Hulumtimi i OJQ-ve për Arsimin Parauniversitar: Mbi 60% e mësimdhënësve do të pranonin pensionimin e parakohshëm

- Advertisement5 -

Nga 516 mësimdhënës që plotësuan një pyetësor online, 62.6% e tyre kanë deklaruar se janë të gatshëm ta pranojnë pensionimin e parakohshëm nëse do t’iu ofrohej një skemë me kushte të favorshme.

- paragrafi 1 -

40.2% e tyre vullnetarisht do dilnin në pension nga mosha 55 vjeçare, 38.4% nga mosha 60 vjeçare dhe mbi 14% do pranonin të dilnin në pension edhe para moshës 55 vjeçare. Mësimdhënësit që kanë plotësuar këtë pyetësor janë nga 8 komuna të Kosovës.

- Advertisement - M1

E këto janë disa nga të dhënat që i ka nxjerr Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar, përmes hulumtimit të cilin e prezantuan në konferencën me temë “Arsimi Prioritet?”, të mërkurën më 04.03.2026.

Këtë rrjet e përbëjnë 14 organizata të shoqërisë civile në vend dhe të dhënat e hulumtimit i plasuan pas dy vitesh që e organizuan peticionin “Për shpëtimin e Arsimit Parauniversitar”, në të cilin i patën tri kërkesa dhe qe nënshkruar nga mbi 12,000 qytetarë.

Tri kërkesat e tyre janë:

- Advertisement - m2

– Riorganizimi i shkollave me më pak se 60 nxënës: Numri i nxënësve po zvogëlohet çdo vit, me rreth 340 klasa që kanë më pak se 5 nxënës në mbarë vendin.

– Pensionimi vullnetar i parakohshëm për arsimtarët e moshës 55-64 vjeç: Aktualisht, mbi 25% mësimdhënësve në Kosovë i përkasin kësaj moshe.

– Vlerësimi vjetor i aftësive dhe njohurive të mësimdhënies për të gjithë mësimdhënësit: Gjatë dekadës së fundit, vetëm 3% e mësimdhënësve u janë nënshtruar vlerësimeve formale të performancës.

Në raportin e tyre, përveç disa të dhënave interesante ata kanë dhënë edhe rekomandime. Përveç të ftuarve në dy panele diskutimi, në konferencë morën pjesë edhe Përparim Kryeziu, zëvendësministër i Arsimit, Samir Shahini, drejtor i Arsimit në Prishtinë, deputetët Enver Hoxhaj dhe Sala Jashari nga Komisioni Parlamentar për Arsim, si dhe mësimdhënës.

Shkollat në Kosovë deri në 4 nxënës për klasë 

Hatixhe Zeka, drejtoreshë ekzekutive në OJQ TOKA ka prezantuar të dhënat e hulumtimit, për të cilin tregoi se është realizuar vitin e kaluar nga Agron Demi.

Trendet që kanë marrë për bazë janë 30% e nxënësve në moshë 15-24 vjeç që nuk janë të përfshirë në shkollim, trajnim ose punë.

Sipas hulumtimit, për një dekadë, mesatarisht numri i mësimdhënësve ka rënë për 86 mësimdhënës për çdo vit.

Zeka duke u bazuar në hulumtim tha se 60% e shkollave kanë nën 250 nxënës dhe mbi 200 shkolla me paralele të ndara funksionojnë me nën 50 nxënës apo me rreth 4 nxënës për klasë.

Po ashtu hulumtimi shpërfaq se 340 klasa i kanë nga pesë e më pak nxënës dhe 642 klasa kanë më pak se dhjetë nxënës.

lg.php?bannerid=0&campaignid=0&zoneid=59&loc=https%3A%2F%2Fkallxo.com%2Flajm%2Fhulumtimi i ojq ve per arsimin parauniversitar mbi 60 e mesimdhenesve do te pranonin pensionimin e parakohshem%2F%3Ffbclid%3DIwY2xjawQVSJ5leHRuA2FlbQIxMABicmlkETFtWDZWRnI1THJETVdneUlBc3J0YwZhcHBfaWQQMjIyMDM5MTc4ODIwMDg5MgABHiuJ2EmvPeIzsmvLqFnf ZPmBcj4TziRn7k7MaWPg8FIMkMZOXf WXST3RCf aem itWzcgR9hmZYi1DB0 kAFw&referer=https%3A%2F%2Fl.facebook

Duke u bazuar në të dhënat e Ministrisë së Arsimit, Zeka shpjegoi se 62 shkolla amë me 136 paralele të ndara nuk i plotësojnë kriteret minimale ligjore për numrin e nxënësve. Ajo tha se mbi 9 nxënës e ndjekin mësimin në klasët e këtyre shkollave, ndërsa në tërësi ato kanë 9 mijë e 8 nxënës.

Kurse, 128 shkolla me 51 paralele të ndara thuhet se i plotësojnë kriteret. Ato i kanë 38 mijë e 225 nxënës.

Më pas, Zeka ka folur për financimin publik në Arsim duke treguar se Kosova është në listën e vendeve me shpenzimet më të ulëta për kokë nxënësi.

