Për procesin edukativ dhe arsimor në Maqedoni, si në shkollat fillore, ashtu dhe ato të mesme, sfidë parqet mësimi klasik apo inkrporimi i internetit si burim alternativ, pas vendimit të qeverisë që çdo nxënës të ketë kompjuter në shkollë.
Pedagogët thonë se interneti ofron shumë mundësi pozitive, por shoqëria nuk është e pjekur në atë shkallë që t’u bëjë ballë keqpërdorimit nga ana e fëmijëve.
Xheladin Murati, profesor universitar që ligjëron metodat dhe përdor teknologjinë gjatë mesimit thotë:
“Teknologjia e informacionit përparon me hapa gjigant, duke zënë dhe një aplikim të zgjeruar në procesin edukativo-arsimorë në Maqedoni. Fëmijët janë bërë të varur nga teknologjia informative , internet dhe celularët ngase edhe detyrat i gjejnë aty dhe çdo gjë që ka të bëjë me mësimet mundohen ta nxjerrin nga aty. Është detyrë e prindërve që të kanalizojnë prioritet, t’i vijë një orar sa duhet dhe kur duhet të punoj duke absorbojë dijet nga internet”, thekson Murati.
Ai tha se për shoqërinë në Maqedoni është ende shumë herët të flitet se cilat janë përparësitë dhe mangësitë sepse është krijuar një hendek shumë i madh mes gjeneratave prind-fëmijë sa i përket njohjes së teknologjive informative dhe në këtë drejtim vihet në pikëpyetje kush kënd mund ta kontrollojë.
Edhe drejtori i shkollës fillore Ismail Qemali, Kadri Agushi, thotë se shfrytëzimi i internetit bëhet gjithnjë e më atraktiv për nxënësit.
“Është e vërtetë se nxënësit më shumë orientohen nga interneti, që në njërën anë është mirë se shkojnë në hap me trendet botërore, zhvillimet teknologjike ku gjithçka zhvillohet me vrull, por në anën tjetër duhet pasur parasysh se asgjë nuk e zëvendëson librin, ngase mësimi klasik mbetet nxënia më e sofistikuar për të zhvilluar imagjinatën”, thekosn Kadri Agushi.
Ai nënvizon se interneti nga pedagogët dhe veçanërisht nxënësit duhet shfrytëzuar si burim alternativ dhe assesi mjet primar prej ku absorbohet dije, por siç thekson ai, fatkeqësisht në vrapin për të qenë në hap me kohën jo rrallëherë zhvendosen prioritet në këtë drejtim, andaj dhe është detyruar të shkyç valët e internetit në shkollën që e drejton ai, derisa të vetëdijesohen nxënësit.
“Asgjë nuk e zëvendëson librin, e dimë se në internet ka shumë të dhëna por ata janë të dhëna momentale, i lexon, i di në moment dhe i harron shumë shpejt pra nuk mundëson pajisjen me dituri të mirëfilltë”, thekson ai.
Gjersa nxënësit thonë se tekstet shkollore janë me shumë të dhëna të vjetra që s’përkojnë me realitetin.
“Mua më shumë më pëlqen që disa lëndë t’i mësoj nga të dhënat që më ofrohen në internet sesa nga librat e shkollës sepse në internet gjërat janë më aktuale. Ta zëmë në librin e gjeografisë ne mësojmë për funksionimin e fabrikave dhe zhvillimin e industrisë në fabrika që nuk ekzistojnë, ato kanë falimentuar me vite”, shprehet një nxënës i klasës së shtatë.
Lindita Kadriu, eksperte e shkencave të komunikimit vlerëson se faj të konsiderueshëm që fëmijët bien në kthetrat e internetit kanë prindërit.
“Problemi kryesorë të themi kushtimisht me keqpërdorimin e internetit është se fëmijët shumë pak për të mos thënë aspak internetin nuk e përdorin për qëllime edukative arsimore, le që internet paraqet një det informatash që mund të jetë shumë i vlefshëm për fëmijët.”
“Por e keqja qëndron në atë se ata kryesisht shoqërohen përmes rrjeteve sociale në mungesë të socializmit në mëhallë siç ishte mënyra e shoqërimit gjeneratës sonë dikur,, vizitave të ndryshme në familje si formë e jetesës dikur ata detyrohen të gjejnë shoqëri virtuale përmes internetit dhe jo atë ta shfrytëzojnë si burim informacioni”, shprehet Kadriu.
Sipas saj, nxënësit e shkollave fillore dhe atyre të mesme në kohën e sotme janë të prirë që informacionet të cilat u nevojiten në shkollë t’i gjejnë të gatshme në internet duke anashkaluar, nxënien e mësimeve përmes leximit të librave që ata i bën të pajisen me dije të pjesshme.
“Fëmijët sot pak lexojnë nga shkaku se nuk kanë model të tillë në familje , ata nëse nuk e shohin prindin duke lexuar vështirë se do të jenë të dhënë pas leximit, gjersa mënyrat tjera të konsumimit kulturorë si kinematë, teatrot dhe aktivitetet e ndryshme kulturore viteve të fundit shënojnë tendencë të rënies së interesimit të ët rinjve për to, dhe fëmijëve në këto rrethana u mbetet rrjeti social si një substitut për socializimin e shëndoshë të dikurshëm”, thotë Kadriu.
Ndërkaq Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoni tre vjet më parë implementoi projektin “Kompjuter për çdo fëmijë”, me ç’rast nga buxheti i shtetit u ndanë mjete për sigurimin e 17,818 kompjuterëve.
Zyrtarët e lartë shtetëror, disa herë kanë theksuar se ky ka qenë investimi më i madh në fushën e arsimit gjatë 17 viteve të fundit.
Por, në praktikë, ky projekt vështir arrin të zbatohet ngase pjesa më e madhe e kompjuterëve, veçanërisht në shkollat periferike, mbetën magazinave të shkollave ose institucioneve të tjera.
Një pjesë e mirë e këtyre kompjuterëve ka përfunduar edhe në duart e hajdutëve, të cilët rezulton t’i kenë shitur si mall i vjetër ose për pjesë këmbimi.