Numri i mësimdhënësve dhe nxënësve që po braktisin shkollat në Kosovë është në rritje.
Për këtë çështje nga Sindikata e Arsimit, Shkencës, Kulturës shprehen të shqetësuar, ky sipas tyre, numri i mësimdhënësve që kanë braktisur institucionet shkollore është rreth 600.
Nënkryetarja e Sindikatës së Arsimit, Vjollca Shala për Telegrafin ka thënë se të dhënat tregojnë se mësimdhënësit po braktisin vendet e punës në Kosovë, për të vazhduar jetën në vendet e Evropës.
Shala tha se në vitin 2023, kanë qenë rreth 300 mësimdhënës që janë larguar.
“Sipas të dhënave që kemi nga kryetarët e sindikatave të niveleve komunale në vitin shkollor 2023/24, vetëm në vitin 2023, para liberalizimit të vizave diku rreth 300 mësimdhënës kanë bërë kërkesa në drejtori komunale për pushim pa pagesë, qoftë për gjashtë muaj edhe për një vit. Pra, kryesisht këto kërkesat për pushim pa pagesë punëtorët e arsimit i kanë bërë për tu larguar në vendet e Evropës”, tha ajo.
Por, numri i largimit të mësimdhënësve është rritur edhe më shumë pas liberalizimit të vizave.
“Në vitin 2024 me liberalizimin e vizave kemi një numër në rritje të punëtorëve të arsimit të cilët edhe pa bërë fare kërkesë për pushim pa pagesë, kanë emigruar në vende të ndryshme të Evropës. Që do të thotë se numri i mësimdhënësve është çdo ditë në rritje. Dhe sipas informatave që i kemi janë diku rreth 500 a 600 mësimdhënës që janë larguar nga procesi mësimor”, pohoi ajo.
Shala thotë së largimi i mësimdhënësve është shumë shqetësues.
“Ky është alarm shumë shqetësues së nëse vazhdon një trend i tillë i ikjes së mësimdhënëseve, ka rrezik që shkollat e Kosovës të mbesin pa mësimdhënës vendor apo mësuese e mësues të gjuhës shqipe”, theksoi mes tjerash ajo.
Përveç mësuesve, nga shkollat po largohen edhe nxënësit.
“Natyrisht, bashkë me mësimdhënësit po ikin edhe nxënës. Janë nxënës të cilët u takojnë familjeve që prindërit e tyre i kanë mësimdhënës, apo edhe në rastet kur prindërit e tyre janë të profesioneve tjera. Kjo do të thotë se numri inxënësve dhe i punëtorëve të arsimit që po ikën nga Kosova është çdo ditë në rritje”, tha Shala.
Sipas Shalës, ikja e mësimdhënësve dhe nxënësve mund të vërehet në zonat urbane dhe rurale.
Në anën tjetër, eksperti i arsimit, Rinor Qehaja konsideron se lëvizja e mësimdhënësve nuk paraqet shqetësim, pasi që ka rreth dy mijë mësimdhënës që sipas tij, janë tepricë brenda sistemit.
“Ne nuk kemi statistika institucionale për numrin e mësimdhënësve që kanë emigruar, andaj edhe nuk mund të hamendësojmë me shifra. Ka lëvizje, sikurse në çdo profesion, mirëpo kjo nuk paraqet shqetësim për mungesë të mësimdhënësve, veçanërisht kur dihet numri i rreth 2,000 mësimdhënësve që aktualisht janë tepricë brenda sistemit”, ka deklaruar ai për Telegrafin.
Qehaja shton më tej se është më rëndësi që të ofrohen kushte më të mira për mësimdhënës.
“ Ajo, çfarë, është me rendësi, është nxitja për profesionin e mësimdhënies – kushtet me të mira të punës, kompensim më të dinjitetshëm financiar, dhe shumë të tjera që e kompletojnë një mësimdhënës”, ka pohuar ai.
Ndryshe, liberalizimi i vizave ka hyrë në fuqi më 1 janar 2024, ndërkaq, ekspertët e ekonomisë kanë paralajmëruar se në disa sektorë mund të ketë mungesë të punëtorëve, të cilët mund të kërkojnë kushte më të mira të punës në vendet evropiane.