Sa i përket Strategjisë së Arsimit 2022-2026, Zeka tregoi se plani i kësaj Strategjie ka qenë që deri në fund të vitit 2024 të realizohet 40% e planit të riorganizimit të shkollave, ndërsa deri në fund të 2026 është menduar të realizohet 70% e këtij plani.

Ajo ka treguar të dhënat në praktikë nga viti shkollor 2021/2022 deri më 2024/2025, ndërsa tha se rekomandojnë që të zbatohen objektivat e Strategjisë së Arsimit.

“Çka na tregojnë të dhënat në praktikë, së paku deri në vjeshtë të vitit të kaluar, është që numri i shkollave amë është 773, ka mbërri në 778, pra ka rritje, jo ulje. Mirëpo, kjo arsyetohet edhe me trendet, p.sh. Fushë Kosova është komunë, e cila është e mbipopulluar edhe natyrisht që ka nevojë m’u hap shkolla të reja.” – deklaroi Zeka në fjalën e saj gjatë konferencës.

Zeka shtoi se ka rënie në numrin e paraleleve të ndara të shkollave nga 274 në 257.

Në kuadër të këtyre gjetjeve, Rrjeti i OSHC-ve pwr Arsimin Parauniversitar rekomandon që Ministria e Arsimit dhe komunat të ristrukturojnë urgjentisht të gjitha shkollat amë dhe paralelet e ndara që nuk i përmbushin kriteret minimale ligjore për numrin e nxënësve, siç përcaktohet në Udhëzimin Administrativ nr.10/2023.

“Me pa se qysh munden me realizu riorganizimin e shkollave t’u i marr parasysh burimet njerëzore, koston e buxhetit, transportin e nxënësve.” – tha Zeka.

Andaj, këto organizata kërkojnë amandamentimin e neneve 5 dhe 13 të Ligjit Nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar, për të detyruar institucionet në Kosovë që të ndërmarrin veprime konkrete drejt ristrukturimit dhe riorganizimit të të gjitha shkollave me më pak se 60 nxënës.

Pensionimi i parakohshëm i mësimdhënësve 

Zeka ka treguar se mbi 25% e mësimdhënësve janë 55-64 vjeç, ndërsa ligjet dhe strategjia aktuale e arsimit nuk e parashohin pensionimin e parakohshëm në arsimin publik.

Zeka tregoi se janë përballur me mungesë të të dhënave për moshën e punonjësve në arsim dhe kjo vlerësoi se e bën planifikimin edhe më të vështirë. Ajo tha se i kanë kërkuar të dhënat nga tri ministri, por ka qenë e vështirë të kenë qasje në to.

“Në vitin 2018, që është e dhënë shumë e hershme, mosha mesatare në arsim është e lartë, më duket që është diku 45 vjet një mësimdhënës. Sigurisht tash ka ra, për shkak se ka prurje të reja.” – tha Zeka.

Në pyetësorin e plotësuar nga 516 mësimdhënës, 56.6% e tyre kanë deklaruar se nuk do ta pranonin pensionimin e parakohshëm për arsye financiare, kurse 29.2% kanë thënë se nuk duan të ndalen nga procesi i punës.

“12.4% [e mësimdhënësve] nuk besojnë se do të mund të punësohen sërish, ndërsa 33.6% thonë se pensionimi i parakohshëm nuk do të ishte i favorshëm për ta.” – shtoi Zeka.

36.3% e mësimdhënësve kanë thënë se do ta pranonin pensionimin e parakohshëm nëse minimumimi i kompensimit është 75% e pagës bazë aktuale.

34.5% e mësimdhënësve do të pranonin të pensionoheshin nëse kompensimi do të ishte 80% e sipër, ndërsa 15.4% e tyre kanë kërkuar kompensim mbi 90% të pagës.

Vetëm 7.6% e mësimdhënësve janë të mendimit se shteti ka kapacitetet buxhetore për të mbuluar pensionimin e tyre të parakohshëm.

Në rekomandimet e tyre për këtë çështje, ata kërkojnë që të bëhet një ligj për pensionimin e parakohshëm të mësimdhënësve; të ofrohet kompensim prej së paku 75% të pagës bazë deri në moshën 65-vjeçare dhe të jetë e hapur për aplikim për një periudhë 5-vjeçare; si dhe alokimet shtesë buxhetore nga Qeveria të jenë për mbulimin e këtyre pensioneve dhe jo të zëvendësohen mësimdhënësit e pensionuar me të rinj.

Mësimdhënësit të vlerësohen çdo pesë vjet

Rreth 80% e mësimdhënësve janë përgjigjur në pyetësor se janë të gatshëm për vlerësim të performancës së tyre, kurse gjysma e tyre mendojnë se vlerësimi duhet të bëhet çdo pesë vjet.

Mësimdhënësit që nuk pranojnë vlerësimin e kanë përmendur si arsye kryesore mungesën e paanësisë dhe ndikimet partiake në proces.

