Hulumtimi nga Talis: Mosha mesatare e mësimdhënësve në Kosovë është 44 vjeç

- Advertisement -

Mosha mesatare e mësimdhënësve në Kosovë është 44 vjeç dhe konsiderohet e përafërt me shumicën e 55 vendeve të përfshira në Hulumtimin Ndërkombëtar për Mësimdhënie dhe Mësimnxënie (Talis).

- paragrafi 1 -

TALIS është hulumtimi më i madh ndërkombëtar që fokusohet në përvojat dhe perceptimet e mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave, duke ofruar të dhëna të krahasueshme për mjediset e mësimdhënies dhe zhvillimin profesional në arsim. Ky është viti i parë që Kosova ka marrë pjesë në këtë studim ndërkombëtar të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), që përfshiu 55 sisteme arsimore nga e gjithë bota dhe që synon të mbledhë të dhëna mbi mësimdhënien, mësimnxënien dhe kushtet e punës së mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave. Në Kosovë, në këtë cikël morën pjesë 3,281 mësimdhënës dhe 222 drejtorë nga shkollat e mesme të ulëta, ndërsa anketa në terren është zhvilluar gjatë periudhës 15 mars – 22 prill 2024, përmes platformës online.

- Advertisement -

Ndër gjetjet kryesore janë që mësimdhënësit në Kosovë kanë moshë mesatare dhe përbërje gjinore të ngjashme me shumicën e vendeve të tjera, por me më pak përvojë jashtë arsimit. Ata tregojnë përkushtim të lartë ndaj zhvillimit profesional, por kanë më pak mundësi për trajnime digjitale dhe përfshirëse, është gjetja tjetër. Sipas gjetjeve, drejtorët e shkollave janë më të përfshirë në proceset mësimore sesa mesatarja ndërkombëtare, por më pak në planifikimin strategjik. Kultura e bashkëpunimit profesional konsiderohet pozitive, por mungon bashkëpunimi aktiv përmes mësimdhënies së përbashkët. Klima në shkolla është respektuese dhe e sigurt, por statusi shoqëror i mësimdhënësve mund të përmirësohet më tej. Ndonëse shumica ndihen të përmbushur profesionalisht, stresi dhe lodhja emocionale mbeten problem i dukshëm.

Sipas të dhënave, mosha mesatare e mësimdhënësve në Kosovë është 44 vjeç, ndërsa në territoret tjera mesatarja ka qenë 45.

Rreth 36 për qind e mësimdhënësve janë 50 vjeç ose më të moshuar, krahasuar me 37 sa është mesatarja e OECD-së. 9 për qind janë nën 30 vjeç.

- Advertisement -

Në Kosovë, 60% e mësimdhënësve janë femra, ndërsa në mesataren e OECD-së kjo përqindje është më e lartë, rreth 70%.

Rreth 25% e mësimdhënësve në Kosovë kanë përvojë pune jashtë arsimit – shumë më pak se mesatarja e OECD-së (57%).

Vetëm 2% e mësimdhënësve mund të konsiderohen “ndërrues karriere” (pra, kanë të paktën 10 vjet përvojë pune në sektorë të tjerë dhe për të cilët mësimdhënia nuk ishte zgjedhja e parë profesionale). Në mesataren e OECD-së, ky grup përbën rreth 8% të mësimdhënësve.

Në Kosovë, 97% e mësimdhënësve raportojnë se u mësojnë nxënësve si të përdorin informacionin që e kanë mësuar, krahasuar me mesataren e OECD-së prej 94%.

Gjithashtu, 90% thonë se u mësojnë nxënësve të zgjidhin probleme reale, krahasuar me 84% në mesataren e OECD-së.

Megjithatë, vetëm 56% e mësimdhënësve raportojnë se u mësojnë nxënësve të mendojnë në mënyrë kritike — kjo është dukshëm më pak se mesatarja e OECD-së (72%).

Po ashtu, vetëm 39% thonë se nxënësit vlerësojnë punën e bashkëmoshatarëve të tyre, ndërsa në OECD kjo përqindje është 58%.

Në Kosovë, 97% e mësimdhënësve kanë marrë pjesë në ndonjë formë zhvillimi profesional gjatë 12 muajve të fundit (krahasuar me 91% në OECD).

Megjithëse pjesëmarrja është e lartë, vetëm 28% e mësimdhënësve raportojnë se kanë marrë pjesë në trajnime që përdorin teknologji digjitale në mësimdhënie, ndërsa mesatarja e OECD-së është 47%.

