimin:

  • Përdorimi i pajisjeve teknologjike (kompjuterë, projektorë, tableta, të cilat përdoren kryesisht për të krijuar një ambient mësimor më të pasur dhe interaktiv.
  • Nxënësit mund të përdorin tableta ose laptopë për të mësuar lëndë të ndryshme, për të kryer kërkime dhe për të zhvilluar aftësi teknologjike që janë të rëndësishme për karrierën e tyre në të ardhmen.Pra, shkollat duhet ta përdorin teknologjinë në mënyra të ndryshme për të përmirësuar mësimin dhe për të përgatitur nxënësit për sfidat e ardhshme në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar. Përdorimi i teknologjisë digjitale është një mundësi e madhe për të përmirësuar mësimdhënien dhe për të bërë mësimin më tërheqës, efikas dhe të përshtatshëm për nevojat e nxënësve.

    Si po përballet shkolla me diversitetin dhe inkluzionin?

    Shkollat duhet ta kenë si prioritet përballjen me diversitetin brenda shkollës në mënyrë që të krijojnë një ambient inkluziv që respekton dhe mbështet çdo nxënës, pavarësisht nga grupi etnik, kultura, aftësitë apo kushtet ekonomike. Shkollat duhet të synojnë të krijojnë një shoqëri sa më të barabartë dhe më të integruar. Puna e përbashkët e shkollave, prindërve, dhe komunitetit është thelbësore për të arritur këto objektiva dhe për të garantuar mundësi të barabarta për të gjithë nxënësit.

    Diversiteti dhe inkluzioni janë aspekte të rëndësishme të arsimit modern dhe shkollat janë të angazhuara për të siguruar që çdo nxënës pavarësisht nga gjinia, kombësia ose nevojat speciale të ketë mundësi të barabarta për arsim dhe zhvillim.

    Çfarë të ka motivuar të bëhesh drejtor shkolle?

    Motiv kryesor ka qenë dëshira që ta sfidoj veten në këtë drejtim, ku jam thellë i bindur se do të jap maksimumin që të kontribuoj në shkollën time, në të cilën i kam marrë hapat e parë të dijes, ku edhe punova plot 20 vite si mësimdhënës.
    Motiv shtesë ka qenë edhe prindi im, i cili e ka ushtruar detyrën e drejtorit afër 15 vite pikërisht në këtë shkollë dhe kjo më bën edhe më shumë përgjegjës në punën time që gjithmonë të ndjekë rrugën e duhur.

    Cilat janë arritjet tuaja si drejtor?

    Unë si drejtor kam vetëm 4 muaj, por mund të them me shumë përgjegjësi se kam bërë shumë punë të mira gjatë kësaj periudhe, që do t’i numëroj disa nga më kryesoret:

  • Në muajin e parë të punës sime si drejtor e kam kthyer punën e shkollës në një ndërrim që është pranuar shumë mirë nga DKA-ja dhe prindërit e këtij lokaliteti.
  •  Klasën parafillore që ishte vendosur në fund të koridorit të katit të dytë e zhvendosa në një klasë në katin e parë që është afër nyjeve sanitare që ata ta kenë më afër për nevojat e tyre edhe kjo punë u prit shumë mirë nga prindërit.
  • Rregullimin e këndit të punimeve të nxënësve, të cilin e punuam bashkë me firmën e një bashkëvendasi që vullnetarisht vendosi të na ndihmojë.
  • Rregullimin e rrjetit të ngrohjes qëndrore, ku në një klasë u vendos komplet rrejti i ri, si dhe u riparua në disa vende tjera dhe tani e kemi një ngrohje shumë stabile në shkollën tonë, etj.Cilat janë planet tuaja për të ardhmen e shkollës?

    Unë detyrën e drejtorit nuk e pranova si privilegj, por si detyrë të shenjtë me shumë përgjegjësi.

