Qendra e argëtimit HyperActive, në bashkëpunim me median për arsim AlbanianEducation.net, ka zhvilluar një aktivitet edukues dhe argëtues me nxënësit e shkollë fillore “Iliria”, në Prishtinë, duke sjellë një qasje ndryshe për të folur mbi rëndësinë e lojës dhe aktivitetit fizik në zhvillimin e fëmijëve.
Aktiviteti, i cili zgjati rreth 45 minuta, u zhvillua në formë bashkëbisedimi interaktiv me nxënësit, ku përfaqësuesit e HyperActive diskutuan mbi rolin e lojës në zhvillimin emocional, social dhe fizik të fëmijëve.
Përmes shembujve praktikë dhe pyetjeve të drejtpërdrejta, nxënësit u inkurajuan të reflektojnë mbi rëndësinë e lëvizjes, bashkëpunimit dhe të mësuarit përmes argëtimit.

Gjatë aktivitetit u theksua se loja nuk është vetëm argëtim, por një element thelbësor për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve. Përmes lojës, fëmijët bëhen më të lumtur, krijojnë miqësi, mësojnë të punojnë në grup dhe forcojnë trupin dhe mendjen.
Një pjesë e prezantimit iu kushtua edhe ndikimit që loja ka në funksionimin e trurit. Sipas organizatorëve, aktivitetet aktive stimulojnë imagjinatën, rrisin fokusin dhe i ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë aftësi për zgjidhjen e problemeve, duke e bërë procesin e të mësuarit më të natyrshëm dhe më efektiv.


Në diskutim u trajtua gjithashtu edhe balanca mes përdorimit të teknologjisë dhe aktivitetit fizik. Nxënësit u inkurajuan që, përveç kohës para ekraneve, të gjejnë hapësirë çdo ditë për lojë dhe lëvizje, të cilat ndikojnë pozitivisht në energjinë, përqendrimin dhe mirëqenien e tyre.
Atmosfera gjatë aktivitetit ishte shumë dinamike, me nxënësit që morën pjesë aktivisht duke iu përgjigjur pyetjeve dhe duke ndarë përvojat e tyre rreth lojës dhe aktiviteteve fizike.
Si një formë motivimi dhe vlerësimi për pjesëmarrjen, disa prej nxënësve që dhanë përgjigje pozitive në pyetjet e parashtruara u shpërblyen me bileta falas për të vizituar qendrën e argëtimit HyperActive, duke u dhënë mundësinë të përjetojnë nga afër aktivitetet që kjo qendër ofron.
Organizatorët bëjnë të ditur se ky është vetëm fillimi i një iniciative më të gjerë edukative. Aktiviteti pritet të zhvillohet gjithsej në 32 shkolla në mbarë vendin, duke përfshirë shumë komuna të Kosovës, me qëllim që sa më shumë nxënës të përfitojnë nga mesazhi për rëndësinë e lojës, aktivitetit fizik dhe një stili jetese të shëndetshëm.
Përmes kësaj nisme, HyperActive dhe AlbanianEducation.net synojnë të promovojnë një kulturë më aktive dhe më pozitive tek fëmijët, duke afruar argëtimin me edukimin dhe duke i inkurajuar nxënësit që të mësojnë, të bashkëpunojnë dhe të zhvillohen përmes lojës.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara