Ilirike Idrizi Ukshini është mësimdhënëse në një shkollë të mesme të Gjenevës.
Ajo shpalos përvojat në mësimdhënie dhe në veçanti ato në raport me nxënësit dhe prindërit shqiptarë
Në kantonin kozmopolit të Gjenevës, ku 42 për qind të banorëve janë me prejardhje të huaj, jeton edhe një komunitet i madh të huajsh me gjuhë amtare shqipen. Në përbërjen e personelit mësimdhënës, ndonëse në numër më të vogël se në përbërjen që kanë në popullatën gjenevase, gjejmë sot edhe mësimdhënës me origjinë shqiptare. Njëra ndër to është edhe Ilirike Idrizi Ukshini, e cila jep mesi në një kolegj të këtij qyteti.
Pyetjes së albinfo.ch rreth zgjedhjes së këtij profesioni, Ilirika, e re në përvojë profesionale i jep këtë përgjigje: dashurinë e parë për mësimdhënie e kam nga nëna e cila në fëmijërinë time ishte edhe pedagoge për mua dhe gjithmonë me pasion më ka folur për punën e mësimdhënësve. Mandej, gjatë shkollimit fillor aq shumë i kam dashur mësueset e mia sa që gjithherë mendoja se si do të mund të ju ngjaj. Për ata dhe ato që më mësonin kisha një konsideratë të lartë, i çmoja shumë. Andaj, kam vendosur të bëhem mësimdhënëse. Është ndjenjë shumë e veçantë kur një nxënësi i jep vullnetin për të mësuar dhe kur transmetimi i diturisë tek ai ndihmon që të arrijë qëllimet që ka në jetë.
Rreth përshtypjeve të saj në raport me dallimet që mund të ekzistojnë gjatë shkollimit të fëmijëve me origjinë të ndryshme apo mjedis të ndryshëm social, Ilirika për albinfo.cn përgjigjet: Secili nxënës është i veçantë dhe kjo është e bukura apo mrekullia më e madhe e punës së mësimdhënësit. Nuk besoj që prejardhja është një faktor determinues tek mësimnxënia e nxënësve. Është e vërtetë që një fëmijë i cili s’mund të ndihmohet nga prindërit për shkak se ata nuk e njohin mirë gjuhën e vendit, do ta ketë më vështirë mirëpo kjo nuk do të thotë se ai fëmijë është i dobët. Sigurisht, nëse ai ka vullnet për shkollim mund të arrij gjithçka.
Unë kam nxënës nga katër anët e globit dhe që kanë status social të ndryshëm, në mesin e të cilëve kam edhe shumë të tjerë me kulturë shqiptare. Në moshën që tani ata kanë nuk ka ndikim gjuha e origjinës së tyre. Të gjithë e zotërojnë mirë gjuhën e vendit dhe arritjet e tyre në mësim tani varen nga puna e tyre individuale. Pikërisht ndoshta është këtu kënaqësia që ndjej kur ushtroj profesionin e mësimdhënëses, të transmetoj diturinë tek fëmijë të kulturave të ndryshme e të kemi respektin e njëjtë për të gjithë.
Sa e njihni dhe e praktikoni ju gjuhën shqipe, keni njohuri të mjaftueshme që të mund ta ushtroni profesionin e juaj edhe në shqip?
Unë jam fëmija i parë i prindërve të mi që kanë dy vajza e dy djem dhe kanë migruar në Gjenevë ka më shumë se 30 vite. Me prindërit gjithmonë flas shqip kurse me vëllezër e motra, frëngjisht. Në qoftë se punoj që të përmirësoj drejtshkrimin në gjuhën shqipe, besoj se do të mundem të punoj edhe në gjuhën shqipe në profesionin që tash e ushtroj. Kur kam qenë në shkollën fillore kam ndjekur disa vite mësimin e gjuhës shqipe në LAPSH por prapëseprapë ndihmën më të madhe e kam nga prindërit, si për të lexuar ashtu edhe për të shkruar.
Cilat janë raportet e juaja me prindërit shqiptarë, lidhjet e juaja me aktivitetet shqiptare ?