    Planet për shkollën janë të shumta, por prioritet do t’i jap më shumë teknologjisë digjitale, e cila është shumë e nevojshme për realizimin e një ore mësimore në kushte bashkohore. Këtë mendoj se do ta arrij me përkrahjen e DKA-së duke e ditur rëndësinë që kanë kërkesat tona në interes të nxënësve.

    Dua të krijoj një ambient të sigurt dhe një klimë të përshtatshme për të gjithë nxënësit pa i dalluar nga përkatësia kombëtare, fetare , gjinore, fizike si dhe kushteve ekonomike që i kanë ,etj.

    Shkolla duhet të jetë e barabartë për të gjithë.

    Pra , të gjitha këto plane qëllim kryesor duhet ta kenë ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies.

    Cilat janë vlerat tuaja më të rëndësishme në drejtimin e një shkolle?

    Vlera kryesore i konsideroj anën njerëzore dhe morale, vlera të cilat duhet të jenë në nivelin e duhur për një drejtor shkolle dhe së dyti vjen ana e përgatitjes profesionale që mendoj se i plotësoj kushtet duke e ditur se e kam të kryer pikërisht Masterin – Menaxhimi në Arsim.

    Gjithmonë do t’i kontribuoj zhvillimit të cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies, si dhe unitetit dhe mirëkuptimit brenda personelit arsimor duke respektuar ligjet e arsimit në përpikëri.

    Çfarë mendoni, a duhet të testohen mësimdhënësit?

    Kjo çështje është shumë e ndjeshme që kërkon një trajtim të veçantë.
    Unë mendoj se në radhë të parë duhet të verifikohen diplomat e mësimdhënësve për të cilët dyshohet se nuk janë të merituar në punën që e bëjnë, e pastaj të meren hapat e duhur nga organet kompetente. Është gabim i madh të përfshihen të gjithë mësimdhënësit në një kategori të tillë sepse nuk është e ndershme dhe as njerëzore.

    Sa i përket testimit për një pjesë të konsiderueshme të personelit arsimor është shumë nënçmuese dhe mund të them edhe denigruese sepse kemi shumë profesorë, të cilët janë shumë meritorë që kanë një përvojë të gjatë në mësimdhënie e që janë dëshmuar me punën e tyre, e tani të vihet në pikëpyetje dija e tyre, vërtet është nënçmim i intelektit të tyre, si dhe fakultetit e profesorëve që ua kanë dhënë mundësinë të diplomojnë.

    Unë konsideroj se mësimdhënësit duhet të ndjekin në vazhdimësi trajnime, të cilat do të ndikojnë shumë në zhvillimin profesional dhe kjo mund të realizohet përmes disa pyetësorëve që ata vetë të përcaktohen se në cilat fusha e shohin të nevojshëm zhvillimin e tyre profesional.

    ©Albanian Education – Të gjitha të drejtat e rezervuara

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Sheribane Xheladini, arsimtarja e Biologjisë që ka arritur të ngjallë kuriozitetin shkencor tek nxënësit

Arsimtarja Sheribane Xheladini, e lindur më 13 maj 1962, ka nisur rrugëtimin e saj...

Nga nxënës i shkollës “Shkëndija” në mësimdhënës të përkushtuar – Valdrin Rrahmani

Valdrin Rrahmani, i lindur më 27 tetor 1996, është një shembull i shkëlqyer i...

Mësuesja Albulena Bruqi-Nimani, nivel të lartë profesionalizmi dhe përkushtimi në mësimdhënie

Arsimtarja Albulena Bruqi-Nimani, e lindur më 21 korrik 1987, është pjesë e stafit pedagogjik...

INTERVISTË| Kristinë Oroshi nga Klina, mësimdhënësja që po realizon misionin e shenjtë në qytetin e Kielit të Gjermanisë

AlbanianEducation.net ka realizuar një intervistë me një mësimdhënëse Kristinë Oroshi nga Klina e cila...