E premte, 27 Dhjetor, 2024

Historia prekëse e Erit, nxënësit 10-vjeçar

- Advertisement1-

Eri është një djalë 10 vjeçar nga Shkodra. Ka një vëlla më të vogël që quhet Jari dhe motrën Ajsel. Jari është 6 vjeç dhe është diagnostikuar me zhvillim të vonuar. Motra është 3 vjeç dhe shkon në kopësht.

Eri është një hero jo vetëm për familjen e tij, por për të gjithë shqiptarët. Ndjek klasën e pestë në shkollën “Azem Hajdari”. Ai është shembulli që mësuesja referon në çdo takim me prindër. Është nxënës i shkëlqyer, lënda e tij e preferuar është matematika. Kur të rritet do të bëhet mjek dhe të ndihmojë sidomos të varfërit. Sillet shumë mirë, shokët e duan shumë, dhe më shumë edhe sesa shokët e do mësuesja e tij Arjana.

- Advertisement -

Me mësuese Arjanën është njohur te Jetimorja në Shkodër, aty ku punon i ati.

Duke ja ditur hallet në shtëpi, mësuesja për dy vjet rrjesht e ka marrë me biçikletë çdo mëngjes, për ta çuar në shkollë.

Prindërve Eri i dukej i vogël, por mësuesja i tha se është mjaftueshëm i aftë për të nisur klasën e parë. E nga ajo kohë, mësuese Arjana është bërë prind i dytë, në plot kuptimin e fjalës.

Ndërsa Eri sapo mbushi 6 vjeç vendosi brenda çantës së shkollës plot ëndrra të bukura…

Prindërit e Erit janë martuar 12 vite më parë. Ceremonia u bë në Jetimoren e Shkodrës, atje ku u rrit Alberti, babai.

Mamaja e Erit, edhe ajo me probleme shëndetësore nuk ka pasur ndihmë nga askush. E vogël kaloi një temperaturë që i la pasojë dridhjen e duarve. Prandaj Nertila sot është e paaftë për të punuar, e vetmja mundësi që ka gjetur është mbikqyrja e një gruaje të moshuar. Nga ky shërbim arrin të fitojë pak para për ti blerë çokollata e patatina Erit dhe vëllezërve të tij.

- Advertisement -rrrrrrr

Babai i Erit e mbyll punën në orën 15:00. Po ashtu edhe nëna.

Duke ditur që askush prej tyre nuk ka mundësi për të lëvizur, Eri çdo ditë rreth orës 12:30, pasi mbaron mësimin në shkollë, merr çantën dhe nxiton për të shkuar te kopshti i Ajselit.

Merr motrën për dore, ndonjëherë i bën edhe xhiro në kolovitëset e lodrave. Duhet të mbajë peshën e librave të tij bashkë me përgjegjësinë për të shkuar shëndoshë e mirë në shtëpi.

Ecën me shumë kujdes për rreth 20 minuta. Kalon disa herë rrugën me makina. E ka pak larg udhën që duhet të përshkojë por është vigjilent, nuk ja heq për asnjë çast dorën motrës. Por edhe ka frikë, jo nga makinat por sepse shpesh në trotuaret ku ecën del edhe ndonjë qen rruge, që i tremb vogëlushët… E kështu 10 vjeçari po pa ndonjërin prej tyre, nxiton edhe më shumë, sipas ritmit të zemrës që i rreh fortë.

Kur mbërrin pranë pallatit qetësohet, ngjit pesë katet dhe nxjerr çelësin të hapë derën. Heq këpucët dhe mbyll derën nga brenda. Presin të dy me motrën sa të vijnë prindërit.

Ndërkohë, Eri bën detyrat, sheh pak televizor, i pëlqen sporti. Ndonjëherë vë motrën në gjumë, ose nëse ndihet pak i lodhur shtrihen të dy te divani në kuzhinë.

Vëllai i tyre do të vijë më vonë në shtëpi, kështu që derisa të mblidhet e gjithë familja 10 vjeçari merr bojërat, fletoren e punimeve e nis të vizatojë.