Ne shumë raste kur nxënësit e kanë mësuar që jam shqiptare janë ndjerë shumë krenarë. Në shkolla të mesme dhe kolegje nuk ka edhe aq shumë profesorë me origjinë shqiptare sa ka në fillore. Që nga momenti kur jam prezantuar kam vërejtur në fytyrat e tyre çiltëri dhe buzëqeshje, ata janë munduar gjithmonë të sillen sa më mirë që është e mundur dhe këtë e konsideroj respekt e dashuri që ata kanë për kulturën e tyre shqiptare. Gjithashtu edhe prindërit kanë qenë të kënaqur sidomos ata që nuk e flasin gjuhën e vendit kështu që komunikimi me ata ka qenë i lehtë dhe i kuptueshëm. Edhe përkundër të thashethemeve që qarkullojnë shpesh për fëmijët shqiptarë, unë nuk kam pasur kurrë asnjë problem. Siç e thash, ata më kanë pritur shumë mirë e ka ndodhur bile të më flasin shqip që të vërtetojnë se jam shqiptare. Sa u përket lidhjeve me aktivitetet shqiptare në Gjenevë, që kur kam filluar studimet, jam tërhequr për shkak të obligimeve familjare dhe profesionale. Më parë isha për disa vite anëtare e grupit të valltarëve në qendrën e të rinjve “Rinia Contact” dhe pastaj edhe në grupin “Gëzuar” ku kam mësuar valle dhe këngë të shumta të traditës sonë kombëtare.
Çka pëlqeni në profesionin e juaj dhe cilat janë dobësitë e tij?
Mendoj se puna e mësimdhënësit është puna më e mirë në botë dhe nuk besoj kurrë se do ta ndërroj këtë profesion me asgjë. Kur punohet me përkushtim, dobësitë e çdo profesioni bëhen të padukshme.
Si mund t`u ndihmohet më shumë fëmijëve?
Prindërit, edhe pse nuk e dinë gjuhën frënge mund ti ndihmojnë fëmijët e tyre. Nëna ime është munduar aq sa ka mundur edh epse nuk e ka njohur gjuhën e vendit. Për të, libri ka qenë i shenjtë, gjithmonë na e ka përsëritur se “sa me shumë lexon aq më shumë di”. Edhe kur nuk kemi dashur ne fëmijët, nëna na ka shoqëruar në bibliotekë që të marrim libra. Pos nxitjes për të lexuar, prindërit duhet t’i angazhojnë fëmijët në aktivitete te ndryshme sportive dhe kulturore që fëmijët të përfitojnë sa më shumë energji të reja.
Cila është porosia e juaj për prindërit dhe nxënësit shqiptarë?
Shumë prej ne shqiptarëve kemi fatin të jetojmë në Gjenevë ku çdonjërit pa dallim i jepet rasti t’i arrijë qëllimet. Jemi në një qytet shumëkulturor. Është e mundur që nga mosnjohja njerëzit të paragjykojnë. Por është detyre e jona t`u tregojmë se cilët jemi ne. Ndjehem shumë mirë kur shoh se sot kemi shqiptarë të suksesshëm në drejtime të ndryshme, qoftë në shkollim apo punë. Këto janë dëshmi të integrimit tonë të shkëlqyeshëm në shoqërinë zvicerane. Porosia ime: “mos lejoni që komentet negative të ju ndalojnë në rrugën tuaj, merreni si fuqi që të ndërrohen bindjet e gabuara”!
Unë besoj se secili shqiptar është përfaqësues dhe ambasador i shtetit të vet siç janë ata zyrtarë, andaj duhet te jemi sa më shembullor dhe vetëm kështu mund të jetojmë së bashku të gjithë të lumtur.
Jetëshkrimi
27 vjeçare, e lindur në Gjilan, Kosovë
Nga viti 1989 jeton në Gjenevë
Shkollimin fillor e të mesëm në Gjenevë
2014 Bachelor në Fakultetin e gjuhëve: anglisht, frengjisht
2015/16 angazhohet në mësimdhënien e gjuhës angleze në Kolegj, në Shkollën Komerciale “André Chavanne”
2017 në qershor mbron temën e diplomës Master