Rreth 30 nxënës do të ndjekin mësimin, ndërsa LAPSH Hessen vazhdon zgjerimin e edukimit shqip në landin Hessen.
Në qytetin Friedberg, pranë Frankfurt am Main në Gjermani, është hapur zyrtarisht shkolla shqipe, ku mësimin do ta ndjekin rreth 30 nxënës.
Ky hap konsiderohet i rëndësishëm për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar në këtë rajon.
Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Gëzim Gashi, i cili përgëzoi LAPSH Hessen për angazhimin e vazhdueshëm në institucionalizimin e mësimit të gjuhës shqipe në këtë land. Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, falë së cilës në gjithë Hessenin funksionojnë shkolla shqipe me mbi 400 nxënës.
Fjalë rasti mbajti edhe koordinatori i LAPSH Hessen, Nezir Bajramaj, i cili theksoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Landit Hessen dhe Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës, mësimi plotësues i gjuhës shqipe po organizohet me sukses dhe tashmë është shtrirë në mbarë Hessenin.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe prindër, përfaqësues të shoqatave kulturore shqiptare dhe figura të njohura të komunitetit. Të pranishëm ishin kryetari i LAPSH Hessen, Jeton Gashi, kryetari i Shoqatës Kulturore në Friedberg, Ekrem Ibrahimi, mësuesja znj. Merima Haziri Gashi, si dhe krijuesit dhe intelektualët Sadik Krasniqi dhe Salih Haliti. Po ashtu mori pjesë edhe deputeti i rrethit Wetteraukreis, Blendi Krasniqi.
Organizatorët u kanë bërë thirrje prindërve të këtij rajoni që të regjistrojnë fëmijët e tyre, duke kontribuar në ruajtjen dhe forcimin e gjuhës shqipe ndër brezat e rinj në diasporë./Albinfo.ch