Në fundjavë kur është pushim, mundohet të ndihmojë babain. Ai e merr me vete kur shkon në Lezhë për ndonjë punë ditore. Kënaqet kur ndihmon babain, Albertin. E do aq shumë. Shpesh i thotë se i vjen shumë keq që gjyshërit e tij biologjik e kanë braktisur në jetimore.

Dhe gjithë dashurinë që i ka munguar prej tyre kërkon t’ja plotësojë ai, motra dhe vëllai.

Eri i dëgjon prindërit, ja u di hallet e shpesh shokët e mësuesja thonë se është i veçantë pikërisht sepse duket i rritur përpara kohe, i pjekur, i matur e shumë i dashur.

Është i vetmi në klasë, edhe në shkollë që nuk blen kurrë asnjëherë diçka, por merr çdo ushqim që ka shtëpia, e paketon, e fut në çantë e më pas e ha në orën e pushimit të madh.

I pëlqen futbolli, është tifoz i Vllaznisë patjetër por ndjek edhe futbollin ndërkombëtar. I preferuari i tij dhe i shokëve që luan futboll është Messi.

Nuk bezdis asnjëherë askënd, fjalët i ka të pakta, më tepër punon, meson, kërkon të jetë i dobishëm dhe i saktë në klasë, në çdo lëndë, çdo ditë.

Shokët e duan shumë dhe ai i do shumë shokët. Shpesh i ndihmon edhe me detyrat. E thërrasin Eri Eri Sheqeri, sepse ka një fytyrë të lumtur, të gëzuar, është mirënjohës.

Mirënjohja, është fjala e preferuar e kësaj familje, që janë vërtetë disa zemra të mbledhura bashkë, poshtë një çatie pa shumë mundësi.

Eri është mirënjohës që bashkë me prindërit motrën dhe vëllain kanë dashurinë për njëri tjetrin, janë mirë me shëndet dhe kanë në çdo kohë përqafimin e nënës dhe babait.

Ka shumë dëshira, shumë ëndrra, e shpesh i thotë edhe babait që kur të rritet, do të punojë, do të blejë makinë. I pëlqen futbolli, nuk pretendon të bëhet futbollist profesionist por një kurs prindërit nuk kanë pasur mundësi t’ja paguajnë, thjesht për të ndjekur një pasion fëminor.

As biçikletën nuk ja blenë dot këtë shtator, që mbushi 10 vjeç. Ndonjëherë kur jepet mundësia mamaja ju blen ndonjë çokollatë.

Me shpirt i kishte blerë gjithë dyqanin, por aq mundet. Por Eri nuk bën naze, i mjafton përqafimi dhe buzëqeshja e saj.

Kur kujton Albertin, të atin e tij që e kanë braktisur prindërit dhe gjithë jetën e tij s’ka pasur një shpatull ku të mbështetet, është i lumtur për gjithçka ka: Prindërit, motrën, vëllain, shokët, mësueset, ngjyrat, vizatimet, ëndrrat në sirtar dhe fantazinë pa kufi…

Në fund të ditës, kur ai mbyll sytë, mund të fluturojë në vendet më të bukura, të bëj gjithçka dëshiron dhe të shikojë me sytë e shpresës, besimit, mirësisë…

Çdo ëndërr që sheh me sy hapur ose me sy mbyllur ka të kapur për dore dhe për zemre të gjithë familjen e tij. / Top Channel

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Pensionohet mësuesja Nazmije Mustafa nga Mitrovica

Ka dalë në pension mësuesja Nazmije Mustafa nga Mitrovica, shkruan AlbanianEducation.net. Njoftimi nga drejtoresha e...

Nga Mimoza Xhindi: Siguria në arsim, baza për një të ardhme të qëndrueshme

Siguria në arsim siguron zhvillim cilësor dhe të qëndrueshëm. Ajo përfshin mbrojtjen fizike, mirëqenien...

Nagavci i ndan bursë djalit të sekretares së MASHT-it

Para pak ditësh, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë do të ndante bursa për...

Përfundimi i gjysmëvjetorit të parë – mesazh nga Behare Kryeziu, drejtoreshë e shkollës “Mustafa Bakiu” në Prizren

MESAZH NGA DREJTORESHA E SHKOLLËS ME RASTIN E PËRFUNDIMIT TË GJYSMËVJETORIT TË PARË DHE...