Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) dhe Federata e Sportit Shkollor e Kosovës (FSSHK) kanë nënshkruar të mërkurën një Memorandum Bashkëpunimi, me qëllim avancimin e sportit të hendbollit në institucionet arsimore të vendit.
Memorandumi u firmos nga presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci, dhe presidenti i FSSHK-së, Adrian Telaku, duke formalizuar bashkëpunimin ndërmjet dy federatave në kuadër të zhvillimit të sportit shkollor.
Ky marrëveshje është pjesë e Master-Planit strategjik të Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe ka për fokus implementimin e programit të mini-hendbollit në shkolla, si një hap i rëndësishëm drejt identifikimit dhe zhvillimit të hershëm të talenteve të reja.
Projekti gëzon mbështetjen e Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF), ndërsa FHK tashmë ka kohë që ka nisur përgatitjet dhe aktivitetet konkrete për zbatimin e këtij programi në nivel kombëtar.