Historiku i dërrasës së zezë dhe shkumësit të bardhë

- Advertisement5 -

Një udhëtim historik në rrugëtimin e dërrasës së zezë dhe shkumësit të bardhë, simbole të arsimit tradicional. Shkruar nga Gëzim Bullaku, ky shkrim sjell historinë, ndikimin kulturor dhe pedagogjik të mjeteve që formësuan breza nxënësish.

- paragrafi 1 -

 

- Advertisement -

Shkruan: Gëzim Bullaku

Nëse do të duhej të zgjidhnim një simbol tipik për të paraqitur klasën mësimore tradicionale, ai do të ishte padyshim dërrasa e zezë me shkumësin e bardhë. Dërrasa si një sipërfaqe e heshtur që priste të mbushej me fjalë, formula e ide për më shumë se dy shekuj, bashkë me shkumësin e bardhë kanë qenë aleatët e pandashëm të mësuesve dhe nxënësve në ndërtimin e dijes. Thjeshtësia e tyre e jashtme fsheh një histori të gjatë shpikjesh, përshtatjesh dhe ndikimesh kulturore që pasqyrojnë evolucionin e vetë arsimit dhe mësimdhënies.

Para se të lindte koncepti i tabelës së përbashkët, mësimi zhvillohej në mënyrë të ngadaltë dhe karakterizohej nga një individualizëm i theksuar. Në shekujt e mëhershëm, nxënësit punonin me pllaka të vogla guri, rrasa ose dërrasa të holla druri të veshura me dyllë, mbi të cilat shkruanin me majë metalike apo me copëza të shkumësit natyror të papërpunuar. Secili nxënës kishte dërrasën e vet, ndërsa mësuesi zakonisht nuk komunikonte me të gjithë klasën në të njëjtën kohë. Letra dhe pergamena ishin mallra të rrallë e të kushtueshëm, prandaj çdo ushtrim shkrimi duhej të bëhej mbi materiale të ripërdorshme. Ky mësim, ndonëse i përqendruar, ishte i izoluar, individual dhe mungonte ndjesia e bashkësisë dhe e ndërtimit kolektiv të dijes.

- Advertisement -

Në fillim të shekullit XIX ndodhi një ndryshim që do ta përmbyste këtë mënyrë mësimi. Në vitin 1801, një arsimtar skocez i gjeografisë me emrin James Pillans (1778-1964), në një shkollë të Edinburgut, bashkoi disa rrasa të vogla guri për të krijuar një sipërfaqe të madhe të ngjitur në mur. Me këtë shpikje të thjeshtë, ai e ktheu mësimdhënien dhe mësimnxënien nga një proces individual në proces aktiv kolektiv, ku për herë të parë, mësuesi mund të shpjegonte në mënyrë të dukshme për të gjithë klasën, duke vizatuar harta, formula dhe shembuj në të njëjtën hapësirë. Pillans, pa e ditur, kishte hedhur bazat e një revolucioni pedagogjik në arsim dhe mësimdhënie. Pothuaj se në të njëjtën periudhë, përtej Atlantikut, profesori i matematikës George Baron përdori një sipërfaqe të ngjashme për të ilustruar mësimet e tij. Kështu, ideja e “dërrasës së zezë” filloi të përhapej në mënyrë të pavarur në dy anët e botës, duke u shndërruar shumë shpejt në standardin e klasave të shekullit XIX.

Dërrasat e para ishin prej guri natyral të errët, zakonisht prej pllakash gëlqerore, të vendosura në korniza druri. Në disa vende përdorej edhe dru pishe, i lyer me përzierje pigmentesh të zeza dhe vaj liri, për të krijuar një sipërfaqe të lëmuar për shkrim. Me zhvillimin industrial, rreth fundit të shekullit XIX, filluan të prodhoheshin dërrasa më të qëndrueshme nga çeliku i smaltuar ose qelqi, që nuk gërvishteshin dhe pastrroheshin më lehtë. Për të reduktuar lodhjen e syve dhe reflektimin e dritës. Nga vitet 1930 ngjyra e zezë e tabelave u zëvendësua me ngjyrë të gjelbër si një risi e kohës.

Në këtë revolucion të heshtur por të vazhdueshëm në fushën e arsimit dhe mësimdhënies, shkumësi ishte partneri i pandarë i dërrasës. Ai ishte i lirë, praktik dhe i përkryer për një mjet që duhej të fshihej dhe të rishkruhej dhjetëra herë në ditë. Fillimisht përdorej shkumës natyror (karbonat kalciumi) i nxjerrë nga shtresat gëlqerore të tokës, por me kalimin e kohës u zëvendësua nga gipsi (sulfat kalciumi), i cili ishte më i butë, jepte një vijë më të qëndrueshme dhe nuk prodhonte aq shumë pluhur. Mendohet se James Pillans ishte ai që theksi se nevojën e përdorimit të shkumësit me ngjyra duke u bërë edhe nxitësi i parë i përdorimit të shkumësit me ngjyra, diku rreth vitit 1815, për t’i dhënë mësimeve një dimension më tërheqës vizual.

