Një tjetër histori suksesi vjen nga studentët kosovarë që po shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare. Ilir Hajraj, përfitues i grantit prestigjioz të Programit Fulbright, ka diplomuar me sukses në Michigan Law School, një nga shkollat më të njohura juridike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke reflektuar mbi përvojën e tij akademike në Ann Arbor, Hajraj vlerësoi mjedisin bashkëpunues të studimeve, mbështetjen e profesorëve dhe ndjenjën e fortë të komunitetit që e ka shoqëruar gjatë gjithë rrugëtimit të tij.
Gjatë studimeve në fushën e të Drejtës së Teknologjisë, ai ka zhvilluar aftësi të rëndësishme profesionale, veçanërisht në analizimin dhe thjeshtimin e çështjeve komplekse juridike, duke përfituar njëkohësisht nga përvoja akademike dhe aktivitetet kulturore jashtë auditorëve.

Diplomimi i tij përbën një arritje të rëndësishme personale dhe profesionale, duke dëshmuar potencialin e të rinjve nga Kosova në institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë në botë.
Programi Fulbright, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, si dhe University of Michigan kanë vlerësuar arritjen e Hajrajt dhe i kanë uruar suksese në vazhdimin e karrierës së tij ligjore.
Suksesi i Ilir Hajrajt shërben si frymëzim për studentët e rinj që synojnë të arrijnë rezultate të larta akademike dhe profesionale në nivel ndërkombëtar./ Marrë nga Albinfo.ch