Artisti Alfred Mirashi Miloti në emisionin “ABC e Mëngjesit”, rrëfeu historinë se si lindi dëshira për pikturën, duke u ndalur edhe tek jeta në Shqipëri gjatë diktaturës.
Artisti lindi në një familje kulake, rrëfen pasionin e tij për artin.
“Në familje shumë persona i kishim në burg, në Spaç e në burgje të tjerë. Nuk e mendonin në atë kohë se si mund të jetonte një familje artistike. Në fillimin e karrierës edhe mundësitë ekonomike nuk ishin të lehta.
Më përpara në Shqipëri në qytetzën time në Milot, duhej një letër nga sekretarja e partisë që biografia ishte e mirë. Në Krujë kishim disa miq të familjes, që më thanë se para 4 vitesh që fillova Liceun nuk ishe kulak dhe tani del diçka tjetër.
Më pas me guximin në ’91 dhe dëshira për të jetuar të lirë erdhëm në Itali.
Më pas fillova shkollën e lartë. Në Itali kam ardhur me anije, ka qenë ajo anija e parë, më 6 mars të ’91. Ishte anija Tirana. Më kujtohet që jam varur në litarë derisa hipa në anije”, tregon ai.
Gjatë kësaj interviste artisti i mirënjohur rrëfen vështirësitë e emigracionit, ndërsa shprehet se ka fituar konkursin e rëndësishëm në Shqipëri, pasi një ndër çelësat e Milotit do të ekspozohet në Shkodër.
“’Çelësi’ simboli i krijimtarisë. Fillimi i jetës nuk ka qenë i lehtë, sot mund ta shpreh me veprat e mia, por më parë duhet të trokisja në mijëra dyer dhe më thonin nuk ka punë. Ndoshta karakteri im është mësuar me këto punë sepse në Itali nuk është e lehtë.”
“Krijimi im vjen edhe nga udhëtimet e mia. Kam bërë edhe udhëtime në Kinë, ndoshta për këtë periudhë edhe zhvillimi artistik është diçka i paimagjinuar në botën e sotme. Çelësi doli sepse pasi mbaron shkollën fillon edhe ëndrra për t’u bërë artist.
Dhe të gjithë më thonin akoma nuk je bërë artist nuk ke gjetur çelësin e duhur. Unë mendoj që asnjë portë nuk është e mbyllur për asnjë njeri, kur njeriu është i hapur dhe ka ide të mira është diçka që i duhet shoqërisë së sotme.”/abcnews.al