Po ashtu, vetëm 22% kanë marrë pjesë në aktivitete për mësimdhënien e nxënësve me nevoja të veçanta, krahasuar me 39% në OECD.

Në anën tjetër, 74% e mësimdhënësve thonë se zhvillimi profesional i tyre ka pasur ndikim të madh në praktikën e mësimdhënies (krahasuar me 62% në OECD), që tregon gatishmëri dhe vetëdije të lartë për përmirësim profesional.

Në Kosovë, 96% e drejtorëve raportojnë se përfshihen drejtpërdrejt në aktivitetet e menaxhimit të mësimdhënies, si vëzhgimi i orëve, dhënia e komenteve mësimdhënësve dhe organizimi i zhvillimit profesional. Kjo përqindje është dukshëm më e lartë se mesatarja e OECD-së (76%), duke treguar një nivel të lartë të përfshirjes së drejtorëve në procesin mësimor.

Megjithatë, vetëm 48% e drejtorëve në Kosovë raportojnë se marrin pjesë në aktivitete të planifikimit strategjik ose në vendimmarrje të lidhura me politikat arsimore në nivel shkolle (krahasuar me 64% në OECD).

Në Kosovë, mësimdhënësit raportojnë nivele relativisht të larta bashkëpunimi profesional. Rreth 82% thonë se shkëmbimin materialet e mësimdhënies me kolegët (krahasuar me 79% në OECD), dhe 64% raportojnë se diskutojnë performancën e nxënësve me mësimdhënës të tjerë (krahasuar me 61% në OECD).

Megjithatë, bashkëpunimi i thellë pedagogjik, si vëzhgimi reciprok i orëve të mësimit apo mësimdhënia e përbashkët në klasë, është më pak i përhapur. Vetëm 12% e mësimdhënësve thonë se mbajnë orë të përbashkëta mësimore me kolegët (krahasuar me 25% në OECD).

Në Kosovë, 91% e mësimdhënësve pajtohen se në shkollën e tyre mësimdhënësit ndihen të sigurt në punë, krahasuar me 87% në OECD.

Po ashtu, 89% besojnë se drejtori i shkollës i trajton të gjithë mësimdhënësit me respekt..

Megjithatë, vetëm 54% e mësimdhënësve ndihen se kontributi i tyre vlerësohet sa duhet nga shoqëria – kjo është më pak se mesatarja e OECD-së (65%).

Në Kosovë, 77% e mësimdhënësve pajtohen se të qenit mësimdhënës është i vlerësuar nga shoqëria – përqindje shumë më e lartë se mesatarja e OECD-së (67%).

Megjithatë, vetëm 42% e mësimdhënësve thonë se do ta zgjidhnin sërish mësimdhënien si profesion të parë, nëse do të mund të fillonin karrierën nga e para (krahasuar me 66% në OECD).

Në Kosovë, 85% e mësimdhënësve pajtohen se gëzojnë përmbushje personale nga puna e tyre (krahasuar me 90% në OECD). Gjithashtu, 79% ndihen se kanë ndikim real në zhvillimin e nxënësve, që është një tregues pozitiv i motivimit profesional.

Megjithatë, 44% thonë se ndihen të lodhur emocionalisht pas punës, ndërsa në OECD kjo shifër është 36%.

Sipas rezultateve të TALIS 2024, 92% e mësimdhënësve në Kosovë deklarojnë se kanë nevojë për mbështetje shtesë në zhvillimin profesional, veçanërisht në fushat e përdorimit të teknologjisë, mësimdhënies inkluzive dhe vlerësimit të nxënësve.

Ndërkohë, vetëm 28% raportojnë se kanë marrë ndonjë mbështetje institucionale për trajnime të personalizuara gjatë vitit të fundit.

Në aspektin e politikave, drejtuesit e shkollave theksojnë rëndësinë e konsistencës në politikat arsimore dhe përfshirjes më të madhe të mësimdhënësve në vendimmarrje.

Rreth 70% e drejtorëve pajtohen se zbatimi i reformave arsimore shpesh ndikohet nga mungesa e burimeve financiare dhe mbështetjes së mjaftueshme profesionale.

Ministria e Arsimit në një komunikatë për media ka thënë se këto rezultate ofrojnë pasqyrën e vlefshme për përmirësim të politikave të zhvillimit profesional, përfshirjes digjitale, forcimit të rolit të drejtorëve, si dhe rritjes së statusit të profesionit të mësimdhënësit në shoqëri.

“MAShTI do t’i përdorë këto gjetje për të hartuar programe të reja të trajnimit dhe për të avancuar zbatimin e standardeve të cilësisë në sistemin arsimor të Kosovës”, thuhet në komunikatë.