E shtunë, 28 Dhjetor, 2024

Institucionet heshtin për rastet e mësimdhënësve “ngacmues seksual”

- Advertisement1-

Ngacmimet seksuale të mësimdhënësve ndaj nxënësve, tentohen të fshihen nga menaxhmenti i shkollave, thonë nxënësit. Se rastet e tilla nuk raportohen nga shkollat e kanë konfirmuar edhe në Ministrinë e Arsimit. E për mësimdhënësit të cilët janë raportuar për ngacmim seksual, institucionet e drejtësisë kanë qenë të mbyllura për dhënien e informacioneve për ecurinë e proceseve penale ndaj tyre.

Gjatë vitit 2022, te Këshilli i Nxënësve të Kosovës, u raportuan në mënyrë anonime tri raste të ngacmimeve seksuale nga mësimdhënësi në një shkollë në Komunën e Suharekës.

- Advertisement -

Ditjon Fetahu, kryetar i Këshillit Rinor Kosovar, në kuadër të të cilit bën pjesë Këshilli i Nxënësve, tregon se përkundër tentimit të nxënësve për ta zbardhur rastin, menaxhmenti i shkollës nuk u interesua.

“Kryesia e shkollës nuk ka pasur mundësi të angazhohet tutje në marrjen e informatave, ndërsa ekzekutivi i shkollës thjesht nuk ka pasur asnjë lloj bashkëpunimi sa i përket hetimit të rastit deri në fund”, ka thënë Fetahu.

Sipas një raporti të publikuar në prill të vitit 2022 nga Këshilli i Nxënësve, 34.4 për qind të nxënësve kanë deklaruar se janë ngacmuar seksualisht nga mësimdhënësit.

Asnjë rast i tillë nuk është raportuar nga shkollat në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI). Në këtë institucion kanë thënë se për ngacmimet seksuale të mësimdhënësve informohen përmes procedurave të ankimimit dhe raportimeve në media.

“MASHT ka informacion të rregullt për rastet e dhunës që raportohen në SMIA, ndërkaq përtej tyre mund të informohemi përmes procedurave të ankimimit apo edhe raportimeve në medie. Inspektorati i Arsimit gjatë dy viteve të fundit ka qenë i informuar për katër raste të abuzimit seksual”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Kur një mësimdhënës akuzohet për ngacmim seksual, ndëshkimi administrativ nga komuna është suspendimi me 50 për qind të pagës për 6 muaj, duke u bazuar në Ligjin për Zyrtarët Publikë.

- Advertisement -rrrrrrr

Institucionet e drejtësisë në komunat ku janë raportuar rastet, tash e tri javë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS për ecurinë e çështjeve penale ndaj mësimdhënësve.

Në fund të vitit të kaluar, Prokuroria në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj një mësimdhënësi të gjuhës angleze në Vushtrri, për ngacmim seksual të nxënësve në klasën e gjashtë, mirëpo ky institucion nuk ka bërë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë. Prokuroria nuk ka dhënë sqarime.

“Lidhur me kërkesën tuaj njoftoheni se Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka pranuar kallëzimin penal ndaj personit me iniciale F.K., për veprën penale ‘Ngacmimi seksual’. Rasti është trajtuar, janë zhvilluar hetimet kundër të dyshuarit, dhe pas hetimeve me datë 20 dhjetor 2022 kundër të pandehurit është ngritur aktakuzë në drejtim të veprave penale ‘Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’ dhe ‘Ngacmimi Seksual’”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë, pas insistimit të KOHËS për sqarime se pse nuk është kërkuar të caktohet masë e sigurisë ndaj arsimtarit të anglishtes.

Nxënëset e kishin raportuar rastin qysh nga tetori, porse mësimdhënësi i lëndës së gjuhës angleze ka vazhduar që ta ushtrojë detyrën deri në janar, kur është suspenduar nga Drejtoria e Arsimit në Vushtrri.

Po në atë vit, në muajin qershor, edhe një mësimdhënës 37-vjeçar në Vushtrri, është arrestuar për ngacmim të një nxënëse. Për këtë, asnjë nga institucionet e drejtësisë nuk kanë dhënë informacione. Prokuroria dhe Gjykata në Mitrovicë kanë injoruar pyetjet e KOHËS për këtë rast, duke u përgjigjur vetëm në pyetjet për mësimdhënësin e gjuhës angleze.

As Drejtoria e Arsimit në Vushtrri nuk ka dhënë informacione të detajueshme. Drejtoria vetëm ka konfirmuar se janë raportuar rastet, por jo edhe nëse iu është ndërprerë kontrata e punës të dyshuarve për ngacmim seksual.

KOHA ka nisur katër pyetje në DKA, por zyrtarët e saj janë përgjigjur vetëm në një pyetje shkurt.

“Përveç këtyre rasteve nuk kemi raste të tjera për ‘ngacmim seksual’ shpresojmë të mos kemi më”, thuhet në përgjigjen e DKA-së në Vushtrri.

E mësimdhënësit të biologjisë në Pejë, i është ndërprerë marrëdhënia e punës, pasi Prokuroria ngriti aktakuzë vitin e shkuar. Por as në Gjykatën në Pejë, nuk kanë treguar për ecurinë e çështjes penale.

“Mësimdhënësit i është ndërprerë marrëdhënia e punës. Në vend të tij është përzgjedh kandidati tjetër me konkurs të rregullt”, ka thënë Naser Gega, drejtor i Arsimit në Pejë.

Absurde i ka kualifikuar Fetahu, masat administrative e trajtimin e këtyre lëndëve nga institucionet e drejtësisë.

“Masa janë absurde për mendimin tonë dhe janë jo të implementueshme herë pas here. Çka kemi dëgjuar shumë prej nxënësve, mandej edhe prej drejtorëve dhe drejtoreshave të shkollave është që kur do që janë raportuar raste të tilla, është larguar nga ajo shkollë, është suspenduar, pastaj pas një kohe është rikthyer si mësimdhënës në një shkollë tjetër”, ka thënë ai.

Megjithëse disa nga rastet e ngacmimeve janë bërë publike, në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës (SBASHK), asnjëherë nuk kanë pasur kërkesë nga anëtarësia që të përjashtojë ndonjë mësimdhënës.

Kryesindikalisti Rrahman Jasharaj, ka thënë se në raste të tilla presin deri në vendimin gjyqësor ndaj mësimdhënësit.
“Po them, fatkeqësisht mund të ketë raste të tilla në Kosovë. Ato raste nuk duhet hezituar të tregohen. Por me to duhen të merren institucionet dhe me të vërtetuar kjo, duhet të merren masa ligjore, e ne do të marrim masa sindikale”, ka thënë Jasharaj. /KOHA/

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Ish-ministri i Arsimit vjen me premtim: Rritje pagash prej 50% për mësimdhënësit

Enver Hoxhaj, ish-Ministër i Arsimit dhe një prej figurave kryesore të PDK-së, ka publikuar...

Përfundimi i gjysmëvjetorit të parë, mesazhi nga Jehona Lushaku, drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë

Drejtoresha e Arsimit në Komunën  e Prishtinës, Jehona Lushaku ka uruar nxënësit, prindërit dhe...

Murati jep lajmin e fundit për ekzekutimin e shtesave prej 100 euro për fëmijët

Ministria i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se është bërë ekzekutimi i pagave për shërbyesit...

Rektori Edmond Hajrizi pranohet në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Evropës

Me nominim nga anëtarësia, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, duke u bazuar...