Në shekullin XX, prodhimi i shkumësit u bë një industri më vete. Për këtë qëlim u krijuan forma e ngjyra të ndryshme për lëndë të ndryshme, nga matematika dhe muzika, deri te arti dhe biologjia. Edhe pse pluhuri i tij shpesh shkaktonte alergji ose probleme frymëmarrjeje, ai mbeti për dekada mjeti më i përhapur i komunikimit vizual në shkollë. Për shumë njerëz, tingulli i shkumësit mbi dërrasë mbeti zëri i fëmijërisë.

Tabela e zezë dhe shkumësi i bardhë ndryshuan mënyrën se si mendohej dhe ndërtohej dija. Falë tyre mësimi u bë më dinamik, më i dukshëm dhe më bashkëpunues. Mësuesi nuk ishte më thjesht folësi ose ligjëruesi që lexonte nga një tekst, por ndërtuesi i mendimit para syve të nxënësve. Çdo rresht dhe formulë e shkruar mund të fshihej por edhe të rishkruhej, dhe kështu bëhej pjesë e një procesi të përbashkët ku mësimi dhe gabimi kishin pothuajse të njëjtin vlerësim.

Në aspekt kulturor, dërrasa e zezë shënoi një epokë të re: ajo bëri të mundur arsimimin masiv sepse ishte e lirë, e qëndrueshme dhe e përshtatshme për çdo ambient, nga shkollat e qyteteve deri te klasat e vogla rurale. Në shumë vende të botës ajo u bë një simbol i autoritetit të dijes dhe i përkushtimit arsimor. Edhe sot, në disa shkolla të Afrikës, Azisë dhe Evropës Lindore, ajo vazhdon të jetë mjeti kryesor i mësimdhënies, jo për nostalgji, por për shkak të thjeshtësisë dhe qëndrueshmërisë së saj.

Në epokën bashkëkohore digjitale, dërrasa e zezë ka edhe pasardhëse moderne: tabelat e bardha, tabelat e mençura, projektorët interaktivë, ekranet me prekje e platformat virtuale. Ato lejojnë ruajtjen, ndarjen dhe rikthimin e çdo shënimi në mënyra që dikur ishin të paimagjinueshme. Por pavarësisht nga përparimet teknologjike, thelbi mbetet i njëjtë, dëshira për të ndarë njohuritë në mënyrë të dukshme e të përbashkët. Në një farë mënyre, çdo ekran digjital është pasardhës i drejtpërdrejtë i asaj dërrase të zezë që dikur qëndronte në qendër të klasës.

Dërrasa dhe shkumësi mbeten kujtesa e një epoke ku mësimi ishte një akt njerëzor, i thjeshtë e i drejtpërdrejtë. Ato na kujtojnë se dija nuk ka nevojë për dritë artificiale për të ndriçuar mendjen, mjafton një sipërfaqe e errët, një dorë që shkruan dhe një zemër që dëshiron të mësojë.

Në fund, mund të thuhet se, pothuajse çdo brez kishte dërrasën e vet: disa prej guri, disa prej druri e disa prej dritës. Por gjithmonë ka pasur një dorë që shkruante dhe një mendje që vështronte. Dërrasa e zezë dhe shkumësi i bardhë mund të jenë zëvendësuar, por ato vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e çdo njeriu që dikur ka qenë në shkollë, nën tingullin e butë të një shkumësi që gërvishtte heshtjen.

Literatura

* Britannica, T. Editors of Encyclopaedia. (n.d.). Chalk and chalkboard. In Encyclopaedia Britannica. Retrieved from https://www.britannica.com

* History of Education Quarterly. (2015). The Blackboard Revolution. History of Education Quarterly, 54(3).

* Monaghan, E. J. (2005). Learning to Read and Write in Colonial America. University of Massachusetts Press.

* National Museum of American History. (n.d.). Chalkboard History. Smithsonian Institution Archives.

* NPR. (2019, April 2). From Slate to Screen: A Brief History of Classroom Boards. National Public Radio. Retrieved from https://www.npr.org

* The Atlantic. (2014, October 9). The Enduring Legacy of the Blackboard. The Atlantic. Retrieved from https://www.theatlantic.com

* British Educational Research Journal. (2020). The Invention of the Blackboard. British Educational Research Journal, 46(5).

©Portali Shkollor-