Zeka ka thënë se vetëm 3% e mësimdhënësve apo 775 mësimdhënës deri në mars 2020 iu nënështruan vlerësimit të jashtëm.

Kurse, 60.9% e mësimdhënësve të paraqitur në pyetësor mendojnë se vlerësimi duhet të bëhet nga inspektorët e arsimit, 19.1% preferojnë vlerësimin e brendshëm nga kolegët ose drejtori i shkollës.

Prej 516 mësimdhënësve, 45.3% nuk i janë nënshtruar ende asnjë vlerësimi. E ata që janë vlerësuar, 33.3% shprehen se nuk janë të kënaqur dhe 21.4% janë të kënaqur.

Hulumtimi ka prekur edhe një temë të rëndësishme e që është zhvillimi profesional i mësimdhënësve, në të cilën kanë deklaruar 70.6% mësimdhënës se nuk ka mjaftueshëm trajnime.

36.4% e tyre mendojnë se trajnimet që i ndjekin nuk lidhen me kurrikulën ose punën e tyre të përditshme dhe 41.1% janë të kënaqur me trajnimet.

“Mësimdhënësit nuk e kanë trajnimin e nevojshëm për të integruar në mënyrë efektive teknologjinë në mësimdhënien e tyre.” – konstatohet në hulumtimin e Rrjetit të OSHC-ve për Arsimin Parauniversitar.

14 organizatat e shoqërisë civile kërkojnë që të amandamentohet neni 33 i Ligjit për Arsimin Parauniversitar për ta bërë të detyrueshëm vlerësimin periodik të mësimdhënësve së paku çdo pesë vjet; të rritet numri i inspektorëve të arsimit në se paku 60 deri në vitin 2026; të vendoset një sistem unik për vlerësimin e kombinuar: 50% nga inspektimi i jashtëm dhe 50% nga vlerësimi i brendshëm; të zhvillohen 30 orë trajnim në vit për secilin mësimdhënës.

Në mesin e rekomandimeve të tyre është edhe zhvillimi i një sistemi elektronik për menaxhimin e të dhënave të vlerësimit, të ndërlidhur me procesin e licencimit.

Në fillim të konferencës, Egzon Gashi, drejtor ekzekutiv në ‘Teach for Kosova’ theksoi se arsimi nuk është vetëm temë diskutimi, por është një përgjegjësi e përbashkët. Ai tregoi se studion vlerësimin e përformancës së mësimdhënësve.

Gashi përmendi rezultatet e Kosovës në testin PISA si shkak që filluan peticionin “Për shpëtimin e Arsimit Parauniversitar”.

“Kjo punë nuk u bë nga një organizatë, u bë nga një rrjet që vendosi të marrë përgjegjësinë. Takimet tona nuk ishin të financuara nga ndonjë donator specifik. Ne nuk kishim aktivitet të ndonjë projekti ekzistues. Ne u mblodhëm çdo javë sepse arsimi nuk pret.” – tha Gashi.

Në këtë konferencë, pati dy panele. Njëri panel me temën “Arsimi – Mungesë ligjesh apo institucionesh që nuk implementojnë ligje?, në të cilën diskutuan: Blerta Perolli-Shehu – prodekane për Zhvillim dhe Shkencë në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, Xhavit Rexhaj, njohës i politikave arsimore dhe mësimdhënës në Kolegjin AAB dhe Bekim Salihu, analist politikash në Institutin GAP.

Kurse, në panelin e dytë kishte temën “Nga kërkesat qytetare te politikat publike”. Të ftuarit për këtë panel ishin: Arjeta Fejza, deputete dhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Arsim, Avni Rexha – udhëheqës i Divizionit për Arsimin e përgjithshëm në Ministri të Arsimit, Muhamet Gjoka – drejtor i Arsimit në Drenas dhe Atdhe Krasniqi, drejtor në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Pjetër Budi” në Pejë.

Më 25.09.2024, KALLXO.com raportoi se përfaqësuesit e këtyre organizatave e dorëzuan peticionin me nënshkrime te Glauk Konjufca, në atë kohë kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Kërkesat nuk arritën të kalonin në Kuvend për diskutim e miratim, pasi vendi ishte në zgjedhje dhe Kuvendi arriti të konstituuohet më 11.02.2026.

Peticioni për shpëtimin e Arsimit kishte filluar të nënshkruhet fillimisht nga qytetarët në kryeqytet, më 07.03.2024. Përveç në kryeqytet, me kohë peticioni u stacionua edhe në sheshe të komunave tjera në Kosovë si: Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Podujevë, Lipjan, Prizren, Gjakovë e Skenderaj, për t’u nënshkruar nga qytetarët.

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar përbëhet nga këto OJQ: Bonevet, Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim (TOKA), Organizata “ETEA”, Qendra për Arsim e Kosovës – KEC, Qendra për Studime te Avancuara – FIT, Teach for Kosova, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Këshilli Rinor Kosovar (KYC), ‘LAPS’ (Lab of Activisim and Progressive Society), Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë – PEN, Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore – QHPSM, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, SOS Fshatrat e Fëmijëve dhe Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve. / Marrë nga Kallxo.com