E shtunë, 21 Shtator, 2024

Institucionet pa të dhëna mbi numrin e fëmijëve me aftësi të kufizuara jashtë bankave shkollore

- Advertisement1-

Ministria e Arsimit nuk posedon të dhëna mbi numrin e fëmijëve me aftësi të kufizuara që nuk e vijojnë procesin mësimor. Një e dhënë e paraqitur në raportin për Kosovë të Komisionit Evropian, që thotë se janë 38 mijë fëmijë të tillë që janë jashtë bankave shkollore, rezulton të jetë e pasaktë. E për mungesën e të dhënave, në shoqatat për personat me aftësi të kufizuara shprehën shqetësim.

Ky nëntëvjeçar nga komuna e Fushë-Kosovës, e që është me aftësi të kufizuara, nuk është ulur as edhe një ditë të vetme pranë bankës shkollore.

- Advertisement -

Prindërit e tij, që për KOHËN folën prapa kamerës, thanë të mos kenë pasur mundësi ta dërgonin në shkollë, për shkak se atij i nevojitej asistenti.

Me situatë të njëjtë është ballafaquar edhe Rrahime Puçolli, djali i së cilës, që tani i ka 20 vjet, po ashtu nuk ka vijuar proces mësimor.

“Djali jem nuk ka shkuar në shkollë hiç, pasi e ka sëmundjen e epilepsisë. S’e kam lënë të shkojë vetë, pasi duhet ta ushqej vetë, të kujdesem për të për ta ushqyer me bukë e me ujë, e duhet ta ndihmoj për në banjo, e nuk kam guxuar asnjëherë ta lë vetë”, ka thënë Puçolli.

Mbi numrin e fëmijëve me aftësi të kufizuara që janë jashtë bankave shkollore, në Ministri të Arsimit nuk posedojnë të dhëna.

“MASHTI i ka të raportuara në sistemin SMIA vetëm të dhënat në lidhje me përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në institucione arsimore. Sipas të dhënave të raportuara në MASHTI, numri i fëmijëve me nevoja të veçanta, që janë të përfshirë në procesin arsimor, është 3676. Si ministri jemi të përkushtuar që të krijojmë politika të përshtatshme për përfshirjen e tyre në sistemin arsimor”.

E në Raportin për Kosovën të Komisionit Evropian jashtë bankave shkollore figurojnë se janë 38 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara. Nëpërmjet një përgjigjeje për KOHËN, në këtë institucion thanë se e dhëna është siguruar nga UNICEF-i. E në zyrën e UNICEF-it në Kosovë nuk e konfirmuan këtë shifër”, ka deklaruar MASHTI.

- Advertisement -rrrrrrr

“Nuk mund ta konfirmojmë shifrën e 38,000 fëmijëve, pasi ky nuk ka qenë hulumtim apo raport, por ka qenë vetëm një vlerësim i bërë me të dhënat e disponueshme në nivel global për fëmijët me aftësi të kufizuara. Për fat të keq nuk ka të dhëna për fëmijët me aftësi të kufizuara jashtë shkollës, posaçërisht për Kosovën”, thuhet në përgjigjen e UNICEF-it.

Edhe në Zyrën për Qeverisje të Mirë, në kuadër të kryeministrisë, thanë se kanë mungesë të të dhënave specifike për numrin e personave që janë me aftësi të kufizuara.

“Kjo ne nuk na ndalon mos me zhvillu politika, por na orienton më mirë ku të përqendrohemi dhe ministritë përkatëse me atë punën që e bëjnë me fëmijë në aspektin e shëndetësisë se ata kanë në baza ditore me fëmijë apo edhe me shoqatat e familjarët. Natyrisht që kjo është një sfidë, se të dhënat dhe statistikat japin më shumë hapësirë për të vendosur prioritete dhe se ku duhet t’i orientojmë problemet”, ka thënë drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini.

Në shoqatën për personat me aftësi të kufizuara, HANDIKOS, shprehën shqetësim për mungesë të statistikave.

“Nuk merren shumë institucionet tona, nuk po bëjnë mjaftueshëm apo të themi po bëjnë fare pak në lidhje me përmirësimin e mirëqenies, përmirësimin e shëndetit, përfshirjen e tyre në shkolla”, është shprehur Afrim Maliqi, drejtor në Shoqatën HANDIKOS.

Në Agjencinë e Statistikave thanë se të dhënat aktuale i kanë vetëm nga përfituesit e skemave për përkrahje financiare. E bazuar në Statistikat e Mirëqenies Sociale, janë afër 20 mijë persona me aftësi të kufizuara që marrin pensione, si dhe rreth 3 mijë e 200 familje që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara.  © KOHA

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Shkolla Shqipe “Alba Life” në Brooklyn të SHBA-së filloi vitin e ri akademik 2024-2025

Pas Fidanishtes së parë të Shkollave Shqipe në Staten Island, Brooklyni hapi dyert për...

Mërgata shqiptare do të financojë bursa për studentët nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut

Studentët e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të mund të aplikojnë deri...

Pensionohet mësimdhënësi Fadil Gashi nga Prishtina

Shkolla "Mitrush Kuteli" në Prishtinë ka njoftuar se është pensionuar mësimdhënësi Fadil Gashi, shkruan...

“Baza e suksesit në Gjermani e Zvicër”: Nxënësit të inkurajohen për arsimin profesional!

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se arsimi profesional shpesh paragjykohet nga prindërit, por theksoi...