Adelina Bega, është mësimdhënësja e Artit Figurativ nga Prishtina ka realizuar disa punime murale që ka arritur t’i transformoi shkollat me punën e saj.
AlbanianEducation.net ka realizuar një intervistë me mësuesen Adelina e cila thotë se punimet murale janë një mënyrë e shkëlqyeshme për të bërë shkollën më tërheqëse dhe të krijojë një atmosferë të këndshme për të gjithë nxënësit.
Ajo në këtë intervisë tregon edhe ndjesinë kur kapi ditarin për herë të parë, si dhe flet edhe për çështjen e pagave dhe për atë nëse duhet të testohen apo jo mësimdhënësit.
Lexoni të plotë intervistën me mësuesen Adelina dhënë për AlbanianEducation.net
Një CV e juaja që të ju njohin më shumë lexusit tonë?
Si fillim kam nderin dhe kënaqësinë të jem pjesë e intervistës suaj, duke ditur që si portal jeni një ndër portalet më të mëdha të edukimit, dhe jeni shumë përkrahës për punën e mësimdhënësve! Faleminderit shumë nga ju!
Jam Adelina Bega, kam të përfunduar Fakultetin e Arteve baçelor dhe master. Jam mësimdhënëse e lëndës së Artit Figurativ. Punën si mësimdhënëse e kam filluar në vitin 2022, në Komunën e Prishtinës. Kam një përvojë pune dy vjeçare si mësimdhënese, përveç pikturave që i kam profesion e pasion, jam marrë edhe me kurse të pikturës me fëmijë të moshave të ndryshme.
Kur keni kapur ditarin për herë të parë, çfarë ndjenje ishte për ju?
Ditarin për herë të parë e kam kapur në vitin 20202. Edhe si mësimdhënëse u ndjeva e lumtur me misionin fisnik, ndjenjë e mrekullueshme kur mësidhënësit shohin progresin dhe suksesin e nxënësve të tyre. Jam ndjerë e përkushtuar për të krijuar një mjedis mësimor tërheqës dhe frymëzues, duke u përpjekur të bëjë mësimin të argëtueshëm dhe tërheqës për nxënësit. Kam qenë gjithashtu e përgatitur për të ndihmuar nxënësit që kanë nevojë shtesë dhe për t’u përshtatur me stilin e mësimdhënies për të përmbushur nevojat e secilit nxënës. Është një punë e rëndësishme dhe e vlerësuar shumë!
Jeni mësuese e Artit Figurativ, na tregoni pak keni pasur dëshirë çdo herë artin?
Unë e dua artin! Jam artiste profesionale, gjithmonë më ka pëlqyer të eksploroj kreativitetin tim nëpërmjet vizatimit dhe pikturës. Dëshira për artin më ka sjellë qetësi dhe paqe në jetën time. Kur jam e përqendruar në krijimtarinë artistike, mund të ndjehem e qetë dhe e kënaqur. Pikturat, skulpturat ose vizatimet që përmbajnë peisazhe të qeta, ngjyra të buta dhe elemente natyrore, siç janë pyjet ose deti, më shkaktojnë një ndjesi të qetësisë dhe relaksimi.
Ju beni murale në shkolla, na flisni pak, si e keni nisur këtë dhe sa është vështirë ta realizoni?
Po, kam punuar murale nëpër shkolla, të gjitha janë shumë të veçanta dhe të frymëzuara. Ato sjellin ngjyra, kreativitet dhe gëzim në ambientin shkollor. Gjithmonë kam vizatuar figura që përfaqësojnë vlera dhe mesazhe pozitive, ose tema edukative që ndihmojnë në mësimin e nxënësve. Punimet murale janë një mënyrë e shkëlqyeshme për të bërë shkollën më tërheqëse dhe të krijojë një atmosferë të këndshme për të gjithë nxënësit.
Beni murale veç në shkollë apo edhe jashtë nëse ju kërkohet nga kompani të ndryshme?
Puna profesionale është ajo që më ka krijuar një pavarësi financiare, po pra punoj edhe në institucione publike edhe në ato private.
Sa është e vështirë sot të jesh mësuese?
Eh, të jesh mësuese mund të jetë sfiduese por edhe shumë e këndshme! Është një profesion i rëndësishëm dhe frymëzues, ku mund të ndikosh në jetën e nxënësve dhe t’i ndihmosh ata të zhvillojnë potencialet e tyre. Sigurisht, ka momente kur mund të jesh e lodhur ose të ndeshesh me sfida, por shpërblimi i punës së mësuesit është i jashtëzakonshëm. Të shohësh nxënësit të mësojnë dhe të rriten është një ndjenjë e mrekullueshme.
Sa duhet të jetë paga e një mësimdhënësi/e për të jetuar dinjitetshëm në Kosovë?
Në Kosovë nuk i marrim rrogat e merituara. Rroga e mësuesit varet nga shumë faktorë, si përvoja, kualifikimet dhe vendi ku punon.
Në fund të ditës, shpërblimi më i madh është ndjenja e kënaqësisë që i japim nxënësve dhe kontributi që bëjmë në edukimin e tyre.
Për fund, jeni për testimin apo jo të mësimdhënësve?
Po, është e rëndësishme që mësuesit të testohen për të vlerësuar aftësitë e tyre dhe për të siguruar cilësinë e mësimdhënies. Mendoj që ështe një mënyrë për të siguruar që mësuesit kanë një nivel të lartë të njohurive dhe aftësive për të ndihmuar nxënësit të mësojnë më mirë.
©AlbanianEducation.net – Të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.