Instagram po shton një mjet të ri në arsenalin e tij të masave kundër ngacmimeve dhe bullizmit.
Këtë herë, Meta po angazhon drejtpërdrejt zyrtarët shkollorë me qëllim për të përshpejtuar reagimin ndaj problemeve të sigurisë që ndikojnë te adoleshentët.
Kompania Meta po prezanton të ashtuquajturin Programin e Partneritetit Shkollor, për t’u ofruar mësuesve dhe zyrtarëve të shkollave një mënyrë të re për të ndërhyrë kur nxënësit përjetojnë ngacmime në Instagram.
Programi u ofron shkollave diçka që shumë prindër kanë kërkuar prej kohësh: një mënyrë për të ndjekur më shpejt raportimet në aplikacion, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt te nxënësit.
Meta premton që raportimet nga shkollat pjesëmarrëse do të kenë përparësi në procesin e moderimit dhe do të marrin përgjigje brenda 48 orëve. Shkollat që bashkohen do të marrin gjithashtu një etiketë “partner shkollor” në profilet e tyre në Instagram dhe do të kenë qasje në informacione mbi përdorimin e mjeteve të raportimit dhe burimeve të tjera.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Meta po punëson moderatorë të rinj për të ndihmuar me shqyrtimin e këtyre raportimeve. Një zëdhënës i Instagramit tha se raportimet do të “përshpejtohen” përmes kanaleve ekzistuese të raportimit dhe se shkollat do të kenë mundësinë të shtojnë “kontekst shtesë” në raportimet e tyre.
Meta tashmë e ka testuar programin në bashkëpunim me 60 shkolla dhe pretendon se rezultatet janë “premtuese”. Tani, shkollat në SHBA mund të aplikojnë dhe të regjistrohen në listën e pritjes për këtë program të ri.
Kjo nuk është përpjekja e parë e Instagramit për të luftuar ngacmimin dhe bullizmin. Aplikacioni prezantoi veçorinë e kufizimit të komenteve në vitin 2021 dhe një funksion më të rreptë të “kufizimeve” vitin e kaluar. Megjithëse këto veçori mund t’i ndihmojnë adoleshentët të shmangin disa lloje të ndërveprimeve negative, shpesh kërkohet që adoleshentët ose prindërit e tyre t’i aktivizojnë ato manualisht.
Duke u dhënë shkollave më shumë fuqi për të raportuar raste specifike të ngacmimit ose sjelljeve të tjera të këqija, Meta ofron një shpresë të re që shkollat do të kenë më shumë mundësi për të trajtuar sjelljet negative. /Telegrafi/